NDRYSHON PUSHTETI/ Gati qeveria hije: PD zë karriget e ministrave në Parlamentin pa drita!

19 Tetor 2023, 21:22Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

TIRANË – Plani ishte i hollë dhe i menduar aq mirë, sa i zuri të gjithë në befasi. Ndërsa PD-ja “non grata e vinci” e Doktorit u mblodh me Gaz Bardhin - dhe me deputetët besnikë që e kanë Gazin idhull dhe nuk i ndahen - për sytë e medias të pranishmit bënë sikur diskutuan hallin e madh që e ka zënë opozitën.

Duke u shtirë sikur opozita kishte rënë në një krizë aq të thellë, saqë po rrezikonte shpërbërjen nën regjimin kriminal të Edit, demokratët anti-Lul hodhën e pritën njëqind propozime për të dalë nga bataku: Të formojmë parti të re; të bojkotojmë punimet e Kuvendit; të protestojmë dhunshëm… Ndryshe nuk kemi për të ardhur kurrë në pushtet!

Madje dhëndurri socialist Belind Këllëçi shkoi deri aty sa ta miratonte gjithë gëzim propozimin për një grevë të fuqishme urie. “Unë jam gati të humbas 10-15 kile dhe të bëhem elegant si Lali Eri,” tha Belo, “dhe ju jap fjalën se herës tjetër e kam të garantuar bashkinë e Tiranës”.

*** 

Por gjithçka ishte për t’u hedhur hi syve mediave të Ramës. Siç rezultoi, Doktori e kishte planin gati, dhe ishte shumë më i thjeshtë se çdo ide e rafinuar e Tritan Shehut.

“Do futemi nesër në seancë plenare në Kuvend dhe do zëmë të gjithë karriget qeveritare,” u tha të besuarve të vet, dmth Pim Çekës dhe Baldo Umçit, “sot, sa të largohen kamerat, do ndajmë postet ministrore”.

Në të vërtetë, burime për Patronazhistin thonë se kjo ishte dhe pjesa më e vështirë e mbledhjes me dyer të mbyllura. Sepse filloi një debat konstruktiv sesi do ndaheshin ministritë, pastaj edhe Lilua kërkoi 20 përqindshin e vet të pushtetit, ndërsa aleatët e tjerë po ziheshin për drejtoritë me lekë, doganat, tatimet etj.

Në fund, u ra dakord që qeveria e re të formohej në mënyrë meritokratike: Pasi të hynin në sallën e parlamentit, deputetët e opozitës me shenjën e Doktorit do lëshoheshin me vrap, dhe kush do ishte më i zoti, do merrte ministrinë ku do ulej.

***

Siç pritej, mazhoranca në Kuvend ra si një tigër prej letre. Ata u larguan si lepuj, duke i zgjuar Doktorit nostalgjinë e Tos Nanos më 14 shtator ‘98. U mallëngjye dhe tha me vete, “mendo sikur të kishim dhe ndonjë qivur me vete si atëherë, sa mirë do ishte”.

Ministrat e PD-së i kishin zënë karriget e ministrave të PS-së me meritë. Më të shkathëtit u treguan Salianji, Gazi, Gështenja etj, ndërsa kuotën gjinore e plotësoi Bana Vokshi, që për të kapur ministrinë e Shëndetësisë kishte shtypur nja tre kolege më të brishta.

Mirëpo ndërsa qeveria e re demokrate sapo kishte zënë vendet, ndodhi e papritura: Forcat reaksionare shkëputën energjinë dhe salla e parlamentit ra në errësirë. Të gjithë shkuan te Doktori të alarmuar: Doktor, si do ja bëjmë?

Por ky i fundit, i mësuar me pishtar dhe bishtuk në Viçidol, i qetësoi: “Ani, nuk ka gjë. Le t’i presin dritat. Ne jemi qeverija hije…”       

Vini Re: Patronazhisti vërtet është rubrikë satirike, por jo qesharake…

Video