Që nga viti 2017, në Tiranë janë ndërtuar 10 milion metër katrorë hapësira, ndaj kompanitë ndërtuese e kanë gjithnjë e më të vështirë të gjejnë një shesh ndërtimi për të hapur themelet e një pallati të ri.
Për këtë arsye, futja në treg e Edi Ramës si njeriu që ka në dorë disa prej pronave më të lakmuara shtetërore vjen në një moment tejet të leverdisshëm.
Kryeministrit i njihet publikisht trashëgimia që i lanë prindërit, një studio e vogël arti në lagjen Ali Demi, por në tregun e pronave të paluajtshme që ka shpërthyer si asnjëherë më parë me qindra miliona euro në qarkullim, Rama futet si pronari de facto i tokave shtetërore.
Çdo truall mbi të cilin është ndërtuar një godinë shtetërore, sot mund të jepet për ndërtim nga kryeministri Rama. Për këtë, ai krijoi Agjencinë e Zhvillimit të Pronave që ka gati projektet për katër sheshe ndërtimi në Tiranë.
Kuptohet se në fillim janë zgjedhur të jepen godina të vjetra shtetërore, zyra të lëna pas dore, ndërtesa të vjetëruara apo hapësira që përdoren si parkingje etj. Por kur t’u kalojnë ndërtuesve për kulla, apartamente, dyqane etj, vlera e tyre shumëfishohet. Procesi ndiqet në detaje nga Rama.
Katër pronat e para që do t’i jepen ndërtuesve janë në disa nga zonat më të shtrenjta të Tiranës. Fituesit e konkursit për arkitekturën e godinave u shpallën nga një juri e kryesuar nga Edi Rama. Në truallin ku do të investojnë, një pjesë të ndërtesës, kompanitë e ndërtimit do t’ia kthejnë shtetit për zyra.
MARRËVESHJA E PARE, TOKE TEK KOMUNA E PARISIT DHE TEK ISH-ATSH
9400 metër katrorë truall tek komuna e Parisit
Edi Rama ofron për ndërtuesit një truall në të majtë të hyrjes së Komunës së Parisit, që përdoret sot si parkim i automjeteve shtetërore. Janë 9400 metra katrorë në një nga zonat më të lakmuara të Tiranës, shumë afër ish-bllokut dhe e aksesueshme lehtësisht nga qendra.
Trualli është një pasuri e vërtetë. Në këtë zonë do të akomodohen 18 institucione të ndryshme.
Sheshi për ndërtim në hyrje të Komunës së Parisit nga ana e stadiumit Selman Stërmasi
Në këto 9400 metra katrorë truall do të ndërtohet një kompleks ku do të ngrihen disa godina. Pallatet që do të ndërtohen këtu nuk janë shumë të larta.
Arkitekti që ka punuar projektin tha se Tirana ishte një qytet shumë i dendur dhe i mbushur plot makina. Katet e poshtme janë konceptuar si një qendër tregtare, me dyqane dhe lokale, një pjesë e të cilave mund të kalojnë në administrim të shtetit, për mirëmbajtjen e zyrave. Gjithsej parashikohet që ndërtimi të shkojë rreth 30 mijë metra katrorë.
Në keto ambjente do të akomodohen 22 institucione shtetërore, që përfshijnë (sipas akronimeve): MIA | DSHQ | KPK | AAPAA | SASPAC | AZHT | AMBU | AKPT | AKUK | HSH | AKISA | AAC | AKM | ARM-Tirana | AKZM | AdZM-Tirana | AKB | AKP| AKT | DPAP | QShA | ZVAP.
2840 metra katrorë për ndërtim tek ish-ATSH
I njëjti ndërtues do të marrë nga Edi Rama edhe 2840 metra katrorë truall tek ish-ATSH. Kjo është një pronë me fitime të garantuara në ndërtim.
Siç shihet në foton më poshtë, godina shtetërore që do të shembet është pranë urës së Tabakëve, me pamje nga Lana dhe ka dalje direkt në unazë, që e bën këtë tepër të aksesueshme, 10 minuta larg qendrës.
Kullat që do të ndërtohen këtu janë diku tek 35-41 kate.
Projekti është konceptuar për një zhvillim “multi-funksional” me njollë ndërtimi 1,200 deri në 1,500 m2 dhe me një sipërfaqe totale ndërtimi nga 48 mijë deri në -52 mijë metër katrorë. Fitimet janë dhjetëra miliona euro.
Ndërtimi gjigand sipas arkitektëve të huaj që dolën fitues në konkurs do të ketë formën e dy kullave sipas projektit që duket në foton më poshtë.
Sipas dokumentit shoqërues, administrata kërkon të ketë rreth 80 tualete në godinat e këtyre projekteve.
5 mijë metër katrorë tek Kadastra
Pas Kadastrës, nga ana e shkollës Harri Fulc në Tiranë është një godinë që përdoret aktualisht nga administrata.
Duke qenë se godina është rinovuar kohët e fundit, pas dëmtimeve që mori nga tërmeti, Edi Rama ka menduar që përreth saj ka disa hapësira që mund të shfrytëzohen nga ndërtuesit.
Godina më lart ka përfituar një mbulesë dhe disa shtesa në të dyja anët e saj. Në mes është godina aktuale, e rinovuar rishtas.
Këtu do të futen tre institucione Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Agjencinë Shtetërore për Shpronësim dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave. Të tre institucione kanë rreth 1 mijë punonjës.
Në këmbim të restaurimit më lart, Edi Rama ofron për ndërtim një truall tjetër.
3 mijë metër katrorë truall tek “Inxhinieria e ndërtimit”
Rama ofron për ndërtim edhe 3 mijë metra katrorë në rrugën Muhamet Gjollesha. Mbi këtë truall do të ndërtohet një kullë e lartë që mund të shkojë deri në 40 kate dhe ku ndërtuesi mund të nxjerrë gati 40 mijë metra katrorë. “Aktualisht, siti është i zënë nga një ndërtesë institucionale që do të shembet për shkak të dëmeve të mëdha nga tërmeti i nëntorit 2019″ shkruhet në dokumentin që detajon projektin.
Projekti fitues ishte një kullë aq e lartë sa arkitekti e konsideroi si Don Kishoti gjatë prezantimit, duke e krahasuar me godinën e administratës shtetërore që ishte si Sanço Panço.
Çfarë kërkon shteti në këmbim nga ndërtuesit?
Zyra, salla mbledhjesh, tualete, dhoma ngrënie. Administrata e Shqipërisë është një nga më të shumtat në numër në botë, në raport me popullsinë. Sa herë ka zgjedhje, numri i punonjësve të administratës shtohet, ndaj nevoja për ambjente të reja është domosdoshmëri.
Në një nga kërkesat që kanë pasur institucione të caktuara kërkohet edhe palestër, edhe kopshte fëmijësh. Në këtë mënyrë është menduar që punonjësit e administratës do të shkojnë në palestër pas orarit zyrtar të punës dhe do të marrin fëmijët nga kopshti, pasi të kenë mbaruar palestrën.
Një nga shembujt e parë që përmenden në dokumentin që detajon projektet është ai për MIA, Agjencia për Media dhe Informim. Kjo agjenci merret me prodhimin e videove propagandistike dhe reklamave që publikohen çdo ditë në profilin e Edi Ramës.
Në pallatet e reja që do të ndërtohen te Komuna e Paristi, agjencia që lindi fillimisht si televizioni ERTV kërkon zyra dhe ambjente të reja. Ish-ERTV ka gjithsej 55 punonjës, nga 10 ose 15 gjatë ditës ndjekin Edi Ramën dhe garantojnë sinjalin që ritransmetojnë televizionet e tjera. Të tjerët janë montazhierë, arkivistë, etj dhe qëndrojnë gjatë ditës në zyrat e tyre.
Kërkesa e tyre përfshin “një zyrë të Drejtorit të Përgjithshëm me sipërfaqe 75 m², një zyrë nën-drejtorit të përgjithshëm me sipërfaqe 25 m², tre zyra për 2 persona me sipërfaqe 25 m² secila, pesë zyra 6 persona me sipërfaqe 35 m² secila, një sallë mbledhjesh të përbashkët për 20 persona me sipërfaqe 50 m², një dhomë arkivi-protokolli me sipërfaqe 30 m², një depo me sipërfaqe 40 m² dhe dy dhoma post-produksioni video me sipërfaqe 40 m² secila.
Sipërfaqja totale është 616 m².
Kërkesa të veçanta:
• 55 punonjës ku 20-30% janë të angazhuar në terren
• I duhet një dhomë për xhirime, dhe një hapësirë post-produksioni për videot dhe reklamat
• Një kuzhinë të ndarë brenda hapësirave së agjencisë zyra, salla mbledhje
Njësoj si Agjencia që bën ERTV, janë edhe disa institucione të tjera që kërkojnë hapësira më të mira pune në kullat që do të ndërtohen në tokë shtetërore.
Prona e shtetit si pronë private
Edi Rama është akuzuar shpesh se i ndan pasuritë dhe pronat shtetërore sipas dëshirave të tij për miqtë dhe klientët e qeverisë. Por deri dje këto marrëveshje bëheshin fshehurazi. Ndonjëherë vendimet kompromentuese tentonin të kalonin mes rreshtash në vendimet kolegjiale të qeverisë.
Por pas 12 vitesh në pushtet, Rama nuk ka më nge as të fshihet. Përkundrazi, nëse gjithçka bekohet nga një konkurs me arkitektë ndërkombëtarë, duket sikur kalon më lehtë. Tani pritet të negociojë truallin shtetëror njësoj si çdo pronar toke që e ka të trashëguar pronën nga babai apo nëna e tij. Për të bindur se nuk do të përfitojë asgjë vetë, ka premtuar të bëjë garë të hapur.
“Katër projektet do të hidhen në garë të hapur” premtoi ai ndërsa shihte nga afër kullat në miniaturë, pasi arkitektët e huaj ishin larguar nga Tirana./Lapsi