Kur shpërtheu skandali i mbetjeve të dyshuara kimike, Voxnews.al solli informacionet e marra në rrugë zyrtare në lidhje me dyshimet që mund të ketë luajtur në daljen e këtyre mbetjeve me dokument të falsifikuar nga Shqipëria, drejtori i Drejtorisë së Informacionit në Dogana, Klodian Çani.
Sipas burimeve, posti si drejtues në Drejtorinë e Informacionit për Klodian Çanin shërben vetëm si kamuflim dhe trampolinë për të bërë atë që ai di të bëjë më mirë, organizimin dhe koordinimin e kontrabandës, shmangies së kontrolleve, apo kalimin e dërgesave me dokumentacione të falsifikuara, si në rastin e lëndëve të dyshuara toksike të Kurum.
Burimet pohojnë se Çani është njeriu ‘i kontaktit’ për grupet dhe bizneset që duan të fusin, apo nxjerrin jashtë vendit mallra kontrabandë. Voxnews.al nuk mund të konfirmojë nëse Klodian Çani ka pasur rol dhe cili ka qenë roli i tij në rastin e lëndëve të dyshuara toksike të Kurum.
Por, ajo që Voxnews.al mund të sjellë për lexuesin është CV e pasur e Klodian Çanit me bëma në sektorin e doganave, ku e ka nisur vite më parë karrierën si doganier i thjeshtë për të ngjitur më pas me shpejtësi shkallët e karrierës, edhe pse është hetuar dhe në një rast edhe është pezulluar.
Voxnews.al po sjell dokumentet e hetimit administrativ të nisur në 2015-n, kur Klodian Çani shërbente në doganën e Kakavijës si përgjegjës turni. Në atë kohë, ai bashkë me vartësit e tij në turn u pezulluan nga detyra pasi lejuan kalimin pa zhdoganim të një kamioni.
Hetimet e prokurorisë në atë kohë zbuluan se nuk bëhej fjalë për një rast sporadik, por për një aktivitet të mirëfilltë kontrabande ku roli i Klodian Çanit ishte thelbësor. Hetimi i prokurorisë zbuloi se vetëm në muajt nëntor-dhjetor të 2014-s janë tetë raste kur kamionë me mallra hynin nga Greqia kontrabandë për në Shqipëri, duke shmangur miliona euro taksa.
Dokumentet e doganave greke në atë kohë, të siguruara nga Voxnews.al tregojnë se vetëm në një rast, vlera e mallit të importuar nga Greqia për në Shqipëri vlerësohej përafërsisht 15 milionë euro. Bëhet fjalë për një ngarkesë me cigare dhe alkool, që të dyja mallra për të cilat paguhet akcizë. Vetëm akciza e shmangur në këtë rast, sipas përllogaritjeve të përafërta shkon në mbi 1 milionë euro.
Megjithatë, edhe pas këtyre hetimeve Klodian Çani si me magji i mbylli hesapet me drejtësinë dhe u rikthye në detyrë në një post në doganën e Tiranës. Këtu, siç thonë burimet e Voxnews.al ai perfeksionoi skemën e kontrabandës, ku herë me letra të falsifikuara dhe herë duke mos hapur kontenierët e mbushur me mallra akcize.
Voxnews.al do të vijojë me investigimet mbi këtë personazh kontravers të doganave duke njohur publikun me fakte dhe dokumente edhe për dënimin e tij me 3.5 vite burg në Greqi për grabitje bankomatesh.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.