
TIRANË / DUBAI / VAU I DEJËS – Ndërkohë që prokuroria e Tiranës ka hapur hetimet në bashkëpunim me Interpolin, personazhja e njohur e shoubizit shqiptar Kthjellina Haxhia Karathanasi ende është duke vuajtur pasojat psikologjike të ngjarjes shokuese që përmbysi jetën e saj para pak ditësh.
Siç tashmë është bërë botërisht e ditur, vajza që prej 10 vjetësh është 24 vjeçe, u vu në një pozitë shumë të keqe kur të hënën e kaluar rrjetet sociale u mbushën me fotot e saj private ku ajo shfaqet me lloj-lloj veshjesh, si fustan, kostum pune, pallto, peliçe, fund të gjatë deri në kyçet etj. Kthjellina u kërkoi menjëherë mediave dhe rrjeteve që t’i heqin këto foto kompromentuese, duke deklaruar se ato ose i janë vjedhur nga kompjuteri ose celulari i saj, ose u janë dërguar atyre nga ish- dashuri në shenjë hakmarrjeje.
Duke qenë se reagimi i parë ndaj kërkesës së saj ishte indiferent, shoubizja e famshme vendosi të hedhë në rrjetet sociale një video, ku shfaqet me lot në sy dhe me mini-bikini.
“Ju lutem, po më dënoni pa faj, po më dëmtoni reputacionin. Nuk keni të drejtë të luani me jetën time private. Nuk është puna juaj se çfarë bëj unë në shtëpinë time, nëse vesh fustan, pardesy apo pantallona të gjata dhe t-shirt. Ata që m’i kanë vjedhur ato foto, do të përgjigjen para drejtësisë. Ju bëj thirrje edhe njëherë t’i fshini ato fëlliqësira, mos iu bëni krah paligjshmërisë,” foli duke dënesur vajza, për të cilën pakkush mban mend se për çfarë talenti saktësisht është bërë e famshme.
“Në ato foto nuk është Kthjellina e vërtetë. Ka qenë një çast dobësie. Të gjithë bëjmë gabime,” shtoi ajo, duke parë me bisht të syrit në cep të kamerës, ku mesa duket lexonte tekstin e parapërgatitur, sepse nuk ka burrë nëne ta bindë Patronazhistin se Kthjellina mund të flasë me fjali kaq të gjata e relativisht të komplikuara.
***
Siç u prek më lart, Patronazhisti ka mësuar se paralelisht me mundësinë e një hackimi klasik të celularit, Prokuroria po heton edhe pistën e shantazhit ndaj vajzës që prej 10 vjetësh është 24 vjeçe, nga ana e ish-të dashurit të saj, biznesmenit, ose futbollistit, ose reperit të njohur Dixhej Trungu. Në fakt, seti fotografik kompromentues me vajzën e veshur deri në grykë, duke se është kryer në një moment intim dhe në mjedis shtëpiak, ndoshta në Tiranë, Dubai ose Va të Dejës.
Megjithatë, biznesmeni, ose futbollisti, ose reperi i njohur e ka mohuar kategorikisht të ketë pasur gisht në një aferë të pistë.
“Ne u ndamë për arsyet tona, grindeshim, pajtoheshim, por mbi të gjitha kemi një burrni. Un s’do të ndaja kurrë me publikun foto private ku e dashura ime shfaqet e veshur,” deklaroi ai i prekur në sedër nga insinuatat e poshtra.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike që për këto ditë të nxehta sugjeron veshje të lehta