Skandali i mbetjeve toksike të nisura nga Shqipëria që tërhoqi edhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare është duke u hetuar nga Prokuroria e Durrësit, që thotë se ka nisur procedurat hetimore nga Porti i Durrësit dhe nga kompania që ka transportuar dhe ngarkuar këto mbetje në kontenierë.
Bëhet fjalë për dy ngarkesa në kohë të ndryshme që janë transportuar dhe ngarkuar nëpër kontenierë nga e njëjta kompani në Portin e Durrësit. E para është në prill dhe e dyta në korrik të këtij viti.
Ngarkesa e prillit është bllokuar në portin Gunzho të Kinës dhe autoritetet kineze kanë nisur procedurat për kthimin e tyre në vendin tonë. E dyta është ngarkesë e vendosur në dy anije të kompanisë së transportit ndërkombëtar detar, Maersk me destinacion Tajlandën.
Për ngarkesën e prillit, Doganat Shqiptare kanë deklaruar se janë me origjinë nga Kosova dhe kanë përdorur Shqipërinë si tranzit ndërkombëtar. Për ngarkesën e dytë Ministria e Mjedisit thotë se janë mbetje të kompanisë Kurum në Elbasan. Vetë kompania ka mohuar këtë deklaratë.
Ndërkohë, prokuroria e Durrësit ka marrë në pyetje pronaren e kompanisë shqiptare që ka kryer transportin e mbetjeve deri në Portin e Durrësit si në rastin e ngarkesës së përfunduar në Kinë, ashtu edhe në rastin e dërgesës me destinacion Tajlandën.
Për të dy rastet, institucionet po pasojnë topin e përgjegjësisë tek njëra-tjetra, duke mos sqaruar nëse ngarkesat janë raportuar si lëndë toksike, apo jo dhe nëse ka pasur autorizim nga Ministria e Mjedisit për transportin e tyre nëpër territorin e Shqipërisë, ashtu siç e kërkon ligji.