Policia, drejtësia, media dhe politika në 'dorën' e klanit "Çopja" të Elbasanit!

6 Shtator 2024, 11:35Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Franc dhe Hajdar Çopja

Intriga, aleanca, tradhti, vrasje dhe shumë para.

Kjo është panorama mes grupeve kundërshtare në Elbasan gjatë periudhës nga fundi i vitit 2018 deri në momentin kur Nuredin Dumanit i bëhet atentat.

Dosja e siguruar nga Vox News mbi grupin Çopja është voluminoze dhe paraqet të gjitha zhvillimet e bujshme mes tyre dhe grupit të Erion Alibejt, luftë e cila shpërtheu pikërisht në 29 dhjetor 2018 ku edhe u vranë Indrit Alibej, Erdal Durunay dhe Arben Dylgjeri.

Në këtë moment, Erion Alibej fillon hetimet personale për të zbuluar se kush e kreu atentatin. Nga ana tjetër, Çopjat ndjehen të sigurt se nuk kanë lënë gjurmë në ngjarje. Madje, Franc Çopja shprehet sipas komunikimeve në SKY se ka shkuar për ngushëllim në shtëpinë e Erion Alibejt duke hedhur edhe 50 euro.

Më 18 shtator të vitit 2020, grupi kriminal ‘Çopja’ që u godit pak javë më parë nga SPAK, planifikuan të vendosin tritol në Drejtorinë Vendore e Policisë së Elbasanit, ditën kur u arrestua Erion Alibej.

Këtë plan, grupi ‘Çopja’ e ka komunikuar në SKY ECC me punonjësin e Policisë, Martin Musaj. Ky i fundit, në vend që të përpiqej që të ndalonte aktin terrorist, i informonte se kamerat e sigurisë në pjesën e jashtme të Drejtorisë së Policisë nuk punonin. Madje i siguronte se kështu do e vendosnin tritolin shumë lehtësisht dhe pa u pikasur. 

Mikael Kamami, i cili në hierarkinë e grupit kriminal ‘Çopja’ shfaqet si ‘koordinator i vrasjeve’, u fut në lojë duke ofruar deri në 4 milionë euro për atentatin.

Tritoli, që sipas përgjimeve duhet të ishte deri në 5 kilogramë, do të vendosej me dronë. Gjithçka ishte gati, por fatmirësisht grupi u tërhoq në kohë pasi i arrestuari Erion Alibej ruhej nga forcat speciale.

Bashkë me të mund të vriteshin edhe shumë punonjës policie dhe të shoqëruar apo arrestuar të tjerë. Kështu që plani u la në mes. Fati ose ndërgjegjia e kundërshtarëve të tij, në këtë episod i shpëtuan jetën "Krymit'.

Në dosjen e siguruar nga VoxNews, klani “Çopja” kishte kapur me anë të korrupsionit, median, policinë, gjykatat dhe organizonte intervista.

Fakti 1- Çopjat organizonin intervista në televizone dhe paguanin gazetarë

Policia, drejtësia, media dhe politika në 'dorën' e
Talo Çela

Në bisedat e “Sky Ecc” Franci kreu i klanit “Çopja” ka organizuar intervistën e bujshme të Talo Çelës në vitin 2020. Ai është kujdesur personalisht me detajet e intervistët, nga transporti i gazetarit deri tek vendi i zhvillimit të saj.

Një tjetër detaj që vihet re nga zbërthimi i bisedave nga SkyECC në dosjen e grupit Çopja, ka nxjerre në pah edhe mënyrën se si vepronte ky grup për të fshehur apo devijuar ngjarje kriminale të kryera prej tyre.

Ata orientonin gazetarë të kronikës së zezë, në lidhje me bandat për mënyren se si duhet të flisnin dhe për emrat që duhet të përmendnin në daljet e tyre publike, duke afruar edhe shuma të konsiderueshme parash.

Nga një bisede e bërë në platformën SkyECC mes Franc Copjes dhe një personi tjeter, i cili nuk ështe identifikuar ende, ky i fundit informon Franc Çopjen se është takuar me personin e trete (gazetar) dhe se i ka kërkuar 120.000 euro.

 Në dosje thuhet se gazetari, emri i të cilit nuk përmendet, por që del se ka njohje me anëtarët e grupit kriminal, e ka pyetur, se cilët persona nuk duhet të përmendë, për ngjarjen e ndodhur në dhjetor të 2018, ku mbeti i vrarë Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe Erdal Dyranaj, ngjarja e cila sipas prokurorisë është porositur dhe organizuar nga vëllezërit Çopja.

Dhe Franc Çopja i ka kthyer përgjigje që për këtë ngjarje nuk duhet të përmenden Hajdar Bakon, Talo Çelën dhe Altin Ndocin, persona këto që janë te rreshtuar me grupin kundër Endrit Alibejt, i njohur ndryshe si Tarzani.

Fakti 2- Çopjat organizuan grabitjen e 4.6 mln euro në Rinas

Policia, drejtësia, media dhe politika në 'dorën' e
4.6 mln euro në Rinas

Në dosjen e siguruar nga VoxNews vjedhja me armë e 4.6 milionë eurove në pistën e aeroportit Nënë Tereza në Rinas, më 9 prill të vitit 2019, u organizua nga grupi kriminal i udhëhequr prej Franc dhe Hajdar Çopja.

Grabitësit, morën paratë nga 4 makina blind të transportit të parave të kompanive të ndryshme private.

Ata mundën të largoheshin teksa përdorën një makinë me mbishkrimin ‘Hetimi Tatimor’. Autorët e grabitjes kanë mundur të shkojnë deri në barkun e avionit me pasagjerë që nisej për në Vjenë, aty ku në pjesën e bagazheve kanë bërë grabitjen teksa paratë kalonin nga makinat e blinduara për në avion.

Mundën të dalin sërish nga aeroporti ndërsa janë ndjekur më tej nga forcat e policisë të cilave u janë përgjigjur me armë. Nga përplasja mbeti i vrarë një nga grabitësit, Admir Murataj, ndërsa të tjerët vrapuan në këmbë duke u larguar bashkë me thasët me para ku i priste një tjetër automjet.

Makinën e dogjën më vonë pranë zonës së Bathores, ndërsa në duart e ekspertëve mbeti furgoni me mbishkrimin fals "Hetimi Tatimor", brenda të cilit mund të gjendej një pasuri provash, gjurmë gishtërinj dhe armët e sekuestruara.

Fakti 3- Vëllezërit Çopja korruptuan gjyqtarë në Elbasan

Policia, drejtësia, media dhe politika në 'dorën' e
Pajtime Fetahu

Të dy vëllezërit ndodhen jashtë, ndërsa në dosjen e SPAK përveç vrasjeve e tentativave për vrasje, por edhe pastrimit të parave në sektorin e ndërtimit, dy vëllezërit kanë korruptuar edhe gjyqtarë dhe funksionarë të organeve të drejtësisë në vitin 2020 në Elbasan.

Bëhet fjalë për ish-gjyqtaren në Elbasan, Pajtime Fetahu e cila ishte shkarkuar nga Vettingu. Fetahu mund të ketë lidhje në këtë histori me vëllezërit Çopja.

Ndërsa në shtator-tetor të të njëjtit vit kanë zbuluar edhe akte ose të dhëna sekrete prej një punonjëse të administratës gjyqësore të Gjykatës së Shkallës së Parë.

Gjithashtu SPAK zbulon se janë rekrutuar edhe dy punonjës të policisë së shtetit në llogari të organizatës kriminale.

Fakti 4- Franc Çopja, paratë i çonte me “Exchange”

Policia, drejtësia, media dhe politika në 'dorën' e
"Franc Çopja - Exchange"

Në dosje dy vëllezërit Çopja nga shitës të dozave të kokainës në Itali, gjatë viteve 2006 – 2007 arritën të sundonin trafikun e drogës në Europë dhe më gjerë.

Për këtë në 2018 nisën dhe porositë për vrasje me pagesë. Pikërisht masakra e Bradasheshit, e ndodhur më 29 dhjetor 2018 ku mbetën të vrarë Endrit Alibej, vëllai i Erjon Alibej, Arben Dylgjeri dhe turku Erdal Durunay kishte për motiv pikërisht zotërimin e trafikut të kokainës.

SPAK thotë se Franc Çopja, në raste të përsëritura ka realizuar transferimin e vlerave monetare të konsiderueshme cash nëpërmjet përdorimit të zyrave të këmbimit valutor (Exchange) brenda dhe jashtë vendit, duke ia dërguar personave të tij të besuar me qëllim, edhe për  kryerjen e pagesës së vrasjeve të porositura si dhe kryerjen e investimeve për llogari të tyre në Shqipëri dhe jashtë saj.

Fakti 5- Si përdorej shefi i policisë nga "Klani i Çopjave"

Policia, drejtësia, media dhe politika në 'dorën' e
Agustin Çinari

Mes zyrtarëve shtetërorë që kishin lidhje direkt me Franc Çopja alias Bakon, financuesin dhe drejtuesin e grupit me qendër në Dubai, ka qenë dhe Agustin Çinari, një punonjës policie në Durrës.

Veç ndihmës që Çinari i jepte Çopjas në kohë reale për të parë në sistemin TIMS, lëvizjen e Erjon Alibej, Arjan Spahiut dhe personat e tjerë, ai rezulton të jetë përfshirë dhe në tregtinë e kokainës në Itali.

Furnitori me kokainë i njerëzve që punonin me linjën e policit Agustin Çinari në Itali, ishte Franc Çopja, i cili pas çdo kërkese për “bukë” që bënte Çinari, ai ia dërgonte njerëzve të tij që punonin me këtë aktivitet në Itali, kryesisht në zonën e qyteteve Dalmine dhe Ravena.

Mes shumë bisedash Franc Çopja i shprehet punonjësit të policisë se kërkon njerëz që vrasin me pagesë dhe se ai duhet ta ndihmonte për t’i gjetur gjuajtës, pasi ofronte 1 milion euro për Nuredin Dumanin, ku sipas tij i kishte hapur probleme, por ai hallin e ka me “Tarzanin”, Endrit Alibej, i cili është vrarë prej tij në 29 dhjetor 2018.

Agustin Çinari, i thotë se nuk ishte për këtë punë, por për arrestim. Nëse ja tregonte vendin e Dumanit, shkonin dhe e arrestonin.

Në vijim të komunikimeve ndërmjet tyre, Franc Çopja i dërgon punonjësit të policisë në Durrës një mesazh me tekst si më poshtë vijon:

“…po vrasim po presim, po lejm lesht e prap nuk i dilet…”.

Sipas disa detajeve të nxjerra me shënime nga dosja “Çopja”, shefi i policisë në Durrës, Agustin Çinari në disa raste të përsëritura me porosi të Franc Gergely, ka marë dhe transportuar vlera monetare, të cilat më pas i ka dërguar në destinacionet përkatëse sipas udhëzimeve dhe orientimeve të marra nga Franc Çopja.

Fakti 6- Grupi “Çopja” futi euro e paund në Shqipëri me valixhe me rrota

Policia, drejtësia, media dhe politika në 'dorën' e
Patrim parash

Miliona euro kanë hyrë në Shqipëri përmes pikave kufitare, të cilët rezultojnë të dërguara nga Dubai përmes valixheve me rrota.

Shumat financiare janë investuar më pas në biznese të ndryshme duke u “tretur” në industrinë e ndërtimit në Tiranë, biznesin e shitjes dhe dhënies me qëra të makinave, në blerjen e apartamente, vilave luksoze në komplekse moderne si “Mandarine Drive” në Lundër të Tiranës, hotel “Domus”, lokale, e deri në investime në bizhuteri, makina luksoze duke blerë lingota floriri. 

Ndërkohë një shifër marramendëse financiare grupi e shpenzonte për të kryer vrasje me pagesë, blerjen e armëve moderne dhe një seri apartamentesh në Tiranë, Durrës dhe Elbasan, me qëllim krijimin e tyre si baza vend-strehuese të anëtarëve që dilnin në kërkim, përfshirë këtu dhe Talo Çelën.

Valixhet emetoheshin me një postcode dhe më pas priteshin në aeroporte ku më tej tërhiqeshin nga njerëz të organizatës, duke i shpërndarë më tej në linjat respektive sipas direktivave që jepte nga Dubai, Franc dhe Hajdar Çopja alias Bako.

Sipas SPAK, njerëzit që maskoheshin si tregtarë dhe biznesmenë por të përfshirë në pastrimin e parave të vëllezërve “Çopja”, janë Talo Çela, përmes gruas dhhe vajzës së tij, kushëriri i tij Armis Stafa, Rexhino Doçi, Klajdi Merkaj, Arben Lamçja, Maklen Mici, Bashkim Lika dhe biznesmeni i ndërtimit në Elbasan, Arjan Ormenaj.

Në një bisedë të zhvilluar në muajin Maj 2020 i hetuari Klajdi Merkaj i kërkon Franc Gergely që t’i ndajë në 3 pjesë shumat monetare dhe të tri pjesët të jenë në një valixhe me rrota që të jenë më praktike në lëvizje. Gjatë kësaj bisede Merkaj i tregon Franc Çopja postcodet e valixheve NË22HR. Një praktikë e tillë ka ndodhur në dhjetëra raste, ku në Shqipëri kanë hyrë sasitë e eurove.

Pesë ditë më vonë nga kjo bisedë në 27 Maj 2020 Klajdi Merkaj bisedon me Franc Çopjan, lidhur me masat e ndërmara për bllokim pasurie në bazë të Operacionit Forca e Ligjit, ku në këtë bisedë kuptohet se grupi ka bllokuar dy drejtorët e policisë, Elbasan dhe Tiranë.

Merkaj flet me Francin, duke e informuar atë se për punën e OFL-së ka takuar Drejtorin e Elbasanit dhe Tiranës, të cilët e kanë siguruar se nuk kanë asgjë me emrin e Franc Çopja, madje e njohin si person që punon jashtë dhe, sipas tyre, nuk është problematik.

Qëllimi i kapjes së dy drejtorëve të policisë ka qenë për ndërmarrjen e asnjë procedure hetimore apo dërgimi formulari për deklarim pasurie, lidhur me pronat që gëzonin në Tiranë dhe Elbasan dy vëllezërit “Çopja”.

Fakti 7- 33 emrat e grupit të "Dubait"

Policia, drejtësia, media dhe politika në 'dorën' e
Anëtarët e grupit, "Çopja"

Zbulohen të plotë 33 personat e grupit kriminal që drejtohej nga Dubai për të kryer vrasje, trafik droge, vjedhje, pastrim parash, sigurim kushtesh për vrasje, e vepra të ndryshme penale shumë të rënda.

Baza e komandimit dhe financimit të këtij grupi ishin dy vëllezërit Franc Çopja, tashmë i ekstraduar në Belgjikë për vrasjen e Arjan Spahiut dhe Hajdar Çopja rezident në Dubai, ndaj të cilit SPAK, ka ngritur 21 akuza të ndryshme.

Ndërsa për vëllain tjetër Francin, SPAK rezulton të ketë ngritur plot 26 akuza të rënda. Mes emrave të shpallur në kërkim është dhe Arzen Mama, djali i Abedin Mama, ose siç njihet ndryshe në Elbasan “Dine Çami” i shpallur edhe ky në kërkim nga SPAK tek dosja “Plumbi i Artë”.

Por një tjetër emër që del surprizë në këtë dosje, si i përfshirë në Dhjetor 2018 në vrasjen e trefishtë të Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe turkut Erdal Duranay, është Dashamir Dumani, vëllai i bashkëpuntorit kryesor të SPAK, Nuredin Dumani.

Veç komunikimeve në aplikacionin “SKY”, roli i Dashamir Dumanit është identifikuar prej prokurorëve të SPAK, edhe falë dëshmive që ka dhënë Nuredin Dumani, i cili ka treguar se në masakrën e Bradasheshit kishte marë pjesë vëllai i tij, Dashi.

Lista me emrat:

1. Franc Çopja “Arrest në burg”

2. Hajdar Çopja “Arrest në burg”

3. Mikael Qosja “Arrest në burg”

4. Eljo Bitri “Arrest në burg”

5. Altin Kamami “Arrest në burg”

6. Arzen Çopja “Arrest në burg”

7. Arben Lamçja “Arrest në burg”

8. Armis Stafa “Arrest në Burg”

9. Ervis Daka “Arrest në burg”

10. Flobenc Meçja “Arrest në burg”

11. Xhimi Hoxha “Arrest në burg”

12. Rexhino Doçi “Arrest në burg”

13. Guri Biba “Arrest në Burg”

14. Klajdi Merkaj “Arrest në burg”

15. Klodian Sinameta “Detyrim paraqitje”

16. Leon Ramani “Detyrim Paraqitje”

17. Talo Çela “Arrest në burg”

18. Altin Ndoci “Arrest në burg”

19. Arzen Mama “Arrest në burg”

20. Dorian Dyli “Arrest në burg”

21. Renato Musaku “Arrest në Burg”

22. Maksim Koçi “Arrest në burg”

23. Dashnor Dumani “Arrest në burg”

24. Aldo Xhika “Arrest në burg”

25. Maklen Mici “Arrest në burg”

26. Bashkim Lika “Arrest në burg”

27. Leonardo Ramani “Arrest në burg”

28. Martin Musaj “Arrest në burg”

29. Agustin Çinari “Arrest në burg”

30. Matilda Hoxholli “Detyrim paraqitje”

31. Pajtime Fetahu “Arrest shtëpie”

32. Denada Toda “Arrest shtëpie”.

Fakti 8- Pasi e vrau, Çopja i shkoi në varrim Endrit Alibeajt

Policia, drejtësia, media dhe politika në 'dorën' e
Endrit Alibej u ekzekutua në Elbasan

Vox News nga dosja ka siguruar bisedat dhe takimet pas vrasjes së trefishtë në Bradashesh, lëvizja e radhës e Franc Çopjat do të ishte pjesëmarrja në varrimin e Endrit Alibeajt.

 Vetëm një ditë pas kryerjes së krimit të trefishtë, organizatori dhe financuesi i masakrës së Bradasheshit, Franc Çopja, ka shkuar në banesën e familjes së të ndjerit Endrit Alibej, për t’i pirë kafen e ngushëllimit.

Në formë ngushëllimi, Çopja, pasi ka pirë kafen në banesën e familjes Alibej, i ka hedhur 50 euro.

©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video