KONFLIKTI / Basha sulmon me dron urën që lidh SHQUP-in me Gaz Bardhin

31 Korrik 2023, 13:43Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Basha duke pergatitur ujrat për sulmin e rradhës

TIRANË - Agjencitë e lajmeve njoftojnë se sapo është përshkallëzuar konflikti mes PD-së së lirë dhe indipendente dhe agresorëve të frymëzuar nga ish-presidenti Salimir Salimirovic Berisha. Siç dihet, një pjesë të territoreve të PD-së pro-euroatlantike u pushtuan që në ditët e para të luftës, përfshirë edhe ndërtesën strategjike të SHQUP-it, nga trupat mercenare të kompanisë private Tritan Shehner.

Por atëherë kur dukej se gjithçka kishte marrë fund, kryetari i PD-së Lulzim Basha u shfaq në media duke u bërë thirrje mbështetëve të tij të qëndrojnë fort, hoqi kostumet dhe kravatat, veshi t-shirtin e famshëm ngjyrë ulliri, dha guximshëm dorëheqjen nga drejtimi i partisë dhe vendosi të drejtojë luftën në heshtje nga Holanda. Mesazhet që ai dërgonte nga Haga ishin simbolike dhe të kuptueshme vetëm për trupat e tij. Për shembull, postonte foto në instagram me flokët më pak ngjyrë-patëllxhan se zakonisht; kjo nënkuptonte që mbështetësit duhet të ndiqnin pas Enkelejd Alibeajn. Ose përgëzonte vendimet e samitit të fundit të NATO-s; që domethënë se fansat nuk duhej t’i besonin më Gaz Bardhit.

***

Por koha e mesazheve të koduara duket se ka mbaruar. Përshkallëzimi i fundit ndodhi dje, kur një dron misterioz sulmoi urën strategjike që lidh selinë e SHQUP-it me Gaz Bardhin. Sulmi shënjestroi pikërisht Gazin, që ishte duke kaluar urën për të shkuar në SHQUP. Një tullumbace e mbushur me ujë shpërtheu mbi Gazin duke e bërë qull.

Edhe pse sulmi ishte simbolik, deklarata e PD-së së lirë nuk ishte e tillë. Reagimi i shtabit të Lulit thoshte se tani lufta do të shkojë në dyert e agresorit, dhe tullumbacja e Gazit do të pasohej nga të tjera. Madje Luli akuzoi Berishën se kishte bërë lobim në SHBA me para ruse.

Nga ana tjetër, PD-ja e lirë - që zgjedhjet e fundit parlamentare mori si opozitë mbi 700 mijë vota, ndërsa Basha u rizgjodh kryetar i një të tretës së partisë me 18 mijë vota – i ka shtuar kërkesat nga aleatëve perëndimorë, për shtim të furnizimeve me tullumbace, ujë pa gaz dhe fletëpalosje.

“U bëjmë thirrje aleatëve të na furnizojnë me mjetet që na nevojiten, sepse po bëjmë qëndresë jo vetëm për veten, por edhe për ta,” tha në një prononcim Basha, i veshur me bluzë militare ngjyrë ulliri dhe pantofla ushtarake me gisht jashtë. 

Nga ana e tij, SHQUP ka deklaruar se do të pezullojë marrëveshjen ushqimore në fuqi mes dy palëve, që parashikon furnizimin me byreqe të protestuesve pan-demokratë. Sipas SHQUP-it, “sulmi me ujë pa gaz ndaj Gazit, tregon se fraksioni Basha nuk është i sinqertë në paktet bilaterale. Ky individ që partia e mori nga hiçi dhe e bëri deputet e ministër, po çon dëm qëllimisht ujin e demokratëve. Ne nuk mund të vazhdojmë furnizimin me byreqe të demokratëve, duke e ditur që në këtë vapë të tmerrshme ata nuk kanë ujë dhe mund t’u ngecet brumi në fyt”. 

Nga ana e tij, edhe viktima Gaz Bardhi kishte diçka për të thënë.

“Me thënë të vërtetën,” tha Gazi, “ajo tullumbace me ujë ishte bekim nga qielli, se më freskoi goxha. Derisa hyra në SHQUP për të folur me doktorin, këmisha ishte tharë fare!”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike ukrainistike  

Video