DREJTËSI / Prokuroria e BE-së i kërkon ndihmë Sarmonela Thelës për t’i gjetur një prokurore të mirë

3 Korrik 2023, 10:23Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Prokurorja Sarmonela Thela

BERAT/TIRANË – Ditën që prokurorja Sarmonela Thela mori ftesën nga I Gjati për t’u angazhuar në politikë, bëri be e rrufe se do hidhte një gur pas dhe nuk do fuste më hundët në sistemin e drejtësisë. Për parantezë, pak a shumë si Hulusi Panja. Sarmonela e njihte kalbësirën e sistemit nga brenda dhe vendosi se drejtësia do shërohej me reformë rrënjësore, përmes politikës.

Dhe kështu po ndodh. Në fakt, që kur iu fut politikës, u thoshte shoqeve, “më ka thirrur Edi, vetëm ti mund ta bësh këtë drejtësi, më tha. Pastaj ka nevojë partia dhe për një femër tamam, se këto që kam mbledhur deri tani janë si katunare të zbritura në qytet me punë në komitet, ndërsa ti ke sharm, ke klas. Kështu më tha”...

*** 

Duket se me kontributin dhe klasin e Sarmonelës, drejtësia po ecën në rrugë të drejtë. Një kontribut për këtë ka dhënë edhe burri i Sarmonelës, prokurori Bledardh Valixhja. Për sqarim, pavarësisht se janë burrë e grua, Sarmonela e zgjidhi dilemën se cilin mbiemër do mbante, Thela apo Valixhja, në favor të thelës. “Më mirë kështu, se Thela është më e vogël. Ndërsa të jesh politikane e lartë klasi, të mbash dhe mbiemrin Valixhja, sikur nuk shkon,” arsyetoi asokohe ajo.

Dhe bëri mirë. Nga një thelë e nga një thelë, drejtësia e re triumfoi. Të ligjtë u spastruan dhe më në fund, politika dhe drejtësia nuk kishin më asnjë lidhje. Gati si dy drejtëza paralele që nuk takohen kurrë. Pavarësisht se Sarmonela dhe burri takoheshin në darkë, ata nuk flisnin asnjëherë për punët e tyre.

Kështu u tha ajo dhe shoqeve njëherë. “Për punët tona nuk flasim kurrë,” tha, “vetëm për punët e tjetrit”.

Por sigurisht që do lindin edhe sfida. Që kur iku Sarmonela nga sistemi, prokuroria pësoi një gropë të madhe, një boshllëk që nuk mbushej, një hendek të pakapërcyeshëm, një zbrazëtirë që të ngushtonte zemrën dhe të mbushte me trishtim. Prandaj Sarmonela e bëri zemrën gur dhe la motrën në vendin e saj.

Punoi sa u shqye motra e shkretë, por boshllëku prapë nuk po mbushej. Me kalimin e kohës, Sarmonela vendosi të fusë prokurore edhe motrën tjetër. “Shko,” i tha, “dhe përpiqu të mbushësh gropën time. Thuaju atyre, erdha për gropën e Sarmonelës, jam e motra”.

Por mesa duket, gropë-zeza ishte e madhe. Prandaj së fundmi, Sarmonela ka vendosur të fusë prokurore edhe dy mbesa, një nga nipat do ta bëjë oficer të policisë gjyqësore ndërsa tre kushërinj të burrit do t’i shpërndajë nëpër prokuroritë e rretheve.

*** 

Por ditët e fundit Sarmonela Thelën e ka zënë një hall i madh. Kishte ardhur në Tiranë kryeprokurorja europiane, rumunia Kovesi, dhe i kishte zënë derën: “Më duhen njerëz për në zyrat qëndrore,” i tha, “aman të keqen motra, shiko mos të ka mbetur ndonjë prokuror i mirë në fis, se tek ty i kam varur shpresat!”   

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike anti-nepotike 

Video