A vret burgu më shumë se krimi?

4 Shtator 2024, 13:37Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustruese

Një 49 vjeçar i paraburgosur në burgun e Korçës ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në repartin e Reanimacionit Qendror të QSUT-së. Aurel Sabriu u takua me babanë dhe menjëherë pas takimit humbi ndjenjat në dhomën e tij.

Para Aurelit, Afrim Shaqiri i cili vuante dënimin në burgun e Fushë-Krujës u dërgua pa shenja jete nga burgu në qendrën shëndetësore të qytetit.

Të njëjtin fat pësoi dhe Andrea Bregasi, i cili ndërroi jetë në Qendrën Shëndetësore të Fushë-Krujës për shkak të një arresti kardiak.

Aureli, Afrimi dhe Andrea nuk janë të vetmit, lista e të burgosurve që shpesh herë nuk marrin trajtimin e duhur në institucionet e vuajtjeve të dënimit dhe shkojnë drejt fundit tragjik është e gjatë!

Fatkeqësisht ky është FAKT!

Mjafton të kujtojmë rastin e Fotaq Zaharisë, të cilit gjykata e Starsburgut i dha të drejtë disa vite më parë, kur denoncoi "mbajtjen në kushte ç'njerëzore dhe degraduese në burg që i rrezikonin jetën” duke i siguruar dhe një dëmshpërblim prej 15 mijë Eurosh.

FAKT është edhe që shumë nga të burgosurit që kanë humbur jetën, mund të ishin gjallë sot, nëse gjykata do të kishte shfrytëzuar dënimet e tjera alternative që parashikon Kodi Penal, gjithmonë në proporcion me krimin.

Dje, Policia e Shtetit njoftoi me krenari se numri i të burgosurve vetëm në muajin gusht ishte 560 vetë. Arrestime që nisin nga ato për krime të rënda, tek “spaçatorët” 15 vjeçarë të hashashit e deri tek ata që zënë plazhet publike duke vendosur çadra.

Të gjithë, pa asnjë ndryshim janë dënuar me burg!

Por a është kjo normale për një shoqëri demokratike?

A është sistemi ynë ndëshkues, i ashpër, për sa i përket regjimit të vuajtjes së dënimit?

A duhet kërkuar nga Gjykatat një individualizim të dënimeve, përdorimin e alternativave të tjera të dënimit, shfrytëzimin e qendrave të veçanta të rehabilitimit dhe riintegrimit?

Në jo pak raste në vendin tonë është përdorur si argument dhimbja e viktimave, neveria popullore ndaj llojit të krimit, por edhe presioni mediatik për të dhënë vendime gjyqësore të pabazuara në ligj.

Shteti Ligjor nuk ndërtohet duke burgosur qytetarët, masë që është provuar gjatë historisë që nuk ka dhënë kurrë efekte pozitive, por duke ruajtur proporcionalitetin, racionalitetin dhe barazinë në dhënien e dënimit.

“Urre krimin, mëshiro kriminelin” është aforizmi i famshëm që gjendej në dyert e gjykatave europiane në vitet 1700-1800, shprehja nga e cila duhet të kthejnë shikimin shumë nga gjykatësit në vendin tonë./VoxNews

Video