Lidhjet e të korruptuarve në radhët e doganave në Shqipëri me segmente të politikës, qoftë në qeveri, qoftë ne opozitës janë të njohura prej vitesh. Madje, ka pasur raste kur të përfolurit për korrupsion miliona eurosh janë katapultuar në parlament dhe Qeveri, ironikisht edhe duke udhëhequr reforma antikorrupsion.
Por, njëri prej të përfolurve si i korruptuar, madje edhe dënuar nga gjykatat brenda dhe jashtë vendit ka shkuar në tjetër nivel. Klodian Çani, drejtori në Drejtorinë e Informacionit në dogana ka gjetur fijet në sistemin e drejtësisë për të përmbysur vendime kundër tij.
Burime të Voxnews.al tregojnë se Çani ka futur në xhep drejtuesin e një prej institucioneve kryesore disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ngritur pas reformës në drejtësi. Madje, aq të forta janë lidhjet sa drejtori i Informacionit në Dogana i paguan edhe pushimet familjarisht zyrtarit të lartë të drejtësisë së re.
Voxnews.al është në dijeni të emrit të drejtuesit në fjalë, por më shumë se sa emri lajm përbën denoncimi i burimeve, që pohojnë se ka qenë pikërisht lidhja në nivele të larta me drejtësinë që e ka shpëtuar Klodian Çanin si nga fshehja si me magji e një dënimi që ka nga gjykata e Athinës, ashtu edhe në investimin me shpejtësi të Gjykatës Kushtetuese për t’i zgjidhur hall Klodian Çanit në një proces gjyqësor kundër doganave.
Procesi e ka zanafillën në vitin 2015, kur Klodian Çani, si shef turni në doganën e Kakavijës u kap në kontrabandë mallrash dhe u përjashtua nga detyra nga komisioni i disiplinës. Çani e Çoi vendimin e doganave në gjykatën administrative. Shkalla e parë dhe Apeli përmes dy vendimeve të Çuditshme i dhanë të drejtë zyrtarit të lartë të doganave, por ishte Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë që përmbysi gjithçka dhe e konsideroi përjashtimin e tij të ligjshëm.
Në lidhje me këtë vendim të Gjykatës së Lartë, Klodian Çani iu drejtua Gjykatës Kushtetuese në maj të vitit të kaluar me pretendimin se në Gjykatën e Lartë nuk iu garantua një proces i rregullt ligjor dhe për më tepër kjo gjykatë doli jashtë kompetencave të veta duke rrëzuar vendimet e dy gjykatave më të ulëta.
Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë në lidhje me këto pretendime në shkurt të këtij viti dhe riktheu për gjykim në Gjykatën e Lartë çështjen ndaj tij. Për ta sqaruar, vendimi i Kushtetueses nuk është pafajësi për akuzat e kontrabandës për Klodian Çanin, sepse natyra e gjykimeve të kësaj gjykate lidhet vetëm me procedurat, jo me thelbin e çështjes. Për këtë të fundit do të vendosë sërish Gjykata e Lartë.
Voxnews.al do të publikojë ditët në vijim edhe rastet e kontrabandës, ku sipas hetimeve të brendshme të doganave Klodian Çani ka një rol thelbësor, përfshirja e tij në biznes me një të afërmen e vet, shmangien e doganave si dhe mbylljen e syve përballë konteinerëve me ‘banane’, ku Çani dyshohet se kujdeset personalisht që të shkojnë në destinacion, sipas raporteve të agjencive të tjera ligjzbatuese.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.