TIRANË / ROSKOVEC / BILISHT – Kategoritë e margjinalizuara për të cilat bën fjalë ky reportazh, deri tani kanë heshtur, me shpresë se herët a vonë edhe ato do të marrin vlerësimin që meritojnë nga shoqëria shqiptare dhe autoritetet ligjzbatuese. Por duket se muaj e vitet kanë rrjedhur, ndërsa për ata nuk kujtohet kush.
Për të hedhur dritë mbi këtë histori, duhet nisur nga fillimi. Patronazhisti i kujton lexuesit se këtu e 20 vite, por sidomos këto vitet e fundit, import-eksporti i hashashit, heroinës, kokainës edhe tabletave të ndryshme psikedelike si ekstazia apo LSD, është rregulluar dhe formalizuar për të shmangur ngatërresat dhe gabimet në destinacionin fundor, gabime të cilat jo pak herë ka sjellë probleme mes palëve kontraktore. Për t’i zgjidhur këto mosmarrëveshje, qeveria shqiptare përveç ngritjes së Gjykatave Administrative, ka vendosur me ligj identifikimin e dërgesave duke vendosur mbi pakot e drogës emra futbollistësh të shquar, skuadra të famshme, marka botërore të mallrave të luksit etj.
Të gjithë i mbajnë mend episodet e këndshme me pakot e kokainës që mbanin sipër logon CR7, e cila siç dihet është simboli i futbollistit të famshëm Kristiano Ronaldo. Në raste të tjera logot identifikuese ishin PSG – Paris Saint Germaine - apo Inter, Real Madrid, Liverpul etj. Një moment krenarie të veçantë për vendin ishte rasti kur pakot kishin emrin e klubit të futbollit FK Elbasani. Ndërsa rasti më i freskët ishte publikimi në shtypin rozë, i pilulave ekstazi me logon Louis Vuitton.
Por kjo medalje e ndriçuar e suksesit ekonomik shqiptar, ka dhe anën e saj të errët…
***
Amarildo Vrima është futbollist me skuadrën e Roskovecit. 42-vjeçari nuk ushqen ëndrra të parealizueshme. Ai është me këmbë në tokë dhe e di se shanset që të firmosë ndonjë kontratë me ekipe të kategorisë superiore shqiptare, apo – ruajna zot – me ndonjë skuadër jashtë vendit, janë shumë të pakta.
“Nuk e di se sa do të ecë karriera ime në futboll,” thotë Amarildo për Patronazhistin, “por ëndrra ime është më e vogël. Do doja edhe unë të shihja emrin tim në ndonjë pako hashashi të presuar. Them hashash, sepse e di që kokaina është e paarritshme për një sportist province si unë”.
Për Amarildon, nuk ka rëndësi nëse dërgesa e drogës është e madhe, fjala vjen, një kamion plot me pako, apo thjesht një derë makine e modifikuar për të mbajtur pesë kile hashash.
“Thjesht dua të shoh edhe unë një herë emrin tim, ose të paktën inicialet, AV, mbi një pako. Ky diskriminim nuk më pëlqen. Gjithë bota flet për përparimet e Shqipërisë, turistët, ndërtimet e shumta. Por askush nuk flet për hendekun social që po krijohet”.
***
I artikuluar dhe me një fjalor të pasur për një futbollist, Amarildo Vrima nuk është i vetëm në këtë protestë qytetare. Patronazhisti takoi edhe rrobaqepësen Dallëndyshe Korbi nga Bilishti, e cila ndoqi me trishtim lajmin se emri i Louis Vuitton ishte stampuar mbi tabletat e ekstazisë të importuara së fundi nga Kosova. Madje ajo na kujton se më herët kishte hasur edhe emrat e Giorgio Armanit dhe Koko Shanelit mbi një dërgesë kokaine.
“Nuk e di ç’nevojë kanë këta miliarderë që reklamojnë markat e tyre edhe mbi pakot e drogës. Unë qorroj sytë dhe më mpihen gishtat gjithë ditën e perëndisë mbi makinën qepëse, për të kthyer palën e pantallonave apo qepur fustane për një copë bukë. Pse të mos kem dhe unë emrin mbi një qese heroine? Nëse u duket shumë i gjatë emri, le të stampojnë një vizatim dallëndysheje, s’kam kundërshtim,” thotë rrobaqepësja e margjinalizuar.
***
Pavarësisht se, ç’është e vërteta, tema që po trajtojmë nuk është nga më të mprehtat e shoqërisë shqiptare, problematika në fjalë ka vënë në lëvizje edhe organizmat ndërkombëtare në Tiranë. Mësojmë se javën e ardhshme, OSBE-ja do të organizojë një seri seminaresh dhe uorkshopesh në rrethe të ndryshme të vendit, me temë “Logot e drogës, jo ca të nënës dhe ca të njerkës”. Nga ana tjetër, janë miratuan rreth 300 mijë euro projekte pilot për organizatat e shoqërisë civile, të cilat do sensibilizojnë grosistët e kokainës për të zgjeruar gamën e stampave mbi pakot e drogës dhe për t’i bërë ato më gjithëpërfshirëse.
“Shpresojmë se këto nisma do të japin rezultat,” i thanë Patronazhistit zyrtarët e OSBE-së në Tiranë, “ne do ta ndjekim zbatimin e tyre deri në fund, për t’u siguruar se fondet do të shkojnë në destinacion. Do të ftojmë në trajnim dhe ata katunarët, Amarildon me Dallëndyshen”.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike import-eksport