FITORJA NDAJ ÇEKISË / Udhëheqja shqiptare tregohet modeste për suksesin: Edhe lojtarët kanë meritat e tyre…

14 Tetor 2023, 22:20Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Disa nga protagonistët e fitores

TIRANË – Edhe pse dikush do kishte uruar me zemërligësi që në stadiumin Air Albania të kishte plot mungesa, të gjithë emrat që vlejnë dhe që i kanë dhënë kaq shumë kombëtares sonë, ishin të pranishëm në enjten e 12 tetorit. Vetëm të qenit bashkë dhe kapërcimi i problematikave momentale bëri që Shqipëria të fitojë 3 me 0 kundër kombëtares çeke.

***

Kështu, në një shfaqje të pashoqe uniteti, në tribunën VIP të ish-Qemal Stafës ishin bashkë Presidenti Barjam Begu, strateg i mbrojtjes dhe ish gjeneral mjekësor; Edi pikturisti, që si lojtar rezervë i basketbollit të Dinamos ka luajtur gjithmonë në sulm, dhe po gjithmonë ka dalë nga fusha para kohe për faulla personalë. Në formacionin bazë të Shqipërisë nuk mund të mungonte as Taullau Bau, ministër i Përmbrendshëm dhe përgjegjës politik për Fierin dhe Roskovecin; ministrja e rilindur nga hiri Manastirlije Arsimorja, që deri dje ishte Ogerta Shëndetësorja dhe që ka merituar respektin e të gjithëve, sepse paçka se kishte bërë namin me tenderat e Pandemisë dhe shumëkush e priste në dyert e SPAK-ut, ajo si një maçok i vërtetë (dhe jo si ish-Tigri që na doli kotele) ra përsëri me këmbë. Nuk mund të lihet pa përmendur ministrja më kyçe e kabinetit, Dëbora Muzhaqja, e cila kishte stampuar edhe një bluzë të kombëtares me mbiemrin e vet pas, që mos ta ngatërronin.

Ajo që duhet shënuar, është se edhe anëtarët e tribunës vip nga hapësira mbarëshqiptare dhanë një kontribut të çmuar. Media sportive veçoi sulmuesin e krahut të majtë Albin Kurthi, që shoqërohej nga zv.kryeministrja e Tiranës Bella Balluku, si një masa paraprake sigurie pas një sherri me Ed Pikturistin teksa ishin duke u veshur në dhomat e zhveshjes ca kohë më parë.

Gjithashtu pjesë e formacionit ishte edhe Fevzua, si dhe një listë e gjatë kukumjaçkash patriotike prej silikoni, që disa reporterë të guximshëm patën kurajon t’i quanin gazetare; ose këngëtare; ose prezantuese.

Në fakt, në prag të ndeshjes u diskutua shumë efekti që do ketë mungesa e cashumë emrave kyçë në stadium. Kështu, Luis Ëngjëlli nga Malësia e Madhe – që i tha ‘tutje’ fukarallëkut pasi hante e flinte në televizor tre muaj rresht – nuk arriti të ishte pranishëm, siç e njoftoi edhe vetë publikisht. Nuk dihet as fati i Edi Palosjes, biletën e të cilit me shumë gjasë e kishte marrë Zahua. Por megjithatë, boshllëkun e mungesës së një pjese të mirë të njerëzve të Doktorit, - shumë prej tyre të dëmtuar nga ndeshjet e fundit me Lul Alibashën - e kishin mbushur më së miri kryebashkiakët socialistë, që ishin në masë të madhe në tribunën vip.  

***

Pas fitores kundër Çekisë, vërshuan nga gjithë bota urimet për rezultatin spektakolar 3 me 0 dhe pothuajse kualifikimin për në Europianin Gjermani 2024. U ça nga mesazhet celulari i Edit, faksi i Barjamit, teletajpi i Taullaut dhe pullumbat e Manastirlijes. Dhe vipat u detyruan t’u kthenin përgjigje liderëve botërore dashamirës.

Por çuditërisht, në kundërshtim me rrëmbimin shqiptar në raste entuziaste, anëtarët e tribunës vip u treguan me këmbë në tokë. Përshirë këtu edhe femrat, që në këto raste s’para i ulin.

Për Barjamin, fitorja ishte produkt i punës në skuadër, por asgjë nuk ka mbaruar, pasi Shqipërisë i duhen edhe dy pikë.

Ed Pikturisti i pranoi me zemërgjerësinë tipike urimet e fitores, por vuri në dukje se në këto raste, një modesti vlen sa njëqind krenari. “Ja, shifni mua,” tha ai.

Taullau deklaroi se do preferonte më mirë një barazim, në këmbim të njëmijë turistëve italianë që vijnë për ‘turismo stomatologo’ në Shqipëri.

Dhe ç’është më e çuditshmja, të gjithë të sipërshënuarit ranë dakord se për këtë sukses, kanë njëfarë kontributi edhe lojtarët e kombëtares së futbollit. “Edhe ata kanë pjesën e tyre në këtë fitore”, thanë vipat.

Dhe hataja më e madhe, erdhi andej nga nuk pritej. Si një qershi mbi tortë, Kreu i Federatës së Futbollit, Mand Duka, deklaroi se nga shuma 4.5 milionë euro e caktuar për këtë fitore, një pjesë do t’u shpërndahet edhe futbollistëve dhe stafit të kombëtares!

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike që do dëshironte të mos shihte asnjë ofiqar në detyrë në tribunat vip; biletat e tyre le t’ua japin një grupi nxënësish, grash, invalidësh…

Video