TIRANË – I pari që e pa ishte shoferi i makinës që lan asfaltin e rrugëve që në 5 të mëngjesit. Burri i gjatë me një laps në vesh, ndërkohë kishte rrethuar perimetrin e lulishtes me spango sipas planimetrisë, kishte nisur të gërmonte dheun me kazmë dhe nga ana tjetër, i jepte urdhra dumdumes: Llazi, shkarkoji aty ke cepi ato thasët!
I shqetësuar, shoferi i makinës së ujit mendoi të njoftonte policinë. “Ça osht ky gjatosh pa leje me, ne kujtum se mbaroi epoka e kioskave. Do t’u them policëve ta heqin megjithë lecka!” Por teksa ngadalësoi makinën, e njohu ustain. Ishte kryeministri!
***
Por policia erdhi vetë, pastaj njerëzit e bashkisë, pastaj inspektorati ndërtimor. Dhe të gjithë u kthyen mbrapsht me bisht në shalë. Lajmi mori dhenë: I Gjati kishte nisur ta ndërtonte vetë kullën prapa bibliotekës kombëtare, i neveritur nga thashethemet dhe akuzat që vinin si breshër nga të gjitha anët. Jo po lejen e ndërtimit për kullën ja kishte dhënë njerëzve të Doktorit, djalit të Doktorit, vetë Doktorit… Jo po ortakë ishin biznesmenët e kryeministrit bashkë me ata të Doktorit, jo po Luli ishte mërzitur që ja kishin nxjerrë kunatin jashtë loje…
I vetmi që e kishte mburrur projektin e kullës gjigande ishte Merua. Por edhe ai e kishte përzier komplimentin me pak mish dhie. “Kulla si kullë është shumë e bukur,” thoshte Merua me pafajësinë që e ka karakterizuar gjithmonë, “problemi është se Rama e poshtëroi Berishën duke i dhënë leje ndërtimi!” Ky lloj formulimi e inatosi Të Gjatin: Jo more, tha me vete, domethënë të gjithë ata që kanë ndërtuar këto 20 vite në Tiranë e nëpër Shqipëri, qenkan ndjerë shumë të poshtëruar prej meje! I paskam marrë më qafë, demek!
***
I Gjati mund të durojë shumë gjëra, se politika ja ka trashur lëkurën dhe llogjet s’para i bëjnë më përshtypje. Por ideja se njerëzit mund të besonin që synimi i tij kishte qenë të poshtëronte Doktorin duke i dhënë një kullë 126 metra të lartë, e nervozoi jashtë mase.
“Si nuk e kuptojnë xhanëm, që Doktori ka lindur dhe është rritur në kullë! Ai kullën e ka si shtëpinë e vet,” thoshte me vete.
Ndaj vendosi. Për të shuar çdo hamendje dhe teori konspiracioni, kullën prapa bibliotekës do ta bënte vete, duke punuar nga pak në mëngjes herët, dhe pastaj pasdite vonë, kur të dilte nga puna e shtetit. Mbase do vonojë pak, tha me vete, por tek e fundit, do sjell dhe qeverinë të japë një dorë pas orarit zyrtar.
Dhe kështu bëri. Projektin e kullës së re do ta quante “objekt për banesa dhe zyra, me kontribut vullnetar”. Ministrat dhe institucionet e tjera që varen nga ekzekutivi, mund të sillnin edhe stafet e tyre gjatë fundjavave. Punë e madhe se shumica ishin vajza e gra. “Ato bile punojnë më mirë, janë më efiçente,” mendoi, dhe iu kujtua filmi “Kapedani”: Heeej duhet llaç, llaç, luani duart! Shoku Ropi, po pengoni punën!
Qeshi dhe mendoi se nuk ishte ide e keqe. Pastaj, duke i dhënë krahë imagjinatës, vendosi se nuk do ishte keq që të fuste në punë edhe miqtë e huaj kur vinin për vizitë. Për shembull, komisionerin Varhelyi, Sandër Vuçiçin, Borrellin, madje dhe Baba Rexhepin… Në fund, do t’i kërkonte Melonit të hidhej një vrap nga Roma në Tiranë, që t’i jepte një mendje për arredimin.
Pasi e rivizitoi edhe një herë gjithë skemën, mbeti i kënaqur dhe tha me vete: “Të paktën për një gjë paska patur të drejtë Lulashi, kur hapi atë dyqanin e veglave në Kashar. Me këta derra nuk punohet. Bëje mirë, bëje vetë!...”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike njëkatëshe