Shefja e menaxhimit të çështjeve në KPA nuk ka kaluar vettingun, por vendos shortin kush e kalon e kush jo!

10 Shtator 2024, 13:50Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Manjola Kelolli, shefja e menaxhimit të çështjeve në KPA

Për shumicën e qytetarëve mekanizmi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, njohur shkurtimisht dhe gjerësisht si vettingu është kompleks dhe përpjekjet e ekspertëve dhe të medias për ta shpjeguar këtë mekanizëm se si funksionon kanë pasur pak efekt.

Në kompleksitetin e procesit, shtigjet për manipulimin e tij janë edhe më të mëdha.

Denoncimet për standarde të dyfishta nuk mungojnë dhe në të shkuarën, vendimet e gjykatave, madje edhe ajo e Strasburgut tregojnë se vettingu ka gabuar.

Ana publike dhe kryesore e vettingut janë gjyqtarët e trupave të rivlerësimit, që në shkallën e parë përbëhen nga tre anëtarë dhe në të dytën nga pesë anëtarë. Për çdo emër që i nënshtrohet filtrit të vettingut hidhet shorti për të përcaktuar gjyqtarin relator të çështjes.

Këtu hyn në lojë administrata e organeve të vettingut.

Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, shorti është në dorë të Manjola Kelollit, e cila prej vitit 2018 mban postin e shefes së drejtorisë së menaxhimit të çështjeve.

Përgjatë kësaj periudhe, nën drejtimin e saj është hedhur shorti për përcaktimin e relatorëve për dosjet që kanë përfunduar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pasi janë shqyrtuar më parë në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Shorti teorikisht është thjesht ana teknike dhe proceduriale për të përmbushur detyrimet që burojnë nga legjislacioni për vettingun, praktikisht dyshohet se është shndërruar në një mashë të përdorur nga Manjola Kelolli për afera korruptive.

Kelolli dyshohet se në shërbim të interesave të caktuara të anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, orienton shortin e çështjeve në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Orientimi i shortit bëhet në të dyja rastet, qoftë në rastet kur subjekti i vettingut duhet të shkarkohet, qoftë në rastet kur duhet të lihet në detyrë, pa marrë parasysh nëse plotëson apo jo kriteret e rivlerësimit.

Kelolli dyshohet se për manipulimin e çështjeve në KPA ka aktivizuar si seksere një të afërme të saj, ndërsa prova dhe fakte më konkrete në lidhje me këtë veprimtari të saj, Voxnews.al do të përcjellë në një moment të dytë përmes studimit të shortit të çështjeve në KPA dhe vendimmarrjet e tyre.

Por, kush është Manjola Kelolli, juristja që shmangu vettingun për veten dhe tashmë vendos për të tjerët?

Ajo ka përfunduar fakultetin e drejtësisë në fillim të viteve ’90, në atë që njihet rëndom edhe si brezi i juristëve të plepave. Bëhej fjalë për përgatitjen e qindra juristëve për të zëvendësuar në sistem juristët e komunizmit.

Në vitin 1995, Kelolli filloi punë si ndihmësgjyqtare në Berat. Në vitin 2000 emërohet kancelare në po të njëjtën gjykatë. Në vitin 2009 ngjit shkallët e karrierës në drejtorinë e inspektimit në Ministrinë e Drejtësisë.

Deri para reformës në drejtësi, kjo drejtori kishte për kompetencë propozimet për masa administrative dhe deri për largime nga puna të gjyqtarëve dhe prokurorëve pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Në 2015, Kelolli transferohet si këshilltare ligjore pranë Gjykatës së Apelit Administrativ në Tiranë. Këtë post e mban deri para se të hynte në fuqi ligji i vettingut, ku sipas statusit si këshilltare ligjore ishte subjekt i këtij ligji.

Nga gjykatat kalon te Autoriteti i Dosjeve, nga ku katapultohet më pas te organet e vettingut në një prej posteve më të larta administrative të KPA-së.

Kelolli është akuzuar publikisht se dorëheqjen nga posti i këshilltares ligjore në Apelin Administrativ të Tiranës e ka dhënë për të shmangur procesin e vettingut, pasi nuk justifikonte pasurinë.

Megjithatë, edhe pse ajo vetë nuk është rivlerësuar në asnjë prej tre kritereve, kjo mesa duket nuk është pengesë që Kelolli të përcaktojë shortin e përmes shortit edhe fatin e prokurorëve dhe gjyqtarëve në vend.

©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video