Skandali me lëndët toksike, Doganat pranojnë shkeljen e ligjit: Lejuam ngarkesën

21 Gusht 2024, 17:02Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Skandali me lëndët toksike

Prokuroria e Durrësit njoftoi nisjen e hetimeve për skandalin e eksportit të mbetjeve të dyshuara toksike në drejtim të Tajlandës, denoncuar përmes dy artikujve edhe nga prestigjiozja amerikane, Bloomberg.

Në njoftimin e shkurtër, Prokuroria e Durrësit nuk sqaron se kë po heton dhe as veprimet proceduriale që ka ndërmarrë deri më tani në kuadër të këtij hetimi. Por, media online kanë raportuar se hetimet kanë nisur nga Porti i Durrësit. Nëse këto raportime janë të vërteta, atëherë hetimi në fjalë më shumë se për të zbardhur të vërtetën ka për qëllim fshehjen e përgjegjësve kryesorë pas këtij skandali.

Ku bien përgjegjësitë kryesore?

Së pari Ministria e Mjedisit, inspektoriatat dhe institucionet në varësi të saj dhe më pas administrata doganore shqiptare. Porti i Durrësit është hallka e fundit e zinxhirit kontrollues dhe jo kryesori.

Legjislacioni në fuqi ngarkon me përgjegjësi madhore doganat shqiptare. Janë këto të fundit që kryejnë verifikimet e dokumentacioneve dhe të përmbajtjes së kontenierëve në rastet e eksportit të mbetjeve të rrezikshme. Doganat ngarkohen me detyrën e verifikimit nëse ngarkesa të tilla kanë autorizimin përkatës nga Ministria e Mjedisit dhe më pas ja përcjellin këtë informacion bashkë me verifikimet përkatëse që kanë kryer vetë autoriteteve kufitare, përfshirë edhe atyre portuale.

Por, çfarë ka ndodhur në këtë rast? Ministria e Mjedisit thotë se dërgesa e nisur për në Tajlandë është ngarkuar te kompania Kurum në Tajlandë pa autorizimin e saj, ndërsa mediat kanë raportuar se lënda toksike koncentrat zinku është blerë tek Kurum nga kompania ‘Sokolaj SHPK’ e licencuar nga vetë Ministria e Mjedisit për transportin e mbetjeve të rrezikshme.

Pretendimin e Ministrisë së Mjedisit e hodhi poshtë kompania Kurum, që përmes një reagimi publik mohoi çdo lidhje me ngarkesën në fjalë dhe tha se çdo transport të mbetjeve të rrezikshme e kryen duke zbatuar rregullat vendore dhe ndërkombëtare. Për këtë rast, Kurum tha se është lehtësisht e verifikueshme se mbetjet në fjalë nuk i përkasin asaj.

Por, nëse Ministria e Mjedisit dhe kompania Kurum në përballjen e tyre me deklarata kontradiktore janë të qarta, Doganat Shqiptare kanë dalë me një deklaratë të ndërlikuar më qëllim heqjen e çdo përgjegjësie nga vetja.

Duke iu referuar raportimeve mediatike si lajme të rreme, doganat thonë se ‘rasti i cituar nuk është eksport nga Shqipëria, por tranzit ndërkombëtar’. Deklarata nuk përcakton se për cilin rast bëhet fjalë, pasi media ka denoncuar dy të tillë, një për transportin e mbetjeve në drejtim të Tajlandës dhe tjetrin për kontenierë po me lëndë toksike të bllokuara në Kinë dhe që janë nisur po nga Shqipëria.

Sipas doganave, ngarkesa nuk është produkt me origjinë shqiptare, por produkt tranzit ndërkombëtar ndërmjet një firme nga Kosova dhe një firme zvicerane pa përfshirjen e asnjë firme nga Shqipëria. Nëse është kështu siç thuhet në këtë deklaratë, Doganat Shqiptare kanë shkelur edhe më rëndë ligjin në fuqi, sepse ligji në fuqi pikën 2 të nenit 48 thotë shprehimisht se ndalohet në të gjitha rastet kalimi transit ndërkufitar i mbetjeve të rrezikshme në territorin e Shqipërisë.

Pikërisht pohimi nga vetë doganat se kanë shkelur ligjin duke lejuar kalimin transit nëpër Shqipëri të mbetjeve të rrezikshme e bën këtë institucion të drejtuar nga Gent Gazheli përgjegjësin kryesor nga ku duhet të nisë hetimi i prokurorisë.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video