MREKULLIA / Kryeministri Von der Ramen njofton zbulimin e një rezerve gjigande me shurup trëndafili

27 Gusht 2023, 22:12Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kryeministri Von der Ramen duke testuar personalisht cilesine e ujit me limon

BERAT / KUKËS / PËRMET etj – Kryeministri shqiptar Edwin von der Ramen thirri dje një konferencë urgjente për shtyp, për të njoftuar sihariqin më të fundit, atë të zbulimit të një rezerve gjigande uji me limon në malin e Shpiragut. Edhe pse kompania e huaj rezervohet ende të flasë me siguri për sasinë, cilësinë dhe shfrytëzueshmërinë e zbulimit të madh, kryeministri u shoqërua në daljen e tij mediatike nga një qenush i lezetshëm që po hante një tas me petulla të fshira. Ky detaj me siguri i ishte sugjeruar nga zyra e tij e pagabueshme e agitpropit.

“Ja,” tha Von der Ramen duke treguar krijesën fatlume që i kishte shkuar diabeti kacafiu nga ëmbëlsirat e ngrëna live, “kështu do jenë gjithë shqiptarët kur të fillojmë të shesim masivisht rezervat tona të ujit me limon: Do hajë qeni petulla kur i thonë fjalës, më besoni!”

***

Sihariqi i djeshëm ishte i fundit, por jo i vetmi në listën e gjatë të habereve të lumtura të zotit Von der Ramen. Siç tashmë publikut shqiptar i është bërë refleks, ai del dhe njofton një lajm me gjetje thesaresh sa herë që një nga ministrat shpallet në kërkim ndërkombëtar, thërritet nga Prokuroria Speciale të japë shpjegime, apo i zbulohen pako me para në raftin e mbathjeve.

Lexuesi mund ta mbajë mend sesi Von der Ramen njoftoi disa muaj më herët se analizat laboratorike treguan që në malin e Gjallicës afër Kukësit, është zbuluar një sasi e llahtarshme me kafe turke, të mesme me pak, e cila do mjaftonte për furnizimin e gjithë Anadollit për 100 vitet e ardhshme.

Një tjetër pasuri e pafundme ishte ajo e lajmëruar nga Von der Ramen para një viti, sipas të cilit në Grykën e Mezhgoranit sondat kishin hasur në një rezervë të madhe vaj kikiriku, e cila do të bënte rehat çdo familje shqiptare për 50 vitet e ardhshme.

Po ashtu, do mbetet e paharruar hareja e shqiptarëve kur Von der Ramen i deklaroi publikut - menjëherë pas lajmit se zv.kryeministri i tij po hetohej nga SPAK – se sapo ishte gjetur një rezervë e përbindshme me reçel fiku në rrethinat e Përmetit.

“Sasia është aq e madhe,” sqaroi Von der Ramen, “sa me të mund të lyejë bukën çdo mëngjes gjithë Ballkani për 200 vitet e ardhshme”.   

***

I pyetur nga gazetarët, se sa të rëndësishme janë në të vërtetë këto zbulime, kur shteti shqiptar përfiton shumë më pak nga sa do duhej, edhe nga mineralet dhe pasuritë e rëndomta nëntokësore – që Patronazhistit i vjen ndoht t’ua përmendë emrin – si nafta, gazi, kromi, bakri, hekur-nikeli etj, Von der Ramen u përgjigj:

“Keni, për fat të keq, nevojë urgjente për kurs gazetarie. Mendjelehtësia juaj barazohet vetëm nga cektësia e gjykimit të editorëve dhe pronarëve tuaj, të cilët u shërbejnë atyre që kanë vjedhur shtetin për të vjedhur pushtetin, që të kenë mundësi të vjedhin votën për të grabitur pushtetin që të kenë në dorë shtetin. Turp për ju!”

Dhe para se ta mbyllte – pasi e njoftuan se SPAK kishte thirrur edhe ca ministra e ish-ministra të tjerë – Von der Ramen anonçoi sihariqin e fundit:

“Sapo më siguruan se në malin e Jezercës lart në veri, janë gjetur depozita të pafundme me shurup trëndafili. S’mund ta lëmë këtë pasuri të shkojë dëm. Me fitimet nga shitjet, do të krijojmë një fond sovran shtetëror, i cili do të menaxhohet nga zyrtarë të përgjegjshëm dhe do të shërbejë si arka e thesarit për gjithë shqiptarët”.

I pyetur se cilët zyrtarë do mund ta menaxhonin me ndershmëri këtë fond hipotetik, Von der Ramen hezitoi disi, pastaj tha:

“Po ja… do shohim njëherë se cilët zyrtarë nga radhët tona nuk janë shpallur ende në kërkim, pastaj do vendosim!”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike shumë e apasionuar pas njoftimeve për gjetje thesaresh     

Video