MEDIA/ Pasi fshin katër ‘investigime’, palo gazetares nuk i skuqet faqja

9 Tetor 2023, 17:46Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Gazetarja Briselda Llumi duke fshirë artikujt 'investigativë'

TIRANË - Sipas burimeve të sigurta, analistja online Briselda Llumi, 27 vjeçe, çuditërisht nuk ndihet e turpëruar nga fakti që sapo ka fshirë katër me nder jush, artikuj investigativë nga faqja e vet online. Ajo është gjithashtu e vetëquajtur “eksperte e kulturës pop”. Llumi, që harxhon 10 orë çdo ditë duke lexuar nëpër sajte interneti lart e poshtë botës të rejat e fundit nga bota e spektaklit, muzikës e kinemasë, dhe pastaj i komenton veprimtaritë e vipave në sajtin e saj, nuk dëshmon asnjë shenjë vetëurrejtje apo auto-poshtërimi për mënyrën sesi i harxhon vitet më të mira të jetës, e aq më pak t’i jetë shpifur vetja për këtë arsye.

Nga ana tjetër, Llumi hedh në websajtin e vet zbulime skandalistike për abuzime me tenderat dhe pronat të zyrtarëve të ndryshëm, por edhe biznesmenëve që punojnë me paranë publike, për t’i fshirë më vonë, pas disa kafeve dhe bisedimeve konstruktive me të akuzuarit.

Por ajo pranon se pavarësisht se investigimet e fshira janë ato që ndihmojnë financiarisht median e saj të pavarur, pasioni i saj i vërtetë është shoubizi.  

“Konkretisht, mua më pëlqen të ndjek të rejat e fundit të kulturës pop dhe t’i komentoj ato me një zë të freskët, të zhdërvjellët në gazetarinë online”, thotë Llumi, që sipas të dhënave tona, ende ka guximin ta shohë veten në pasqyrë çdo ditë. Vetëm këtë javë, ajo pohon pa iu dridhur qerpiku se ka trajtuar me kurajo divorcin e dy çifteve të famshme hollivudiane, ka ngritur pikëpyetje mbi gjoksin e tre vajzave pjesëmarrëse në emisionin e famshëm Për’thithen, dhe ka shkruar një koment mbi punën më të fundit të aktorit francez Zhan Reno.

“Zhani nuk po sjell më diçka të re në rolet e tij. Ndoshta ka ardhur koha që ai të tërhiqet”, ka shkruar 27-vjeçarja, pa pikën e turpit që siguron bukën e gojës duke sharë njerëz të talentuar që as i ka takuar, e as ka për t’i takuar ndonjëherë në jetën e saj mizerabël.

Llumi, vajza e vetme e pronarit të një kafeneje në Kombinat dhe e një edukatoreje kopshti në pension, ndoqi për dy vjet fakultetin e gazetarisë në Tiranë, pastaj u hodh në atë që e quan “botën e gazetarisë freelance”, çka në fakt është marrja e dynjasë nëpër gojë gjithë ditën e perëndisë.

“Kush është ky Kuentin Tarantino, mor zotëri, që kërkon vëmendjen e gjithë mediave mbi të?”, komentoi pa iu skuqur faqja në blogun e vet, vajza që tërë jetën e vet profesionale e ka shpenzuar para një kompjuteri, pa takuar e pa njohur asnjë nga personazhet vendase e të huaja që përmend në shkrimet e saj.

“Së fundi”, thotë sharlatania që nuk i dridhet qerpiku, “jam duke përgatitur artikullin “10 gjërat që urrej në festivalet shqiptare të këngës”. Kuptohet, ndyrësira që e quan veten gazetare nuk përmendi që u ka kërkuar para disa këngëtarëve që të mos i shajë në artikullin e vet. 

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike për një gazetari online të shëndetshme

Video