INVESTIGIM / Zbulohet skema: Pagat u rritën vetëm për të justifikuar rrogën e Presidentit!

1 Qershor 2023, 20:59Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Presidenti shqiptar (majtas) duke e pyetur homologun kroat për rrogën

RINAS – Ndërsa priste në sallën vip të aeroportit të Rinasit për të dalë jashtë shtetit, presidenti i Republikës Barjam Begu vendosi se nuk do ishte keq shkonte dhe një herë në tualet, meqë përpara kishte rrugë të gjatë, plot një orë me avion. Mirëpo sa kishte hyrë brenda, sekretari i tij trokiti në derën e tualetit.

“Zoti President, sapo e miratuan. Më falni për shqetësimin, por vetë më thatë t’ju njoftoj në çdo kohë”. Barjami e qetësoi nga pas derës: “S’ka gjë, shumë mirë bëre. Ma hidh dokumentin poshtë derës ta firmos.”

Kështu ndodhi, thonë burime konfidenciale për Patronazhistin, që Presidenti i Republikës firmosi dekretin e rritjes së pagave për gjithë Shqipërinë, ende pa u votuar nga parlamenti shqiptar.

“Nuk më ikej pa u siguruar se edhe shqiptari më i fundit do të përfitonte rritje rroge,” thuhet se sqaroi më pas Presidenti firmosjen e rrufeshme.

***

Por disa zëra këmbëngulin gjithnjë e më tepër se në fakt, gjithë historia e rritjes masive të pagave për buxhetorët, ishte vetëm një skemë për t’u rritur rrogën deputetëve, ministrave dhe sidomos, vetë kreut të shtetit. Ngjarja thuhet se zë fill që kur kryeministri Edi e thirri ca kohë më parë në një takim çaçkë më çaçkë shefin e shtabit të ushtrisë, gjeneralin Barjam, dhe i tha me një dialekt të lezetshëm enverian:

“Dua të bëneç president. Vetëm se kam një kusht: Do firmoç çfarë të jap unë, nuk do hedhç vickla si ky katrani me bojë që kemi tani. Qish thua?”

Barjami, si njeri patriot dhe vizionar për të mirën e kombit, u përgjigj: “Mirë, po kam një pyetje: Sa është rroga?” Kur e mori vesh shifrën, reagoi:

“Edhe unë e kam një kusht: Është rrogë e ulët bre. Kam ujë, drita, taksë pastrimi, taksë tabele për të paguar. Bëje dyfish dhe vij që nesër.”

Edi qeshi: “Po jo që nesër o gjeneral! Të dalë njëherë nga zira ki kokmadhi, të bëç edhe ti dorëzimet në ushtri, pastaj shohim e bëjmë. Sa për rrogën, diçka do bëjmë po hë!”

***

Kështu ndodhi që gjenerali Barjam u bë Shkëlqesia e Tij Zoti President, shkurt SHTZ. Por kur me kalimin e muajve, SHTZ-ja po i kujtonte Edit punën e rrogës, këtë të fundit e zuri belaja. Mblodhi ministrat dhe u tha: “Duhet t’i shtojmë rrogën SHTZ-së, se ja kam premtuar. Halli është se ngjan keq po t’ja rrisim vetëm atij. Si do veprojmë?”

Përgjigjen ja dha fët e fët ministrja e Parasë, Ibrahima Delinaj: “Zoti shef, unë them t’ua rrisim pagat gjithë buxhetorëve, kujt më shumë e kujt më pak. Nëse rrisim rrogat mesatarisht me 30 përqind, dhe inflacioni shtohet me 50%, ne përfitojmë diferencën prej 20%. Me këtë diferencë shtojmë dhe rrogat tona dhe të deputetëve, dhe kështu hedhim një hap më afër Europës!”

Edit i ndriti fytyra. U hodhi një vështrim gjithëpërfshirës ministrave të tjerë dhe u tha duke treguar me gisht Ibrahimen: “Ja, këtij i them unë vizion euro-atlantik. Merrni shembull, merhumër!!!”

Bella Ballukja nxinte e tëra, po nuk bëri zë…

***

Pasi përpunuan skemën, ministrat dhe deputetët socialë të Partisë Socialiste vendosën: Mësuesve u rritet rroga me 7 përqind, mjekëve specialistë me 20 përqind, deputetëve me 50 përqind dhe presidentit me 200 përqind. Për këtë të fundit, arsyetimi ligjor ishte: “Presidenti ka shpenzime, se nuk është vetëm. Ai ka dhe Zonjën e Parë. Madje ligji parashikon edhe një shtesë eventuale, nëse do kishte dhe ndonjë Zonjë të Dytë…”

Historia mbyllet me udhëtimin e Barjamit në Kroaci. Sa zbriti në aeroportin e Zagrebit dhe u takua me homologun kroat Milanoviç, i merakosur për thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe për marrëdhëniet strategjike me Kroacinë mike, Barjami e pyeti: “Vlla, sa e ke rrogën ti?”

“Po më duket se 3300 euro,” ja ktheu i çuditur kroati.

“Unë e kam 3550 euro,” tha me krenari Barjami, “po mos u mërzit, edhe ju do vini avash avash në nivelin tonë. Po dritat sa të vijnë në muaj…?”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike anti-inflacion

Video