DILEMA / Ministrja Frika Drifca studion hartën e vendeve të sigurta nga ekstradimi

25 Korrik 2023, 13:19Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ministrja Frika Drifca duke inspektuar lulendrydhet

TIRANË – Lajmi se ish-Tigri ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në 194 vende të botës, e rrënqethi ministren bujqësore-rurale Frika Drifca. Nuk ja kishte marrë mendje se ky planet i vogël kishte kaq shumë shtete. Ish-Tigrin e kishte pasur epror dhe ushqente respekt për të, se ja njihte historinë. Madje në fillimet e karrierës, I Gjati ua sillte gocave si shembull rastin e ish-Tigrit. Ja, si ai të bëheni, u thoshte, po pa barseta dhe lesh në këmbë, domethënë, të bëheni tigresha!

Frika e dinte historinë sesi se ish-felini tekniko-socialist, në kohën e opozitës i hyri kryetarit të gjatë socialist në zyrë dhe i tha: Qe baba, dua të më caktosh kandidat për deputet në Korçë dhe unë të garantoj fitoren. Dhe i la disa pako të bëshme mbi tavolinë. Disa thonë se ishin pako me oriz basmati, të tjerë se ishin kritharaq.

Por pavarësisht përmbajtjes të pakove, karriera e ish-Tigrit, që ishte ndërprerë pabesisht kur Tos Nano humbi zgjedhjet, rifilloi fuqishëm. Sa shumë kritharaq (apo basmati) çonte në parti, aq më lart ngrihej. Dhe fabula tigrore u bë legjendë mes teknicienëve të partisë, të cilët ndryshe nga gërxhot e vjetër politikë që kënaqeshin me një apartament apo makinë të re, u dëshmuan shumë më të shkathët, të përditësuar me teknologjinë dhe prurjet e reja të shkencës së zhvatjes. Madje shumica e tyre kishin instaluar një aplikacion të posaçëm në celular, të quajtur Steal, dhe çdo javë i jepnin komandën “Update Now”.

***

Edhe Frika Drifca eci në gjurmët e më të mirëve. Që kur e caktuan në krye të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor e Rural, bujqësia shqiptare ngriti krye. Plot 20 fermerë të dalluar, kushërinj, miq e krushq të qeverisë, merrnin vazhdimisht fonde për të ngritur sera luleshtrydhesh dhe lulendrydhesh. Aq shumë u shtua prodhimi, saqë shumica e shqiptarëve dilnin rrugëve me buzë e turinj të përlyer me të kuqe, se nuk kishin kohë t’i pastronin. Kishte plot fermerë të tjerë që ishin gati të kthenin mbrapsht gjysmën e grantit që merrnin, dhe gjysmën më të mirë ta mbanin për investime bujqësore në bankat e Qipros.

Frika e ndoqi besnikërisht parimin e pakove me basmati (ose kritharaq) në tavolinën e shefit, dhe siç thotë populli, “kush asht i zoti, mos i koft i zi moti”. Erdhi momenti dhe ajo u bë ministre. U tregua e palodhur. Vinte vërdallë nëpër Shqipëri dhe hidhte në fejsbuk video me fermat, serat dhe agrobizneset e lulëzuara të dhjetë personave, ndërkohë që gjithë pjesa tjetër e katundarëve, në pritje të granteve bujqësore, i kishte çuar djemtë për specializim në Angli, Gjermani e gjetkë.

***

Prandaj dhe lajmi se agjencia anti-korrupsion e BE-së, OLAF, do hetonte se ku kishin përfunduar fondet bujqësore në Shqipëri, e zuri Frika Drifcën pa mendje. Në fillim u shokua, pastaj u zemërua.

Ndryshe nga çdo rast i mëparshëm, I Gjati nuk po thoshte as gjysmë llafi për ta mbrojtur.

“Kjo është poshtërsi,” tha me vete, “kur doli puna e Sajmes, e mbrojti një vit rresht, Ter Kokën po ashtu. Gjushi është në burg, por ai nuk e ka lëshuar as sot e kësaj dite. Për tenderat e shëndetësisë para dhe pas pandemisë, para dhe pas Ilir Beqes, nuk flet më kush. Ndoshta atij i duket Manastirllesha si luleshtrydhe, por ato i kam mbjellur unë. Për Tigrin doli një vit resht në televizor duke treguar fotografi fushash me plehra të mbuluara me bar përsipër, ndërsa incineratorët ishin vetëm llamarina fasade”.

Por vendosi të reagojë publikisht. Shkroi një deklaratë të gjatë, kur thoshte se në raportin e OLAF nuk përmendej akund fjala korrupsion. Madje zgjodhi fjalë të komplikuara, që reagimi të dukej si punim shkencor.

“Është një stopim i përkohshëm fondesh, për të bërë një skanim të gjendjes dhe për të verifikuar destinacionin fundor të granteve. OLAF nuk përmend në asnjë moment fjalën korrupsion,” shkroi Frika.

Teknikisht, ajo kish të drejtë. Në tekstin e OLAF-it ku njoftohej ndalimi i financimit, kishte vetëm terma të rëndomtë teknikë si hajdute, xhepiste me damkë, zhvatëse e parave të taksapaguesve europianë, si ka mundësi që I Gjati rastësisht ka mbledhur gjithë kaçakët e fondeve publike rreth vetes, dhe personalisht nuk di asgjë, pastaj kur dalin horrllëqet, thotë se gjithsecili duhet të përgjigjet për veten e vet, etj etj.       

***      

Lidhur me këtë punën e globit dhe Interpolit, Frika Drifca vendosi të bëjë një studim të thelluar. Aty i rezultoi se bota kishte gjithsej 193 vende anëtare të Kombeve të Bashkuara, plus Tajvanin dhe Kosovën, si dhe dy vende me status vëzhguesi, Vatikanin dhe shtetin e Palestinës. Kosovën e hoqi nga lista se është shumë afër. As Dubai nuk i pëlqente se ai qytet ishte populluar ca si shumë me shqiptarë.

Si vende kandidate për t’u strehuar pa frikën e ekstradimit, mbetën Tajvani, Vatikani dhe Palestina. Duke studiuar identitetin e ri që mund të merrte, Frika seleksionoi emrin kinez Mei Gëk Mëk, dhe atë katolik Maria-Teresa Krifcone. Por në fund e vendosi: Do strehohej në Rripin e Gazës me emrin Aishe el-Xhambazi…

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro bagëti-e-bujqësia, anti-hajdutëria      

Video