EDITORIALI / Rama: Shifra 40% nuk reflekton përqindjen tonë të vërtetë!

7 Qershor 2023, 22:00Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kryeministri duke shpjeguar përqindjet zyrtare

Nga Edi Rama

E kam thënë e shkruar disa herë, se qeverisja jonë nuk i ka përmbushur të gjitha premtimet e 2013-ës, as të 2017-ës, e aq më pak ato të 2021-it. Por siç e kam theksuar edhe gjatë fushatës së zgjedhjeve të fundit lokale, ne premtojmë se përqindjen e papërmbushur të premtimeve do ta plotësojmë në 2025-ën, plus kamatën e realizimeve të pjesshme të premtimeve gjatë zgjedhjeve lokale të këtyre viteve.

Meqë jemi tek përqindjet. Ne socialistët vijmë kokulur para zgjedhësve tanë pas çdo fitoreje. Nuk është justifikim, por realitet i hidhur, fakti që disa socialistë e kanë shfrytëzuar partinë, logon dhe peshën e rëndë të fanellës së ekipit tonë. Ne nuk marrim koston e tyre, sepse secili e ka kokën e vet mbi supe. Por dëmi i shkaktuar mbetet aty. Dhe dëmet më të mëdha i shkaktojnë përqindjet arbitrare të zyrtarëve të vetëkënaqur, që devijojnë nga vendimet e kryesisë së PS-së dhe të qeverisë socialiste,dhe rendin pas berihajt. 

Rasti i fundit është ai i sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Bellës, shtrigës. Kur më thanë se përqindjen e shumës së tenderit të futur në xhep e kishte caktuar 40%, u xhindosa. Rastësia e deshi që në të thyer të këtij qershori, të më binte në vesh ky haberi i kësaj myteberes, që nuk ka asgjë të përbashkët me vlerat socialiste e progresiste. Njëherë mendova ta thërras dhe t’i kërkoj llogari: Kush ta ka thënë këtë përqindje? Mos vallë me vlera progresiste ke parasysh përqindje në progresion? Po puna si do bëhet? Po popullit çfarë do t’i lëmë?

Por i dhashë karar se dega e kalbur duhet prerë dhe telefonova SPAK-un të vazhdonte procedurat. Se leshprera mund të pretendonte se 40%-shin ja kishte urdhëruar Bella, vetëm për të shtënë përçarje në rradhët tona. Por unë e di si buka që ha, bile si makaronat që haja në Paris, se zëvendëskryeministrja nuk lëviz nga përqindja e caktuar në mënyrë kolegjiale për çdo tender, pavarësisht nga shuma e tenderuar: 38% dhe s’e luan topi.

Një shpjegim i vogël financiar për lexuesit, megjithëse unë e kam shprehur botërisht që nuk jam njeri i shifrave, prandaj dhe nuk firmos asgjë personalisht:

Po, është e vërtetë që përqindja e tenderave ka lëvizur përgjatë viteve. Isha i ri, e madje me bajagi lesh në kokë, atëherë kur vendosa të filloj betejën time modeste kundër atyre që vidhnin shtetin për të vjedhur votat dhe grabisnin votat për të mbajtur pushtetin që të vidhnin shtetin. Ministria ime e Kulturës – se aty më caktoi Mjekra, Tos Nano, i cili më ftoi sepse ndihej i vetmuar si në burg në lartësinë morale dhe intelektuale nga e qeveriste Shqipërinë, i rrethuar me pleshta e parazitë që meritonin t’ua mbyllte çadrën e t’i linte të kalbeshin në shi – e nisi rrugën e përparimit me një 10%-sh të qelbur, por aq ishin mundësitë.

Në bashkinë e Tiranës vijuam me 15, e mandej me 20% për çdo tender. Por ama kini parasysh se me kalimin e viteve, përqindja duhet harmonizuar me inflacionin dhe duhet të mbetet në kontakt me bursat ndërkombëtare të përqindjeve tenderuese në Moskë, Pekin dhe Xhakarta. Globalizmi vëllezër, globalizmi. Çfarë ndodh në një cep të rruzullit, reflekton në cepin tjetër. Një flutur rreh krahët në pyjet e Amazonës dhe shkakton një cunami në brigjet e Japonisë.

Kështu pra, përqindjet lëvizin. Por kurrsesi në mënyrë të çrregullt, me veprime individuale dhe me iniciativa të parakorduara. Kështu nuk mund të ecet përpara. Ç’është më e keqja pastaj, të marrësh 3 milionë lekë të vjetra e t’i fusësh në xhep pa t’u dridhur qerpiku, është çnjerëzore more shokë. Unë aq para që mori ajo kukumjaçka, i kam deklaruar pasuri personale gjithë e gjithë.

Prandaj ja ku po e deklaroj edhe njëherë: Përqindja jonë progresiste është 38%. Ftoj gjithë qytetarët, por edhe fshatarët dhe fermerët që marrin financime nga BE-ja përmes qeverisë: Kush ju kërkon një cantim më shumë se kjo përqindje, denoncojeni të shkojë në kokërr të burgut!

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pa përqindje     

Video