TIRANË – Kur kthehet pas në kohë, 31 vjeçari Marko Ruvina e pranon se i vjen turp nga vetja. Nga ana tjetër, si për t’u ngushëlluar thotë se ka qenë mjaft i ri dhe naiv, por ama ka nxjerrë mësimet e duhura.
Në këtë rubrikë të Patronazhistit do trajtojmë rastin e një djali shqiptar, të cilit desh iu shkatërrua jeta nga droga, konkretisht kokaina. Por pjekuria që ta japin pësimet e rinisë së parë, si dhe ndihma e shokëve të ngushtë, ka bërë që ai ta kapërcejë këtë fazë delikate të jetës. Sot Marko Ruvina ka ecur përpara dhe e ka rregulluar jetën e vet. Përveç shtëpisë në Tiranë, djaloshi ka edhe një apartament të lezetshëm në bregdet, ndërsa megjithë angazhimet, ai ja del të udhëtojë jo pak herë jashtë shtetit.
***
Në fillim, rreth të njëzetave, isha në kontakt të përditshëm me hashashin, e më pas me kokainën, thotë Marko Ruvina. Ai tregon sesi përgatiste dozat e vogla 2 gramëshe dhe dridhte vetë cigaret e hashashit për t’ua shitur shtresave në nevojë.
“Nuk kishte ditë që të mos mbaja sadopak drogë me vete. Vija vërdallë nëpër Tiranë me papaq ose biçikletë për të takuar klientët. Nuk them se nuk fitoja, por ato para siç i merrja, ashtu i lija”, rrëfen i riu.
Një pjesë e mirë e të ardhurave i iknin për t’u shpëtuar telasheve me policinë, ndërsa i vetmi hajër që mban mend nga ajo kohë, është se u bleu prindërve një televizor të ri dhe dy celularë smart të përdorur.
“Një dozë e fshehur në shollën e këpucës, një tjetër brenda kapakut të celularit, dhe nja dy cigare hashash të maskuar brenda paketës së cigareve i kisha gjithmonë me vete. Isha gjithë kohës me frikë në zemër, ujë në djersë në verë dhe duke u dridhur së ftohti në dimër. Jetë qeni,” kujton sot Marko Ruvina. Derisa një ditë vendosi se kjo mënyrë jetese nuk ishte për të.
***
“E kuptova se duhej t’i rralloja sa më shumë kontaktet me drogën,” thotë i riu për Patronazhistin. Dhe kështu vendimi u mor. Me ato para që kishte mundur të kursente, Marko Ruvina bleu dy diploma të mira universitare, në një marrëdhënie ndërkombëtare dhe një për menaxhim publik, dhe filloi një punë çfarëdo në shtet, si specialist i thjeshtë.
“Nuk doja t’ua shihja më bojën qeskave milimetrike të kokainës dhe cigareve të hashashit,” tregon Marko, “më ishin shpifur. Edhe dy shokët e ngushtë që kam, Genci dhe Agimi, ma mbushën mendjen se unë meritoja më shumë.”
Dhe në fakt, shokët e ndihmuan. Të tre bashkuan paratë dhe blenë 3 kile kokainë, të cilën ua shitën tregtarëve të pakicës dhe nuk u përzien më me gramaturat, peshoret e farmacisë dhe qeskat e vockla. Kile pas kilesh, puna u shtua.
“Unë tani prek kokainë me dorë vetëm një herë në dy-tre muaj,” thotë Marko Ruvina, “dhe atëherë me doreza. Periudha e kontakteve të mia të shfrenuara me drogën ka marrë fund”.
Ai tregon se herë pas here merr leje nga puna për ndonjë udhëtim turistik në Europë ose Amerikën Latine, dhe tek-tuk telefonon nja dy miq të tij në portin e Durrësit. Gjithë pjesa tjetër e axhendës është punë-shtëpi, shtëpi-punë.
Edhe familjarët e të njohurit që e mbajnë mend si adoleshent të lëvizshëm, pranojnë se kanë mbetur të çuditur, por edhe të surprizuar nga kjo metamorfozë.
“Marko është shtruar, dhe mua më bëhet qejfi,” thotë dajoja i tij, Hasho Shashaj, “i ka kuptuar prioritetet në jetë. Edhe aty në zyrën e shtetit e kanë bërë drejtor të diçkaje. Unë jetoj në fshat dhe me ligjin 7501 kam përfituar nja tre dynymë hashash. I thashë para një muaji, më gjej ndonjë myshteri për të shitur 50 kile. E di ç’më tha: Mua mos përziej me këto gjëra, shko nxirr nipt-in e fermerit dhe shiti vetë. Ika tani se kemi një seminar për shtetin e të drejtës me këta të OSBE-së. Kështu më tha”.
***
Para se të ndahemi, Marko Ruvina kërkon me sy makinën e tij Passat të 2008-ës. “Nuk e di,” thotë mendueshëm, “më ofruan një X6 me çmim të mirë. U tundova, por them të mbaj makinën që kam. Tani që kam rralluar kontaktet me drogën, makina e shtrenjtë bie në sy për keq. Pastaj, ne me rrogë buxhetorësh jemi,” shtoi dhe ja futi të qeshurës.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike anti-drogë