ANALIZË / Krushqit nuk janë të ngrirë; pse Rithemelimi ngrihet në mbrojtje të dhëndurrëve 

2 Nëntor 2023, 17:52Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Bamke Qylollari duke tymosur parlamentin

Nga Llano Bleta

Mesa duket, këto lëvizjet politike që fillojnë me Ri-, e kanë të domosdoshme kalimin nëpër një fazë të dhunshme. Edhe Rilindja e pati një të tillë, nga grevat e urisë në bulevard që shqepën në lekë piceritë e Tiranës, - edhe Elca Lilja që ishte si purtekë, i kishte shtuar nja dy kile asokohe – tek protestat po në bulevard. Për ters, ata italianët e projektuan aq të gjerë bulevardin, saqë i shkreti i mban të gjitha: Edhe festat, edhe manifestimet, edhe parakalimet, edhe protestimet. Pa harruar ndonjë vrasje tek-tuk.

Por sidoqoftë, Ri-themelimi ka një meritë të veçantë, sepse e ka kthyer dhunën në art, madje në qëllim në vetvete. Dallimi tjetër është se për ata, sherri dhe kaosi nuk është një fazë, por gjendje permanente; kështu e nisën 20 e kusur vjet më parë, kështu e vazhduan dhe po kështu po e sosin. Ri-themeluesit kanë arritur në pikën që nuk ka rëndësi përse protestohet, mjafton të dalin në pah dhe t’i lavdërojë doktori. Madje në vrull e sipër erdhi puna që të rrihen edhe me njëri-tjetrin me leva e bomba tymuese, vetëm që të marrin një fletë-lavdërimi.

Dhe dihet që doktori është mirënjohës prej natyre; sidomos kur e ndihmojnë për halle familjare. Në fund të fundit, njeriut për çfarë i duhen miqtë dhe shokët, vetëm për festa, ditë të mira dhe ndarje parash e pronash? Jo, miku i mirë duket kur të preken evlatët dhe dhëndurrët.

Shkurt, Ri-themelimi ka vendosur të sfidojë një tjetër titull të Kadaresë, si për inat të Makronit që erdhi për t’i dhënë një dekoratë të lartë dhe as denjoi të pijë një kafe me doktorin, që ka kryer dhe specializim në Paris. Sfida quhet “Krushqit nuk janë të ngrirë”. Sepse në qoftë ngrihet në këmbë një lëvizje e tërë për të mbrojtur dhëndrrin e arrestuar, ata s’mund të quhen tjetër veçse krushq, apo jo. Dhe jo vetëm që nuk bëhet fjalë për ngrirje, por përkundrazi, janë zjarr e flakë.

Zyrtarisht, krushqit – edhe krushkat, sepse barazia gjinore është e rëndësishme – thanë se do t’i kërrejnë binanë parlamentit sepse diktatura rilindase nuk i lejon të ngrenë komisione hetimore parlamentare, për të njëjta çështje që SPAK është duke akuzuar e rrasur në burg njërin pas tjetrit disa deputetë e ish ministra socialistë. Aq për kot ka marrë SPAK, saqë ditët e fundit në Kuvend, as Damiani nuk dinte ç’të bënte dhe rrinte si i hutuar: Të bashkohej me deputetët ri-themelues apo të vazhdonte të shtirej si socialist?

Por në të vërtetë, praktikisht deputetët e doktorit gjithë rrëmujën po e bëjnë për të mbrojtur dhëndrrin e doktorit, i cili me një letër nga qelia deklaroi se është një shkallë më lart se vjehrri: Sepse firmosi si profesor doktor. Që domethënë, profesori i doktorit. Në rrethana të tjera, plakut do t’i kishte mbetur hatri, por kësaj rradhe nuk ja vuri re. Sepse një vajzë ka dhe nuk do që t’i mbetet kallogre me burrë burgaxhi.

Vajza, nga ana e saj, e bëri detyrën. U ngjye e u kallangjos dhe doli në televizor për të mbrojtur të vërtetën. Për fat, portreti i saj nuk ra dhe aq shumë në sy, sepse ishin ato ditët e Hallouinit, kur kalamaj e të rritur vishen si vrrokollakër dhe kërkojnë karamele nëpër dyert e komshinjve.

Por ndër ata po e kryejnë më mirë detyrën – duke shlyer mangësitë e kaluara dhe tejkaluar planin – është deputeti i katundeve mes Korçës dhe Maliqit, Bamkë Qylollari-Salianji. Bamka në fillim u bashkua me Lulashin kundër doktorit, se i dridhej mishi kur mendonte se mund ta quanin anti-amerikan. Po kur pa që Lulashi nuk po ja varte shumë dhe kishte plane të tjera, ndërroi mendje. Nisi ta shajë dhe t’i numërojë se çfarë kishte bërë për të: Që nga sajimi i skandalit Babale, tek dalja me peshk në dorë para parlamentit e deri tek kopaçja që mbante në dorë kur grupi i Rezistencës së doktorit sulmoi PD-në. Dhe ndërkohë i shkelte syrin doktorit dhe pinte kafe miqësore me dhëndrrin, asokohe ende në gjendje të lirë.

Bamka ishte produkt i shkollës së Henrik Skiljes. Ky i fundit pa tek Bamka një kopje të vetvetes, ndaj vendosi ta bëjë njeri: I hoqi opingat, e lau me milva, e parfumosi, i dha shkollë dhe e prezantoi te PD-ja. Deshi t’i ndërronte edhe emrin, po aty Bamkë Salianji nuk toleroi. “Unë jam Qylollar dhe ashtu do mbetem”, deklaroi.              

Bamka kësaj rradhe e rriti cilësinë e performancës: Vendosi të hedhë flakadanë tymues në sallën e parlamentit, duke kopjuar Albin Kurtin vaktit. I vetmi dallim ishte se Albini kishte bërë burgun e serbit, pastaj hodhi tymuese. Ndërsa Bamka hodhi tymuese ndërkohë që dhëndrri i Serbickës është ende në burg.

Po në kohë rrëmujash askush nuk i vë re këto vogëlsira. Kështu i tha edhe Gazi, një tjetër aleat i rigjetur i doktorit. “Edhe pse për shkak të emrit, gazin më takonte ta hidhja unë në Kuvend, prapë mirë bëre,” i tha Gazi Bamkës. Gazi është po i aq i dalluar në shkrirjen e krushqve të doktorit. Madje ai ka një avantazh sepse kundërshtarëve socialistë nuk u bëjnë duart ta zënë e ta rrahin, ndaj dhe Gazi bën ç’i do qejfi në parlament. As grave socialiste nuk u vjen për mbarë të kapen për flokësh me të. “Është turp të merremi me Gazin, do na ngelet në dorë,” thanë ato duke u distancuar.

Krushq të tjerë ka plot, por mes tyre shquhet Muli. Kjo esencë e erudicionit njerëzor, kjo enciklopedi shëtitëse dhe ulëritëse, mjek në diplomë, është një nga dasmorët më të spikatur të doktorit. Ai vuan nga sindroma Up dhe gjithnjë ka hyrë në listat e deputetëve të PD-së përmes kuotave për kandidatë me aftësi ndryshe, por kjo s’e ka penguar të jetë flamurtar i mësimeve të shokut Sali.

Aktor tjetër kryesor është edhe Edi Palosja. Besojeni ose jo, kjo krijesë politike me inteligjencën e një karavidheje është edhe investitor strategjik diku andej nga bregdeti. Sepse i Gjati – inat kije, por hakun jepja – nuk është kursyer dhe as ka këqyrur shumë kahët politikë kur shpiku strategjikët. Dha leje majtas e djathtas, lart e poshtë, banditëve e killerave profesionistë, gaztorëve e kllounëve amatorë, burrave të ministreshave dhe grave të ministrushëve, opozitarëve grata dhe kundërshtarëve non-grata. Njësoj si mbreti Zog, ndjesë pastë, që u jepte bursa studimi fëmijëve të armiqve.

Hajde mos u beso po deshe, zërave që thoshin se thellë-thellë, I Gjati e paska njëfarë gjyshi mbretin e shkretë.     

Ndërkaq krushqit duket se kanë mbetur pa ide origjinale, dhe kanë vendosur të imitojnë skenarët e vjetër socialistë. Thanë se do mblidhen dhe do bëjnë një grevë urie në sallën e parlamentit, duke marrë duartrokitjet e të gjitha fast-fudeve rrotull Kuvendit. Kërkesa e tyre, si gjithmonë, mbetet t’u lejohet hetimi i dosjeve që tashmë ka në dorë SPAKU. Për dhëndrrin, asnjë fjalë…

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro-demokratike anti-tymuese 

Video