ZGJIDHJA / Merr fund kaosi, SPAK vendos kalendar të rreptë për nxjerrjen e videove të nxehta

2 Tetor 2023, 18:04Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ekspertë të SPAK duke debatuar për videot

TIRANË – Ishte një shfaqje e shëmtuar për sistemin e ri të drejtësisë ajo e javës së kaluar, kur lajmi për ekzistencën e disa videove të nxehta që kishin dalë nga celularë kriminelësh të sekuestruara nga SPAK, nuk u shoqërua, ashtu si në gjithë botën demokratike, me daljen e vetë videove.

Për më tepër, amullinë e krijuar e shtuan akoma më shumë disa lajme të tjera, sikur videot nuk kishin dalë nga Prokuroria e Posaçme Anti-korrupsion, por nga prokurorë katundarë të rretheve; sikur ato nuk përmbanin femrat më të njohura të spektaklit, por femra të tjera, më pak ose aspak të njohura; sikur pagesat që kishin bërë për to çunat e Dubait ishin të fryra artificialisht, për efekt taksash e pastrimi parash, etj.

*** 

Çështja u bë mediatike dhe shqetësoi edhe partnerët e huaj. Dukej se dalja e lajmit të videove nuk ishte bashkërenduar me gazetarët e kronikës, të cilët në vend që të hidhnin dritë mbi situatën, i binin njëri Hoxhës e tjetri Lalës. Reporterët e sprovuar të anti-krimit u bënë lëmsh me njëri-tjetrin. Dikush thoshte se celularët e sekuestruar kishin video të tjera dhe jo me emrat që përfliteshin. Një tjetër deklaroi se i kishte parë videot dhe nuk ishin kushedi se çfarë.

Më në fund shefi i SPAK-ut Duman Tufani vendosi të mbledhë strukturat e posaçme, dmth gazetarët e kronikës, si dhe disa nga prokurorët më të besuar me statusin e vëzhguesit.

Ai priti derisa në sallë ra heshtja, dhe deklaroi:

“Ne jemi drejtësia e re, ndaj kjo gjendje kaotike duhet të marrë fund. Po jua bëj të qartë: Nuk dua të shoh të dalë video e nxehtë në rrjetet sociale apo më keq akoma, në faqet pornografike, pa e parë unë dhe stafi im. E mbani mend se ç’bëhej me drejtësinë e vjetër, kur balerina e shougërlle mbushnin internetin ndërkohë që prokuroria nuk dinte gjë? E pra, harrojeni, unë dua rregull dhe disiplinë!”

Tufani gjithashtu sqaroi dekanët e kronikës gazetareske se nuk është mirë t’i fryjnë shifrat e pagesave nga Dubai për vajzat e spektaklit.

“Pastaj, ju lutem shumë, ç’janë këto 100 mijë euro për një natë apo për një javë? Mos e shkrehni fare fantazinë, kur nuk njihni tregun. Mos u bini në qafë njerëzve që kanë zgjedhur rrugën e punës!”

***

Në vijim, mbledhja e posaçme caktoi një kalendar strikt për rregullimin me ligj të menaxhimit të videove dhe riciklimit të tyre. Së pari, u vendos që me shtënien në dorë të videos, lajmin mbi ekzistencën e saj ta jepte ashtu si pa dashje, një ekspert kriminalistike. Pastaj, dy ditë më vonë, një mega-reporter i kronikës do sqaronte publikun mbi minutazhin e videos dhe detajet teknike, si drita dhe kontrasti. Më tej, një super-gazetar do informonte se burimet e besuara në SPAK e kishin inspektuar videon, dhe kishin vendosur që ajo të xhirohej prapë për shkak të cilësisë së dobët. “Madje prokurorët mund t’i japin statusin e të penduarit ndonjërit nga të kërkuarit, në mënyrë që xhirimi të kryhet brenda kornizave ligjore,” do të shtonte super-gazetari.

Sipas përllogaritjeve të ekspertëve të SPAK, gjithë procedura do përmbyllej në harkun e 20 ditëve, deri në daljen e videos në faqet e specializuara, të cilat mund të siguronin deri në 200 mijë klikime në ditë.

Pasi u diskutuan të gjitha detajet, shefi i SPAK deklaroi: “A jemi të qartë? Ka ndonjë vërejtje? Atëherë mbledhjen e deklaroj të mbyllur!”        

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro-Tufan e Vullkan    

Video