
TIRANË / KOPLIK / KRUJË – Ishte një mesazh i qartë ndërgjegjësimi për mjedisin dhe natyrën e pastër, bashkëpunimi i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Policisë së Shtetit, me disa shkolla të mesme të zonave malore të Tiranës, Malësisë së Madhe dhe Krujës, që u kurorëzua me sukses ditën e djeshme.
Rezultati domethënës ishin disa dhjetra kamionë me mbetje plastike, qese, shishe e materiale të tjera, si dhe me barëra të këqija, që u mblodhën dhe u hoqën këto ditë vere nga gjimnazistët e këtyre zonave, në territoret pranë dhe brenda parcelave të hashashit.
Nxënësit, me veshje të përshtatshme për motin e nxehtë, me kapele vere, syze dielli dhe t-shirte ku lexohej qartë mesazhi “Shokë qytetarë, mos mbështyni mbërdhe”, punuan për disa ditë gjatë orëve të mëngjesit, nën drejtimin e oficerëve të policisë që i orientuan ata në parcelat më problematike. Në përfundim, bimët e pafajshme dhe zona përreth morën një pamje krejt tjetër.
“Kur themi që mjedisi i pastër është dhe mbetet një emergjencë kombëtare, kemi parasysh pikërisht këtë,” pohoi për rubrikën tonë ministrja Mirela Kumbaraja, “30 vjet depozitime të papërgjegjshme mbetjesh plastike në natyrë na kanë sjellë në këtë situatë. Kujt ja merrte mendja se edhe në malësitë e bukura shqiptare që s’para frekuentohen, do të kishte kaq shumë plastikë?”
Sipas Kumbarasë, nxënësit meritojnë një bravo të madhe për këtë ndërgjegjësim dhe aktivizim në sezon pushimesh. Një pjesë e madhe syresh kanë ndihmuar edhe duke e njohur mirë zonën, pasi parcelat e hashashit ishin të familjeve të tyre.
“Unë mendoj se pastrimi i parcelave nga barërat e këqija, ujitja e bimëve dhe me këtë rast, edhe heqja e mbetjeve plastike, nuk duhet të jetë thjesht fushatë, por të bëhet sistematikisht,” tha nxënësi i vitit të 4-rt në gjimnazin “Hasho Shashaj” të Niklës, Amarildo Kacidhja, “është turp që turistët që vijnë të blejnë hashashin tonë, të shohin këtë pisllëk”.
***
Iniciativa bëri shumë përshtypje në opinionin publik, megjithatë disa problematika të përsëritura të sezonit turistik mbeten aktuale. Oficeri i policisë Tao Bualli, përgjegjës për marrëdhëniet me publikun, tha për rubrikën tonë se problem mbetet ndotja e mjedisit nga turistët malorë, sidomos vizitorët e papërgjegjshëm vendas, që vazhdojnë të hedhin në natyrë qese e shishe plastike, apo kanoçe llamarine, kur vijnë të vizitojnë parcelat e hashashit.
“Ne kemi marrë disa masa,” tha Bualli, “si për shembull, vendosja e gjobave për ata që kapen duke ndotur, si dhe caktimi i një numri të kufizuar vizitorësh për parcelë, për të shmangur kaosin”.
Me këtë rast, Bualli njoftoi nismën më të fundit, që është ndalimi i muzikës së lartë në malësitë e Tiranës, Krujës, Dukagjinit etj, pas orës 11 të natës.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike anti-plastikë