
TIRANË/VJENË/LONDËR etj – Kishte marrë aq shumë porosi nga miqtë e shokët, saqë ç’është e vërteta u mërzit pak kur, gjëja e parë që i thanë kur u kthye, ishte pse u vonua aq shumë. Por nuk kishte fuqi as të acarohej, megjithëse kishte kohë që i kishte humbur edhe qetësia, edhe dashuria.
Thjesht i tha të shoqes, Mari-Antuaneta Testagrandes: “Ti e ke fajin, se vajte m’i mblodhe gjithato porosi, thua se jam zyrë pasurish të patundshme unë!”
Por kontesha ja ktheu: “Se mos ua mora përsipër falas unë porositë? Me përqindje, u thashë, se kemi halle, veresie nuk ka më. Tani më shumë se kurrë na duhen para të thata… Po hë, si vajti?”
Lilo Çepani psherëtiu tha mërmëriti: “Jo mirë. Gjithçka është shtrenjtuar. Le nuk gjen edhe sikur t’u tregosh tufat me euro. Por besoj se diçka do sajojmë”…
***
Gjithë odiseja mediatike e kësaj jave, mbi vendndodhjen e saktë të Lilos, daljen ose jo të tij jashtë shtetit, bastet mbi vendin ku ka shkuar dhe hamendjet nëse do kthehet apo iku përfare, nuk ishte vetëm spekullim portalesh.
Në të vërtetë Lilua jo vetëm që kishte dalë jashtë shtetit, por kishte bredhur nëpër Europë me një qëllim të qartë: I duheshin shtëpi me qera. Ose nga halli, edhe për t’i blerë. Sekush qerrata kishte arritur të nxirrte një listë sekrete nga SPAKU me arrestimet apo thirrjet e ardhshme në prokurori, dhe pas tronditjes së parë kur Lilua dhe e shoqja panë veten në krye të listës, e mblodhën veten.
Mari-Antuaneta, si e shkathët që është, vendosi se edhe nga kjo gjë mund të nxirrte fitim. Të gjithë emrat e listës i mori në telefon kokë për kokë dhe u tha: “Do të të jap një lajm që të shpëton kokën, je në rrezik; ti çfarë më jep në këmbim?”
Jo vetëm që mblodhën një dorë të mirë lekësh, që u kujtoi vitet e bukura të qeverisjes, por menduan t’i vilnin prapë. Testagrande i tha secilit hallexhi: “Lilua do shkojë nëpër ca vende të sigurta në Europë, të kërkojë shtëpi me qera ose për blerje, se po vijnë kohë të vështira. Nëse keni ndonjë porosi për të gjetur strehim, na e jepni. Por ama ta dini, 20% e shumës shkon për atë që e gjen!”
Të gjithë ranë dakord, nga kalamajtë e Doktorit, tek ca deputetë që së fundi ishin thirrur në SPAK për një kafe, e deri tek ca ish-drejtorë tatimesh, karburantesh, targash, licensash etj etj.
***
Mirëpo ngarkesa ishte e madhe. Lilua e kuptoi në kurriz të vet që nuk ishte më 20 vjeç, si atëherë kur u bë deputet; as 22 vjeç, kur u bë ministër; as 25 vjeç, kur u bë kryeministër. Mosha kishte bërë të vetën. Brodhi sa në Vjenë, Bruksel, Londër, pastaj mori me rradhë ca qyteza të fjetura në alpet e Italisë, Pyllin e Zi të Turingisë, fjordet e Norvegjisë… U detyrua madje t’i kërkonte ndihmë edhe ish-Tigrit përmes numrit sekret, por ai refuzoi t’i tregonte se ku ndodhej.
“S’të ndihmoj dot, ça t’thot vllai ty. Unë fle poshtë urave për vete,” i bëri si gjynahqar ish-Tigri.
Në fund, mezi gjeti dy apartamente për vete, nja dy garsoniera dhe një shtëpi të rrënuar – e cila mund të restaurohej – për fëmijët e Doktorit.
***
Të parit që i telefonoi kur u kthye, ishte Doktori. “Dëgjo Doktor,” i tha, “atë porosinë ta kreva me shpirt ndër dhëmbë. Po ta dish se ne jemi viktima direkte të keqqeverisjes së atij të Gjatit sorosian. E kupton që nuk gjeja dot as shtëpi me qera, as për të blerë me kesh në dorë? Për blerje s’bëhet fjalë, se duan paratë me bankë dhe lëmë gjurmë. Për qera, më thanë se i kanë zënë të gjitha shqiptarët, studentë, infermierë, hidraulikë, muratorë, pllakaxhinj, doktorë… Çfarë i thua ti kësaj?”
Doktori u mendua pak. “Dëgjo këtu Lilo,” tha pastaj, “unë mendoj që ky ka qenë që në fillim plani i Ramës së krimit: T’i bëjë shqiptarët të ikin, pastaj të na lëshojë SPAKUN mbi shpinë, pastaj ne do tentojmë të largohemi dhe s’do gjejmë dot as ku të vemë! Por ne këtu do rrimë, do luftojmë deri në fund!”
Lilua qeshi me vete, mbylli telefonin dhe tha: “Po Doktor po, ti do rrish se s’ke pasaportë, po unë ç’kusur kam?” Pa listën e hallexhinjve, ishte e gjatë dhe ai s’u kishte mbaruar punë, edhe pse paratë i kishte marrë.
I erdhi një ide. Thirri Mari-Antuanetën dhe i tha: “Merre pak në telefon atë shokun tënd që protestonit bashkë, si e ka emrin ai që dogjët mandatet…”
“Luli?”, pyeti Testagrande e shokuar.
“Po de, Lulin. Pyete dhe thuaj, atë shtëpinë në Hollandë bosh e ka?...”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro-strehimit social