Kandidati ‘me cenet’ e të vëllait, Idajet Faskaj garon për të drejtuar Policinë e Shtetit

18 Shtator 2024, 17:52Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Idajet Faskaj

E mërkura shënon përfundimin e afatit të dorëzimit të kandidaturave për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Interesimin për të udhëhequr informat blu e kanë shprehur mbi 15 kandidatë. Disa hyjnë në garë me vite të tëra përvojë në radhët e policisë, të tjerë që synojnë të rikthehen në profesionin e parë.

Por, disa të tjera kanë hyrë në garë me cenet dhe akuzat publike për korrupsion, e deri për lidhje me krimin të adresuara ndaj tyre drejtpërdrejt, apo të afërmve të tyre. Me dritëhije të tilla është kandidatura e Idajet Faskajt. Faskaj, ish-kandidat për të drejtuar Byronë Kombëtare të Hetimit (ku humbi në garë përballë Aida Hajnajt) është vëllai i Besnik Faskajt.

Ky i fundit u denoncua publikisht me zë dhe figurë teksa kërkonte 150 euro rryshfet për të vendosur nota pozitive të Universiteti i Mjekësisë. Besnik Faskaj u mor nën akuzë për korrupsion nga ana e Prokurorisë së Posaçme.

Ndërkohë, vëllai i tij, Idajet Faskaj në formularin e dekriminalizimit të dorëzuar gjatë kandidimit për të drejtuar Byronë Kombëtare të Hetimit nuk e ka deklaruar këtë pjesë, pasi ngjarja ka ndodhur pasi ai shprehu interesimin për t’u bërë pjesë e kësaj Byroje.

Duke qenë se edhe posti i drejtuesit të Policisë së Shtetit është subjekt i dekriminalizimit, duhet parë nëse në formularin e depozituar së bashku me kandidaturën, Idajet Faskaj e ka deklaruar apo jo familjarin me cene me drejtësinë.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video