Nga Alma K.
Nga njëra anë, më vjen mirë që edhe mediat nuk më kanë portretizuar si viktimë. Gjithçka kam bërë, e kam bërë me dëshirë, e frymëzuar nga thirrjet e herëpashershme të qeverisë për të mos e braktisur vendin, por ta ndërtoj të ardhmen time këtu.
Dhe hapi i parë për të qenë e suksesshme në biznesin e tredhjes së qenve, është ta rrethosh veten me njerëz pozitivë që shohin nga e ardhmja dhe kanë bërë njëfarë katandie. Sepse të themi të vërtetën, robi bëhet siç janë ata që e rrethojnë. Po ndenje me morracakë, morra do zësh, jo livando.
Kështu dhe unë jam afruar, kam biseduar e kam dalë fotografi me kryetarë bashkish, deputetë e zyrtarë, lokalë e qëndrorë. Ndoshta dhe ministra e shefa policie, po kush i mban mend tani. Ndoshta jo vetëm fotografi, por edhe video. Për siguri, duhet të kontrolloj usb-të.
***
Në përgjithësi, burrat intimidohen kur u thua se je e specializuar në tredhje. Por jo të gjithë. Ka edhe trima si Safeti që nuk u bëjnë përshtypje këto terma. Megjithatë, për të qenë brenda, shumica e tyre kërkonin t’i lija celularët e mi jashtë zyrës, kur më merrnin në intervistë. Prandaj kam qenë e detyruar të vijë një mikrokamera në çantën e dorës, një në syzet e diellit, një tjetër në kopsën e xhaketës e kështu me rradhë.
Për çfarë, do thoni ju. Po që të mos më dilnin llafit pra. Se fare mirë mund të më thoshte dikush, nuk dole mirë në intervistë, s’të ndihmoj dot.
Prandaj dhe çdo provim e jepja me gojë. Provimi me gojë është i shpejtë, i sigurtë dhe efikas. Se ai me shkrim të ha shpirtin, jo po s’të kujtohet diçka, jo po jep një përgjigje të gabuar dhe hajde ta korrigjosh pastaj, jo po nuk të del koha dhe kërkon edhe çerek ore sa t’i mbarosh të gjitha, dhe ai ta pret, ‘shpejt-shpejt se s’kemi kohë, do vijë gruaja në zyrë’, etj. etj.
***
Shkurt, provimi me gojë ka dalë nga xheneti. Dhe në fund, të fituar dalin dhe qentë e shkretë të rrugës, që mezi e presin atë tender për t’u tredhur dhe për të rënë rehat. Siç i thashë dhe Safetit, unë fiks të njëjtën gjë kam bërë dhe në Librazhd: Fitova provimin me gojë dhe iu futa punës. Nuk e di pse i janë turrur të gjithë atij të shkretit dhe jo atij të Librazhdit.
Dhe në përgjithësi, unë jamë testuar gjithandej, dhe me sukses bile. Se ka ca biba moj motër, që fillojnë punë me mik dhe s’dinë as ta dredhin, as të tredhin. Eee unë këto gjëra s’i duroj dot. Liroja vendin të aftit. Të shkojë haka tek i zoti. Kush është i zoti, mos i qoftë i zi moti. Ja kështu. Se prandaj ikin të rinjtë e të rejat, se mungon meritokracia.
Do thoni ju, nga i di unë gjithë këto fjalë të urta dhe si ka mundësi që jam kaq e gojës. Epo, nuk e kemi gojën vetëm për të ngrënë de!
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro të drejtave të kafshëve