
UASHINGTON / TIRANË – Tërmeti politik në Shtetet e Bashkuara, ku ish-presidenti Donald Trump është akuzuar për përvetësim të dokumenteve shtetërore top-sekret dhe mbajtje në shtëpinë e vet, e madje është shpallur edhe i arrestuar e pastaj liruar me kusht, ka përcjellë valët e veta sizmike deri në Shqipëri.
Mësohet se prokuroria e posaçme anti-korrupsion, SPAK, e frymëzuar nga drejtësia amerikane, po përgatitet të kryejë një operacion të ngjashëm në Shqipëri, që me siguri do të trondisë botën politike dhe atë mediatike. Patronazhisti ka të dhëna të sigurta se strumbullari i kësaj mega-afere është vetë ish-kryeministri Sali Berisha. Ja pak retrospektivë, që lexuesit të kuptojnë se për çfarë bëhet fjalë.
***
Për publikun shqiptar nuk është sekret se të gjitha sekretet shtetërore, që prej fillim-viteve 90-të ndodhen në duart e asokohe presidentit, e më vonë edhe kryeministrit Berisha. Është fjala për një menu tejet të pasur dokumentacionesh, që fillojnë nga krimet, veset dhe hajdutëritë e fshehta të ish-zyrtarëve të lartë e të mesëm, intelektualëve e kujtdo që regjimi komunist mendonte se mund t’i duheshin një ditë. Pisllëqet e regjistruara dhe dokumentuara nga Sigurimi i Shtetit, u bënë bashkë me dosjet sekrete të spiunëve e bashkëpunëtorëve të Sigurimit, listat e hafijeve të brendshëm e të jashtëm, agjentë e kundëragjentë, individëve që kishin shitur vëllezër, familjarë e shokë, për pak karrierë ose thjesht për t’ua futur miqve si hobi.
Të gjithë këto dosje, siç dihet Kushtetuta demokratike e Republikës së Shqipërisë ja sanksionoi si një të drejtë të përjetshme posedimi dhe përdorimi, individit dhe institucionit Sali Berisha, sipas Nenit 543, Pika 543. Që prej asaj kohe, S.B. i ka përdorur këto sekrete sipas ligjit, duke ua tundur para surratit herë njërit e herë tjetrit, për t’i detyruar këta qafirë të zbatojnë ligjin dhe vetëm ligjin.
***
Deri këtu shkon historia zyrtare, e rëndomtë dhe burokratike e arkivave të fshehta shqiptare. Por nga kjo pikë e tutje fillojnë tmerret e vërteta, që në fakt kanë futur në lojë edhe majën e drejtësisë shqiptare, SPAK.
Kështu, vitet e fundit kanë rrjedhur në shtyp informacione fragmentare se një pjesë e dokumenteve sekrete, dosjeve të nxehta dhe informatave të fshehta nuk ndodhen vetëm në tualetin, aneksin, depot, garazhin apo raftet e kuzhinës së sigurtë dhe të ajrosur mirë të institucionit S.B., - pra ku duhet të jenë - por kanë bërë këmbë dhe çuditërisht, gjenden edhe në disa institucione irelevante që duhej të ishin shkrirë me kohë.
Fjala vjen, mediat kanë njoftuar herë pas here se një pjesë dosjesh të kësaj natyre janë gjetur në arkivat e Ministrisë së Brendshme, disa të tjera në Arkivin e Shtetit, një dorë tjetër i zotëron Shërbimi Informativ, dhe ç’është më e keqja, një tufë e mirë dosjesh i paska edhe Autoriteti për Informim mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit, AIDSSH-ja.
Por këto lajme për disa kohë ranë në vesh të shurdhër, edhe pse Patronazhisti ka të dhëna se vetë Berisha e ka ngritur disa herë në mënyrë diskrete këtë çështje. Duhet thënë se vetëm reforma në drejtësi bëri të mundur që organet e reja të merreshin seriozisht me këtë çështje. Kështu, SPAK ka nisur hetime proaktive sesi këto të dhëna kaq sensitive kanë përfunduar në raftet e gabuara.
***
Por deri tani përparimi në hetime është modest, mëson Patronazhisti. Krerët e arkivave të ndryshme bëjnë të paditurin para prokurorëve të SPAK-ut dhe deklarojnë se nuk ja kanë idenë sesi ato dosje kanë përfunduar aty. Refreni i përbashkët i tyre është se nuk kanë shumë kohë në detyrë dhe nuk e dinë ç’kanë bërë paraardhësit. Ata derra justifikohen me arsyetimin e dobët se duke qenë drejtues arkivash, kanë besuar se duhej të kishin edhe disa arkiva në kujdestari, për të justifikuar rrogën. Por burime nga SPAK pohojnë se këto tentativa për t’i shpëtuar darës së ligjit, nuk do të pijnë ujë edhe për shumë kohë.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike që beson se arkivat sekrete, ashtu si toka, duhet t’i takojnë atij që i punon. Të tjerët e hanë bukën kot