GJENDET ISH-TIGRI / U premton eskimezëve të Kanadasë rindërtimin e shtëpive prej akulli!

13 Korrik 2023, 23:52Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ish-Tigri duke refuzuar t'u përgjigjet mediave eskimeze

IQALUIT – Në kryeqytetin Iqaluit të territorit autonom të eskimezëve të Kanadasë, që quhet Nunavut, po fryn një erë ndryshimesh. Është fakt që ndryshimet klimatike po ushtrojnë gjithnjë e më shumë presion mbi stilin tradicional të jetesës së eskimezëve. Siç mëson Patronazhisti, shtëpitë e tyre me blloqe akulli, iglutë, po bëhen gjithnjë e më të brishta për shkak të rritjes së temperaturave, duke shkaktuar edhe probleme strehimi.

Por ditët e fundit një personazh misterioz është shfaqur mes eskimezëve. Përmes skemës 'golden passport', personazhi ka fituar leje qëndrimi në Nunavut, dhe jo vetëm kaq. Ka zëra që thonë se atij i është dhënë edhe statusi i investitorit strategjik, pasi këtë procesin e dokumentacionit e kishte filluar disa kohë më parë.  

Era e ndryshimit konsiston këtu: Personazhi misterioz u ka ofruar vendasve një program të gjerë rindërtimi me synimin për të ngritur një bllok të madh iglush akull të reja për eskimezët në nevojë.

“Çdo familje me shtëpi të dëmtuara, do të strehohet në iglutë e reja të ndërtuara me akull special, në një zonë periferike që do ta quajmë Rolling Kills,” njoftoi personazhi misterioz. “Në fillim një komision i pavarur i kryesuar nga Klodi, do klasifikojë dëmet e pësuara në banesë, nëse janë të kategorisë D2 apo D1, pra nëse shtëpitë do shkrihen komplet apo thjesht do riparohen”.

Programi i rindërtimit është pritur mirë nga eskimezët. Ata janë shprehur dakord me kushtet, që këstet e shtëpive të reja t’i paguajnë me lëkurë fokash ose kavanoza me dhjamë balenash. Nëse programi përfundon me sukses, është menduar që personazhit misterioz t’i jepet si shpërblim një leje gërmimi për diamante në një minierë të vogël pranë kryeqytetit Iqaluit, si dhe një liçensë telefonike të operatorit rural për të ndihmuar në komunikim katunarët e Nunavutit. 

***

Mirëpo siç i thonë një fjale, i miri nuk ka fat. Për personazhin misterioz kanë nisur problemet, pasi gazeta lokale e Iqaluitit, e cila shtypet në lëkurë salmoni, ka botuar një investigim. Shkrimi spekulon se misteriozi bamirës ka ardhur nga një vend i vogël ballkanik ku këto ditë ngordhin dhe pleshtat nga vapa. Aq vapë, saqë misteriozi e kaloi kufirin me pantallona të shkurtra.

Jo vetëm kaq, por ai paskësh pasur një nga postet më të larta qeveritare në vendin e tij, atë të Tigrit, por e dëbuan për arsye të paqarta. I pyetur nga gazeta përse u largua nga Ballkani, ish-Tigri u përgjigj pikërisht se i miri nuk ka fat.

Por nuk është vetëm kjo. Belaja më e madhe i ndodhi ish-Tigrit dje në drekë, kur sekretares së tij të besuar iu gjetën të fshehura në tubin e sobës, plot 100 lëkurë fokash dhe 50 kile me dhjamë balene të padeklaruara. Hetimet vazhdojnë…

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike kundër ngrohjes globale

Video