TIRANË / FUSHË KRUJË – Me njëmijë e një vështirësi, drejtësia e re po ngre krye dhe pak nga pak po e vendos të drejtën në vend. Fakti më i freskët që haka po shkon tek më i zoti, ka ndodhur ditët e fundit, kur një raport dinjitoz dhe profesional mjeko-ligjor konstatoi me ftohtësi dhe paanësi që e ashtuquajtura dhunë barbare e fisit Rraja kundër dy vëllezërve të fisit Maja në Fushë Krujë, ishte një ekzagjerim qesharak i shtypit që rend pas sensacioneve, por edhe i opozitës që nuk sheh derexhenë ku është katandisur, por merret me hallet e të tjerëve.
Kështu drita e fuqishme e drejtësisë është hedhur mbi këtë çështje nga raporti mjeko-ligjor i specialistit Malton Jarani, që konstaton se sherri hipotetik Rraja-Maja ishte në fakt një luftë normale me jastëqe, një nga ato lojrat tradicionale kaq popullore në zonën e Fushë Krujës dhe Krujës.
***
Ja çfarë thonë disa pjesë nga raporti i zotit Jarani:
“Referuar kartelës ditore të Spitalit të Lojrave Popullore Tiranë, rezulton se në trupin e shtetasit Bilbil Maja u konstatua prania e disa puplave të patës nga pjesa e qafës së shpendit, të cilat në raste të përqendrimit të madh mund të shkaktojë teshtima tek personi i prekur, të cilat shoqërohen me reagimin ‘shëndet vlla, qenke ftof sot’. Këto pupla dëshmojnë qartë se i dëmtuari është goditur në mënyrë të përsëritur me një ose disa jastëkë të mbushur me pupla patash të pafajshme”.
Raporti saktëson se këto dëmtime kanë qenë tejet të rrezikshme për jetën e patave të përfshira, fati i të cilave mbetet i paqartë për shkak se kanë kaluar të paktën tre vjet nga mbushja e jastëqeve.
Ndërkaq, lidhur me dëmtimet e pësuara nga shtetasi Jashar Maja, raporti i ekspertit Jarani thotë:
“Pas goditjeve me jastëqe puplore në faqen e djathtë, ky shtetas duhej të kishte kthyer dhe faqen e majtë, siç sugjeron edhe manuali i luftës me jastëqe. Por në mënyrë kryeneçe, shtetasi Jashar nuk e respektoi rregulloren. Po të isha unë, jastëkun do ta kisha mbushur jo me pupla, por me tulla, sepse këta tipa kështu e meritojnë”.
***
Në vijim, mjeku ligjor Malton Jarani arsyeton se siç kanë rrjedhur ngjarjet, në këtë lojë të pafajshme fisi Rraja është viktima e vërtetë. Sipas ekspertit, “dhjetë jastëqe me pupla kushtojnë të paktën 30 euro copa, dhe çuarja dëm e 300 eurove për të argëtuar dy vëllezër të pafytyrë, plus kostot e karburantit të makinave për të shkuar deri tek lokali i tyre, është një harxhim i kotë”.
Në konkluzionet e raportit, eksperti sqaron se të dhjetë anëtarët e fisi Rraja kanë këputur mish nga goditja pasionante me jastëqe ndaj të pafytyrëve Maja, ndaj ata duhet të dëmshpërblehen.
I pyetur nga Patronazhisti nëse u qëndron këtyre konstatimeve, Jarani tha se do të përgjigjej në një moment të dytë ose të tretë, pasi ishte duke konsumuar një drekë me mish pate.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro lojrave popullore si kala-dibrançja në sistemin e drejtësisë