
DASHI – Frida Krifca do të hyjë në jetën tënde këtë muaj, duke të njoftuar se je përfitues i fondit të AZHBR-së për fermerët e dalluar. Kështu, më në fund ke gjetur paratë për të ndërtuar vilën tënde në bregdet, me kusht që të jesh analist i shquar mediatik.
DEMI – Ëndrra juaj në sirtar që Lulzim Basha të bëhet një lider i vërtetë me rekord klikimesh në rrjet, do të bëhet realitet. Sepse, nëse nuk e ke marrë vesh, po të japim sihariqin se Luli së shpejti do të hyjë në reality-n e famshëm Love Island.
BINJAKËT – Siç thotë edhe Bibla, jepi Edi Ramës atë që i takon Edi Ramës. Domethënë, ti thjesht jepi votën, se pastaj ai ta kthen shumëfish me sterilizimet, inceneratorët, kullat dhe deputetët e ministrat në kërkim ndërkombëtar.
GAFORRJA – Mësohu ta shohësh gotën gjysmë plot. Nuk e di sesi? Merr shembull nga Bella Ballukja, e cila e ngriti në qiell turizmin shqiptar duke treguar fotografi rrugësh të bllokuara nga trafiku turistik, dhe harroi se ishte (ndër të tjera) ministrja e rrugëve.
LUANI – Je supersticioz dhe të ka zënë frika se do të të ndjekë pas një muaj plot fatkeqësi, ngaqë papritur ta ndërpreu rrugën Sali Berisha? Mos u mërzit, se tersi nuk është destinuar për ty. Në vendin tënd e pësoi një mace e zezë, të cilës njësoj si ty, një ditë ja preu rrugën Doktori dhe të nesërmen e shtypi makina e Zenit.
VIRGJËRESHA – Yjet parashikojnë që memoria juaj e mbushur plot e përplot me reportazhet e Lali Erit nga puna në terren, të fillojë të zbrazet pak e nga pak. Do të të marrë malli për Lalin, se po e konkurrojnë vizitat e Taulant Ballës në çdo repart kufitar e pikë doganore të vendit.
PESHORJA – E ke në dorë vetë. Nuk kishe pse shkoje në Ksamil në gusht, për të paguar 30 euro në ditë shezlongun e rreshtit të fundit. Tani që hyri shtatori, merr masa të prenotosh një çadër buzë ujit të kristaltë për festat e nëntorit, dhe do shohësh sa ke për të kursyer.
AKREPI – Për fat të keq, do të trishtohesh shumë kur të marrësh vesh në lajme për një tragjedi të rëndë që ka ndodhur me një princ nigerian. Dhe të mendosh se mund ta ndihmoje kollaj, kur të erdhi një email që të kërkonte hapjen e një llogarie me dymijë euro, për të ndarë me të pasurinë e trashëguar nga i ati.
SHIGJETARI – Kthimi në punë në shtator është gjithnjë i vështirë. Por si ministër dhe/ose deputet i kësaj qeverie që je, mendo pozitivisht: Shokët e tu jo vetëm që janë pa punë, por ca i kërkon policia e gjysmës së botës, e ca të tjerë luajnë tavëll në burg.
BRICJAPI – Këtë muaj do të marrin përgjigje të gjitha pyetjet e tua, si për shembull: Kush është ky që të fik dritat në 10 të mbrëmjes; pse ta mbyllin derën e dhomës me shul nga jashtë; pse të nxjerrin me orar fiks çdo ditë në një oborr të rrethuar me tela gjembaçë për të luajtur kalçeto; dhe sidomos, pse nuk ta lejojnë celularin në dhomë?
UJORI – Këtë muaj do mallkosh urtësinë popullore dhe proverbat e leshit, që do të të marrin më qafë. Por fajin do ta kesh vetë. Vërtet të lashtët kanë thënë se nuk bie rrufeja në hale, po ku ta dinin ata se ti do shkoje në halen e grataçelës më të lartë në Tiranë?
PESHQIT – Erdhi dita që falenderosh sistemin komunist dhe filmat e Kinostudios. Sepse do fillosh punë në Gjermani, me gjermanishte të mësuar nga filmat me partizanë. Do të të mjaftojnë shprehje si: Fojer, komunist niks gefunden, dhe sidomos, aaa gut gut, koran gut…
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike horoskopike shkencore