TIRANË / VICIDOL / BEOGRAD – Xeni ndihet në formë këto ditë. Pas kaq shumë kohësh, edhe plaku sikur e sheh me një sy tjetër. Nuk i thonë shaka, kishte arritur që të merrte të njëjtin numër klikimesh dhe komentesh me Të Gjatin në rrjetet sociale, në kushte krejt të pabarabarta: Xeni me dy paragrafë tekst, ndërsa tjetri me një delirim dhe keqpërdorim të pajustifikuar gërmash, plot 198 centimetra artikull. Si duket, vetë fjala artikull e kishte nxitur të Gjatin të shkruante kaq gjatë: Se kuptimi origjinal i kësaj fjale, është Arti i Kullës.
A e pe bab, i tha të atit, Edi shkruan shtatëdhjetë faqe shkrim, ndërsa unë e gozhdoj me dhjetë rradhë.
Saliut nuk i erdhi mirë për këtë notë familjariteti me armikun e madh. Duket se e shprehu në mimikë mospëlqimin, se Zeni nxitoi të shpjegohet me një teori që e kishte bluar prej kohësh:
“Bab, nuk është mirë të vazhdojmë ta quajmë Edvin Kristaq Rama, se do na akuzojnë për mungesë fantazie. Po t’i drejtohemi me Edi, e çmitizojmë, e dekonstruktojmë siç do thoshte Tos Lubonja. Pastaj është dhe çështje reciprociteti. Ai të drejtohet me Sali, ti me Edi. S’kemi nevojë ta shajmë, se ne kemi forcën e argumentit, kemi të drejtën me vete!”
Saliut i pëlqeu progresi i evlatit. Iu duk më i pjekur. Deri vonë e kishte quajtur belanë e shtëpisë. Vajza i doli artiste, ndërsa ky i vogli e kishte detyruar t’u hynte kaq shumë meseleve për ta shpëtuar atë dhe veten, saqë e kishte marrë inat. Deri aty sa kur gjysma e botës nisi ta quante sypeshkaqen, ky privatisht i thoshte kokëqefull.
Por me stilin sesi e menaxhoi këtë historinë e kullës te ish-gropa e lulishtuar e Hajdin Sejdisë, vendosi se duhej t’i jepte Xenit atë që i takonte Xenit. Ama edhe këtu Edi doli më i shkathët. Ai ja dha Xenit më shpejt se Saliu atë që i takonte.
***
Xeni çuditej me naivitetin e vulgut lidhur me çështjen e kullës së madhe, me një emër që sfidonte edhe vetë Dajtin: Mali i Tiranës. Gjithë dynjaja ishte alarmuar pse do prishej lulishtja.
“Nuk e kuptoj,” po u shpjegonte një ditë qefujve deputetë, mbështetës të të atit, “sa kohë ishte gropë 30 metra e thellë, askush nuk e vuri ujët në zjarr për atë zonë. Të gjithëve u dukej normale. Kur u vendos të mbushej me baltë dhe të rikthehej në lulishte, prapë u prit me indiferencë. Këta derra përfundimisht nuk e duan zhvillimin, u pëlqen prapambetja.”
“Ashtu është, shef,” e mbështeti një deputete relativisht e re, e cila fillimisht kishte dashur të bënte karrierë me Edin, por jeta ja solli punët pak ters dhe përfundoi nga krahu tjetër, “kanë hala mall për Tiranën e tymit dhe pluhurit, kioskave buzë Lanës dhe rrumpallës së paligjshmërisë dhe tokës së xanun…” por një shkelm i lezetshëm në kërcirin e këmbës së djathtë ja ndërpreu ligjëratën. E kishte goditur Muli, si për t’i kujtuar se kioskat buzë Lanës dhe bëmat e tjera të xanuna ishin pjesë nga fjalimet e Edit, por nuk ishin bërë nga Edi.
Xeni e kuptoi gafën e kukumjaçkës, por nuk u merakos shumë. Kishte ndodhur dhe herë të tjera. Bile e vështroi Mulin me ton qortues, “boll se e sakatove të shkretën, pa dashje e bëri”.
***
Një tjetër rezervë që Xeni kishte për kullën, kishte të bënte me emrin që kishte vënë si ndërtues. Për një ndërtesë që ishte bërë legjendare ende pa nisur, objekti më i lartë i kryeqytetit, mbiemri Shtufi nuk parathoshte asgjë të mirë.
Ja tha edhe të atit: “Shtufi është material i dobët dhe nuk bën për ndërtim. Madje po u ngop me ujë pas një javë shirash, ai kthehet në argjilë. Nuk gjete ndonjë ndërtues me mbiemrin Graniti, ose të paktën Mermeri?” Por Saliu ja preu shkurt: “Jo jo, më mirë kështu. Le të kujtojnë se jemi të dobët!” Dhe përdori një batutë nga filmi i mikut të tij karikaturexhi, Bujar Kapexhi: “Shahisti le të lexojë anekdota shahu, lojrat tona do jenë shumë serioze!”
Afërmendsh, Xeni nuk kuptoi asgjë. Shumica e filmave që ai kishte parë nga realizmi socialist, ishin filma jugosllavë me partizanë të Titos që ndukeshin me shoqet partizane nëpër mullarët e fshatarëve të Bosnjës. Ja vinte gjyshja t’i shikonte me detyrim, se kishte frikë mos nipi e harronte fare serbishten.
***
I frymëzuar nga suksesi i tij si editorialist, (iu duk vetja si mbreti gagaç i Anglisë që mbajti një fjalim të gjatë në radio kundër Hitlerit, duke mposhtur difektin e vet), Xeni vendosi të shkruajë diçka më të fuqishme, më të thellë dhe më sqaruese. Një mendje i thoshte ta niste me tregtinë e tij të boronicave, që siç dihej, është shumë fitimprurëse. Kishte gjetur dhe sloganin: Më mirë boronicat e malësisë, sesa bananet e kontejnerëve të qeverisë!
Po pastaj u kujtua se me bananet merreshin edhe ca shokë të tij. Ndaj vendosi të fliste teknikisht.
Nisi të shkruajë, duke huazuar pak nga fjalori i shokut të tij të ri, Edit:
“Mullari i baltës që disa fytyra të vrerosura po hedhin mbi personin tim dhe pronësinë time të supozuar mbi një projekt që do ja ndryshojë faqen dhe vijën e horizontit Tiranës sonë të dashur, duhet të marrë fund. Faktet janë këto: Trualli ku do ndërtohet është privat, dhe ne prandaj i rrëzuam bustet e diktatorit, që privati të zhvillojë pronën. Dihet se i zoti i tokës merr 35-40 përqind të vlerës së ndërtimit. Këto janë ligjet e tregut. Një tjetër ligj thotë se ata që nxjerrin lejen marrin 20 përqind, se kanë fëmijë për të rritur. Ja u bë 60%. Pjesa tjetër janë blerje materialesh, makineri, hak pune, rroga, energji elektrike etj. Ja po i zëmë 30 përqind. Atëherë, çfarë i ngelet ndërtuesit Shtufi? Siç e shohim, ai punon vetëm për 10%. Ai qoftë që i hyn kësaj aventure!” dhe bashkë me artikullin vendosi të vërë atë foto-portretin e rinisë që e nxjerr pak si fakir dhe pak si qefull.
“Ja,” tha me vete, “kështu dukem si çun për shpi”, dhe shtypi enter.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike anti-gropë e anti-kullë