Arresti kardiak, një info për qytetarët!

24 Shtator 2024, 19:29Fokus SHKRUAR NGA SKëNDER BRATAJ
Skënder Brataj

Lajmet e këtyre ditëve dhe emisioneve pothuajse në të gjitha televisionet dhe mediat kanë qenë të përqëndruara te shkaqet e arrestit kardiak për shkak të humbjes së jetës të Z. Bogdani.

Ngushëllime familjes.

Analiza pa fund dhe konkluzione të pjesëshme nga specialist, ekspert të ndryshëm dhe jo specialist. Shumë prej tyre japin sqarime akademike të qarta, arsyet dhe shkaqet e arrestit kardiak dhe trajtimi i tij.

Shikoj që edhe profesionist ose profesor japin një gjykim të gabuar, sepse nuk e njohin sistemin shëndetësor në të gjithë përbërësit e tij, sepse janë mbyllur brenda mureve të spitalit ose repartit ku punojnë dhe territori për ta ka ngelur në vend sipas tyre.

Dikush analizon, dikush gjen fajtor, dikush gjykon, të tjerë si zakonisht me hipoteza të ndryshme dhe diskutimi final bëhet ose nuk bëhet!

Nuk dua as të justifikoj, as të bëj polemk me askënd, por ajo që këshilloj është fakti se askush nuk duhet të flasi për një sistem që nuk e njeh, pasi ka të bëjë me jetën e qytetarëve. Opinioni publik në momente të tilla fatkeqësie është shumë i madh dhe i ndjek këto media dhe emisione, prandaj dhënia e informacioneve jo të plota ose të gabuara i dëmton ata.

Në një sitem janë disa faktorë që ndikojnë për cilësinë e tij, duke filluar nga baza ligjore, mjetet, aparaturat, personeli dhe trajnimet.

Doja të sqaroja opinionin publik për disa gjëra të rëndësishme.

Jap mësim mbi arrestin kardiak dhe vdekjen e papritur prej vitit 2001.

Ky është një fenomen për të gjithë botën, sidomos për botën e zhvilluar.

Çfarë është arresti kardiak dhe vdekja e papritur?

“Ndërprerje e menjëhershme dhe e papritur e aktivitetit kardiovaskular dhe respirator, e paraprirë ose jo nga shenja dhe simptoma, në një person me ose pa sëmundje kardiake të njohura më pare”.

Statistikat janë:

Një person në 1.000 banorë vdes në mënyrë të papritur në të gjithë botën, pavarësisht faktit nëse ka shfaqur sëmundje më parë apo jo. Pra në Tiranë vdesin në mënyrë të papritur rreth 1.000 veta në vit! Kjo nuk do të thotë që nuk kanë qenë të sëmurë më parë, sepse sëmundjet e trashëguara, sëmundjet valvolare, aritmitë dhe ateroskleroza kanë bërë punën e vet në vite.

Çfarë mund të bëjmë ne për të dhënë ndihmën e parë?

Së pari: Cilat janë shenjat dhe simptomat e para që mund të çojnë në arrest kardiak?

Dhimbje në qendër të gjoksit e shpërndarë në drejtim të mandibulës, qafës, shpatullave ose e ngjashme me dhimbjen e stomakut, vështirësi në frymëmarrje, dobësi të përgjithshme, nauze, të vjella dhe djersitje gjatë sforcimit fizik ose në qetësi.

Së dyti: Nëse ndodh arresti kardiak, si mund të japim ndihmën e parë, të japim goditjen elektrike (defibrilimin) dhe të parandalojmë dëmtimin anoksik cerebral (shtypje gjoksi-ventilim)?

Për këtë, gjëja e parë që duhet të bëjmë është njoftimi i numrit 127, nga i cili merni menjëherë mënyrën e veprimit për të bërë masazhin kardiak dhe defibrilimin kur është në dispozicion dhe është i këshilluar përdorimi i tij.

Është e vërtetë që defibrilatori shpëton jetë në një përqindje të lartë të rasteve.

Nuk mund të flasim për një shërbim urgjence që nuk e njohim të nderuar professor, kolegë apo analist!

Nuk është e vërtetë që vetëm shtetet e pasura mund ta bëjnë këtë sistem urgjence.

Nuk është e vërtetë që nuk bëhet!

Duhet vizioni, profesionalizmi, humanizmi, dalja nga skemat e përditëshme dhe rutina brenda përgjegjësive personale, hapja e botës akademike karshi problemeve që evolojnë, bashkëpunimi dhe gjetja e alternativave, jo kërkimi i fajtorëve dhe treguesve me gisht. Këtë e bën politika, institucionet, profesorët, kolegët, dhe vullneti i tyre.

Disa të dhëna që shërbimi i urgjencës ka vënë në dispozicion:

-20 Defibrilator-monitor janë blerë që në vitin 2017 kur filloi punë Njësia e Koordinimit të QKUM-së.

-30 AED (automatic external defibrilation, që bëjnë vetëm goditjen elektrike), janë vendosur në ambulancat që nuk kanë patur më parë.

-112 ambulanca të reja që janë blerë që nga dhjetori 2018 deri vitin e kaluar janë të gjitha me monitor- defibrilator.

Vitin e kaluar përfundoi një projekt bashkëpunimi midis MSHMS, QKUM, coperacionit Italian dhe spitalit rajonal të Vlorës, ku përveç ndërtimit me një vizion bashkëkohor të urgjencës së këtij spitali u vendosën 8 AED në çdo kat të spitalit, te farmacia dhe në hyrje të tij.

Projekti, qyteti me zemër të mbrojtur ”Vlora” i nisur nga QKUM dy vite më parë, sot është realitet.

Janë vendosur në qytet 8 AED në këto pika:

1. 1-Bashkia
2. 2-Qendra historike
3. 3-Policia
4. 4-Stadiumi
5. 5-P. Sportit
6. 6-Porti detar
7. 7-Lungomare
8. Teatri është në program

Këtë vit janë vendosur AED (30) në të gjitha qendrat shëndetësore verore.

Ne kemi një sistem urgjence paraspitalore të kompletuar.

A mjafton kjo për tu përgjigjur nevojave të qytetarëve?

Jo, nuk mjafton, por së pari duhet të plotësohet sistemi i urgjencës dhe të gjitha institucionet shëndetësore publike apo private.

Defibrilatori është i domosdoshëm në të gjitha ato vende ku ka fluks të madh njerzish jo nëpër çdo kryqëzim siç dëgjova këto ditë nëpër media.

Ato janë:

Stacione treni, aeroporte, porte, stadiume, pallate sporti, supermerkato, kinema, teatro, institucione, bisnese me një numër të caktuar personash e tjer.

Dr. Skender Brataj

Video