
TIRANË – Grupimi i Foltores në Partinë Demokratike, ose siç njihet nga organizatat humanitare, PD-ja me aftësi ndryshe, ka dalë me një reagim urgjent pas lajmit për arrestimin e dhëndrit të Doktorit dhe bllokimin e pasaportës për vetë Doktorin, nën akuzat e tjetërsimit të pronave dhe korrupsionit pasiv. Deklarata e fuqishme është firmosur nga gjithë grupimi, që ka shtrënguar radhët dhe si kurrë më parë, janë mbledhur në shenjë uniteti të pathyeshëm rreth Doktorit. Me fjalë të tjera, deklarata është firmosur nga pesë vetë. Ja ç’thotë ajo:
“Arrestimi nga SPAK i demokratit të orëve të para Jamarbër Maltezi, nën pretekstin e përfitimit të paligjshëm të 5.4 milion eurove, tregon përdorimin politik të Prokurorisë së Posaçme. Ironia është se kjo prokurori është ngritur me përpjekjet dhe lobimin e vetë Jamarbërit, që shkurt i thonë Abi (mos u keqkuptoni nga diskordanca mes emrit të gjatë dhe atij të shkurtër; dmth, Jam Arbër dhe Abi, që në turqisht i thonë vëlla; tani arbërit dhe turqit janë kardashër). Ne si miq të të prekurit kemi qenë të pranishëm kur Abi i thoshte Doktorit: Votoje baba, votoje reformën e drejtësisë se do na marrësh më qafë, kemi fëmijë!
Megjithë këtë kontribut të madh, SPAK u tregua çnjerëzor ndaj ndihmuesit të saj të madh, Abit. Mesa duket zotërinj, revolucioni vazhdon të hajë bijtë e vet. Por ky akt nuk mund të fshehë arsyen e vërtetë të arrestimit të Abit: Faktin që ai ka denoncuar inceneratorët. Dhe Prokuroria politike, për të mbrojtur inceneratorët, arrestoi sa për sy e faqe disa individë të përzier në këtë aferë, dhe shpalli në kërkim ndërkombëtar disa të tjerë, përfshirë dhe ish zv.kryeministrin e qeverisë aktuale. Ndërkaq sekuestroi edhe vetë inceneratorët dhe i vuri nën administrim shtetëror. Po ashtu, sa për sy e faqe, dënoi me disa vite burg një ish ministër dhe ca të tjerë. Po nga ana tjetër, nuk ja fali kurrë Abit denoncimin që i bëri kësaj vjedhjeje të parave të shtetit. Sepse ishte Abi ai që, duke kaluar njëherë në Fier, pa një grehinë metalike dhe pyeti, çfarë është kjo? Incenerator, i thanë. Atëherë mori menjëherë telefon të shoqen dhe i tha: Moj grua, si s’na shkoi në mendje më parë kjo punë e plehrave, po kemi njëzet vite që heqim picirin me ca letra të falsifikuara pronash?
Shkurt, Abi po pëson një hakmarrje politike. Për çfarë akuzohet ai? Se ka marrë përsipër tjetërsimin e hektarëve të tërë toke shtetërore në favor të ish pronarëve me ndihmën e Doktorit, duke qenë vetë pasardhës ish pronarësh me 144 metra katrorë truall. Do thoni ju, si ka mundësi që me kaq pak pjesë, ai të përfitonte qindra e qindra metra katrorë dyqane e apartamente? Ore zotërinj, a e dini që Abi – bashkë me Gitën – kanë marrë pjesë në greva urie studentore, kanë rrëzuar buste e statuja vetëm e vetë që të vinte kjo ditë e bardhë e kapitalizmit? Po ekonomia e tregut këtë të mirë ka more zotërinj, të mundëson të shumëfishosh asetet!
Është dhe një teori sikur tokat e ish kompleksit sportiv Partizani nuk kishin asnjë lidhje me ish pronarët, pasi ata e kishin shitur ligjërisht tokën në kohën e Italisë dhe kishin marrë paratë. Duhet të jesh naiv ose dashakeq të përdorësh këtë arsyetim. Sepse edhe nëse ka qenë kështu, del se ish pronarët kanë qenë patriotë dhe atdhetarë të mëdhenj. Ata e kanë dobësuar fashizmin duke i marrë paratë, por thellë në shpirtin e tyre tokën nuk ua kanë shitur, por kanë bërë gjoja.
Nga ana tjetër, duhet ta dini se origjina e lashtë e Abit, siç tregon dhe mbiemri Maltezi, është nga Malta. Dhe maltezët nuk kanë shkuar mirë me Italinë. Prandaj dhe këta të fundit, pra italianët, i arkivuan dhe fshehën mirë në skutat e Firences, dokumentet e shitjes së tokave në fjalë. Abi u pat thënë, m’i jepni pak sa t’i shoh, mos kini frikë se nuk ua gris, por ata jo që jo. Ptu, pepinot.
Tani dalim tek çështja e madhe, Doktori, se Abi është dëm kolateral. Siç kanë shkruar këto ditë analistë objektivë dhe të pavarur tek Syçka pikë net, synimi i SPAK-ut është të godasë liderin. Ata nuk mund t’ja falin atij që ka takuar Bushët, të birin bashkë me t’anë. Sepse SPAK-un vërtet e ngritën amerikanët, por ata janë amerikanë të majtë, që kanë vendosur të ndëshkojnë çdo udhëheqës botëror që ka luajtur tavëll me amerikanët e djathtë. Siç shkruante dhe analisti Enver Gjytyrymi dje, ata nuk mund t’ja falin Doktorit që ka lexuar shumë që i vogël, dhe që ka një bagazh erudicioni sa gjithë SPAK-u bashkë.
Prandaj kundërshtarët shkojnë deri aty sa thonë që për të ndërruar destinacionin e pronës dhe për të dëbuar drejtuesit e ish klubit Partizani, Doktori ka përdorur edhe shefa policie e shefa kabineti, përfshirë zotin Bylyk Bashi; madje edhe ministra ekonomie e ministra të Mbrojtjes si Gaz Paketa dhe Genc Rryli.
Medemek, fiks njësoj si atëherë me Gërdecin, vetëm se tek Partizani nuk pati viktima. Me fjalë të tjera, Doktori për mungesë fantazie ka përdorur të njëjtat skema për sektorë të ndryshëm!
E pra, ne që e njohim, ju sigurojmë se Doktori vetëm për mungesë fantazie nuk mund të akuzohet, prandaj dhe kjo akuzë bie poshtë.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike që sapo mori vesh se edhe sy firmatarë të tjerë janë tërhequr nga deklarata e mësipërme