
NJU JORK – Ajo që shumë vite më parë ishte pritur me skepticizëm brenda Partisë Socialiste, kabinetit të parë qeverisës dhe madje mes vetë bashkëpunëtorëve më të ngushtë të kryeministrit Edi Rama, tashmë është kompletuar me sukses: Krejt rruzulli tokësor e ka mësuar nga burime zyrtare të papërgënjeshtrueshme, se Edi Rama është i gjatë.
Njoftimi solemn u bë nga vetë autori i kësaj arritjeje madhështore për kombin shqiptar, kryeministri Rama, në mes të selisë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, duke shënuar kështu hapjen e një epoke të re progresi dhe përparimi për Shqipërinë, pas suksesit të sezonit turistik të verës 2023.
***
Unë jam shumë i gjatë, por megjithatë jam i vogël përballë problemeve të shumta të globit, tha me modesti Rama përpara liderëve globalë, “prandaj kërkoj bashkëpunimin tuaj për t’i zgjidhur ato”. Në vijim, kryeministri shqiptar u sugjeroi kryetarëve nervozë të shteteve të 197 anëtarëve të OKB-së, se do ishte mirë të pranonin bashkëpunimin, “në të kundërt, do e pësoni si ca ish-bashkëpunëtorë të mi edepsyza që tani po i kërkon Interpoli”.
Kjo deklaratë ishte kulmi triumfues i një rrugëtimi të gjatë të Edi Ramës në deklarimin e gjatësisë së tij. Biografët e tij shënojnë se gjatësia e Ramës si armë diplomatike dhe si as nën mëngë në çdo debat familjar e shoqëror, ka filluar të përdo’ret që në sherret e vogla fëminore me të vëllanë. Edhe pse të dy u angazhuan në basketboll, ishte Edi ai që i imponohej vëllait më të madh, duke ja bërë të qartë se ishte pak më i gjatë.
Më tej do të vinte një periudhë e ngjeshur ndryshimesh politike që e gjetën Ramën të përgatitur për t’i njoftuar habitatit shoqëror dhe gjithë vendit se ai ishte i gjatë. Është botërisht i njohur pohimi i Ramës se atë nuk e pranuan në fillim të viteve 90-të në Partisë Demokratike, sepse Sali Berisha nuk donte në kryesinë e PD-së dikë më të gjatë se ai. Po ashtu, Edi ishte ankuar shpesh gjatë viteve ‘90-të se as socialistët nuk e donin, pasi kryetari Fatos Nano i kishte zgjedhur të gjithë pinxho si vetja, 1.60 të gjatë me tendencë rrumbullakosjeje të vazhdueshme.
Ishte një moment sinqeriteti i Nanos, i cili pranoi se PS-së i duhej një ministër i gjatë për të parë më larg, që e futi Ramën në politikën e Tiranës. Nisi kësisoj një karrierë deklaratash gjatësie, që vazhdon suksesshëm sot e kësaj dite.
***
Rama nuk humbi rast pa siguruar votuesit dhe bashkëpunëtorët se ishte i gjatë, qoftë si ministër Kulture, apo kryetar i bashkisë së Tiranës. Ndërkaq në vitet e gjata të opozitës politike si kryetar i PS-së, ai ua bëri të qartë disa herë kolegëve në Internacionalen Socialiste se nuk kishin të bënin me një lider të shkurtër; përkundrazi.
Por do ishin fillesat e misionit si kryeministër i qeverisë shqiptare, ato që do shënonin një stad cilësor në deklarimet gjatësore të Ramës. Në takimin historik të Beogradit me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, Rama ua plasi serbëve në fytyrë, se megjithëse ata kishin një president të gjatë, ai ishte 1 centimetër e gjysmë më i gjatë.
“Ja, le të matemi. Sandër, afroje pak supin të shohin këta se kush është më i gjatë!” e urdhëroi Rama kolegun, që u afrua i turpëruar, pasi e dinte që nuk ja dilte dot mikut.
Shpalljet solemne nuk u ndalën këtu. Në çdo mbledhje të liderëve të Ballkanit Perëndimor, por edhe në takime dypalëshe, ai i informonte në mirëbesim bashkëbiseduesit se ishte goxha i gjatë.
Kështu e pësuan kancelarja Merkel, kryeministri Renzi, Presidenti Makron, Presidenti Tramp etj etj. Arma diplomatike që e kthente gjatësinë e kryetarit të qeverisë së një vendi, në një sukses të padiskutueshëm për vetë vendin, po përdorej në perfeksion për herë të parë në historinë moderne.
***
Megjithatë, çdo avantazh ka dhe efektet e veta anësore. Gjatësia e udhëheqësit të tyre, kishte filluar të krijonte komplekse inferioriteti tek votuesit e thjeshtë. Nga viti 2016 e në vazhdim, u vërejt një valë masive eksodi e popullatës së arsimuar dhe asaj në moshë të re shqiptare. Pavarësisht se zyrtarisht u thanë lloj-lloj broçkullash – se gjasme po iknin për një jetë më të mirë në Europë, se vendi ishte në darën e korrupsionit dhe asfiksimit të biznesit, se krimi kishte hyrë në parlament dhe qeveri – e vërteta ishte krejt tjetër.
Pasi mbërrinin në Gjermani, Francë, Britani etj, shqiptarë e larguar e pranonin hapur: Ishim mirë e bukur në Shqipëri, por nuk mund të rrinim më me Ramën, është shumë i gjatë shejtani!
P.S. Mësohet se Këshilli i Sigurimit të OKB-së është vënë në lëvizje pas konstatimit të gjatësisë së Edi Ramës. Mes sanksioneve që mund t’i vendosen Shqipërisë, parashikohen këpucë speciale me taka të sheshta për Edi Ramën, si dhe këpucë me ekstra takë për liderët e rëndomtë botërorë.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike shtat-mesatare