
TIRANË – Duke respektuar traditën e bukur të nxjerrjes së përgjegjësive menjëherë pas një humbjeje elektorale, opozita e bashkuar shqiptare u mblodh në Tiranë për të gjetur fajtorët e dështimit në zgjedhjet e pjesshme lokale për bashkinë e Kukësit.
Pjesëmarrësit që morën fjalën, dhanë arsye nga më të larmishmet për këtë goditje që mori opozita, aq më tepër që pas skandalit seksual të kryetarit të arrestuar socialist Safet Gjici, pritej që votuesit e neveritur kuksianë ta mbanin frymën të gjithë siç ishin, në zyrat e PD-së lokale dhe partive të tjera të koalicionit.
Kështu, një arsyetim shumë interesant dha deputeti kuksian Nul Moka. Sipas tij, ndoshta opozita u nxitua që hodhi në qarkullim videon seksuale të ish kryetarit të shkarkuar.
“Unë mendoj se duhet të kishim xhiruar disa video dhe jo vetëm një. Të themi të drejtën, se çfarë bëhej aty pas tavolinës me atë gocën nuk dukej dhe aq qartë. Besoj se po të kishim një serial videosh, me stile e pozicione të ndryshme, me disa kamera dhe me një regji më profesionale, ku seksi të kryhej jo thjesht pas tavolinës së kryetarit, por në të gjitha kolltuqet, divanet dhe mobiljet e zyrës, atëherë fitorja do të ishte e garantuar,” deklaroi Nuli duke marrë aprovimin entuziast të të pranishmëve.
***
Por megjithë miratimin e sallës dhe këndelljen e dukshme të anëtarëve të opozitës nga përshkrimet gjithë ngjyra të Nulit, Doktorit nuk i pëlqeu arsyetimi.
“Jo zoti Nul, nuk besoj se është kjo arsyeja,” tha Doktori, “ne vërtet e kemi gjithë logjistikën e duhur për të bërë filmime profesionale, se kemi stafet e televizionit të tim biri dhe vërtet mund të nxirrnim një produksion të denjë, por fajtorët duhet t’i kërkojmë gjetkë”.
Sipas Doktorit, dobësitë duheshin kërkuar tek mungesa e angazhimit të disa aleatëve. Kështu, sipas tij, edhe pse e djathta u mobilizua fort për të mbrojtur dhe mbështetur Frederik Bejlerin e PBDNJ-së në Himarë, kryetari Dule nuk shfaqi të njëjtin përkushtim për Kukësin.
“Ja, unë pyes: Sa u mobilizua për këto zgjedhje dega lokale e PBDNJ-së për Kukësin, Hasin dhe Krumën?”, deklaroi Doktori, “sa vota morëm nga minoritarët grekë të Shishtavecit? Pse Omonia e verilindjes ishte kaq e mefshtë? Kjo është çështja”.
Përpjekjet e Dule ziut për të sqaruar se Kukësi nuk ka edhe aq shumë minoritarë grekë sa do donte ai, ishin të kota. Salla iu kundërvu duke i thënë se nëse PBDNJ ka kaq pak mbështetje në Kukës, faji është i tij, ndaj nuk duhej të nxirrte justifikime të kota.
***
Një tjetër hallkë të dobët të zinxhirit opozitar në Kukës, Doktori evidentoi tek demokristianët e Nard Ndokës. “Vota demokristiane në këtë zonë gjithmonë ka çaluar,” tha Doktori, “ndaj le të ngrihet zoti Ndoka dhe të japë llogari”.
I djersitur nga sikleti, Nardi sqaroi se Kukësi nuk shquhet për popullsi katolike, që janë edhe baza e partisë së tij.
“Nga sa kam vënë re unë Doktor,” tha Nardi me zërin që i dridhej, “kuksianët janë në masë myslimanë. Edhe ndonjë që ka ndërruar fe, është bërë Dhimitraq dhe Kiço. Shumica janë bërë Xhejms dhe Sjtuart. Asnjë kuksian për be nuk është bërë Paulin, Françesk, Bep, Njac apo Shtjefën. Kjo ka qenë dhe dobësia jonë si parti…”.
Pas autokritikës së Ndokës, Doktori iu drejtua Gon Dukës. “Pa ngrihuni ju zoti Duka. Si ka mundësi që ju merrni vota me thasë në Durrës e Shijak, por Kukësin e keni neglizhuar fare?”
Gonia nxorri laps e letër, dhe shpjegoi se fabrikat e tij në Durrës e Shijak kanë kaq punëtorë; këta të fundit kaq kaq familjarë e farefis, dhe ata së bashku bëjnë kaq vota. “Ndërsa në Kukës unë s’kam jo fabrikë, por asnjë kioskë, zoti Doktor. Pastaj unë paketoj oriz, sheqer e fasule, ndërsa Kukësi bën vetëm patate…”
Doktori e mirëkuptoi Gonen. Ai e siguroi se sapo të mbarojnë ndërtimin e kullës pas pallatit të Kulturës në Tiranë, do interesohet që Partia Agrare e tij që hapë një fabrikë ambientaliste patatinash në Kukës.
“Kështu do kesh edhe ti votat e tua,” deklaroi Doktori.
***
Në fund, mbledhja e opozitës nxorri konkluzionet e duhura dhe doli me deklaratën e përbashkët se herës tjetër do dalin më mirë në Kukës. Megjithatë, Nul Mokës nuk i dilte e keqja.
“Sikur ta shihnim njëherë edhe atë punën e videove të seksit, Doktor…”, iu lut ai, “se kanë shumë potencial”.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike post-zgjedhore