Gati një javë më parë, Voxnews.al solli për lexuesit një artikull të zgjeruar mbi përgjegjësitë e doganave në lidhje me skandalin e eksportit të mbi 800 tonëve lëndë të dyshuar toksike, që dyshohet se kanë kaluar në Portin e Durrësit me letra të falsifikuara.
Mes rreshtave, Voxnews.al citoi edhe përgjegjësitë e kreut të doganave të Durrësit, si dhe të zyrtarëve të tjerë të lartë të doganave, si të drejtorisë vendore të saj në Durrës, ashtu edhe në radhët e drejtorisë qendrore.
Një pjesë të informacioneve të përfituara nga burime të besueshme, Voxnews.al i publikoi në artikullin e datës 29 gusht, ndërsa informacione të tjera që na kanë mbërritur këto ditë sugjerojnë se figura qendrore operative e doganave në këtë skemë të eksportit të lëndëve të dyshuara toksike, por edhe në raste të tjera të mëparshme është Klodian Çani, aktualisht drejtor në Drejtorinë e Informacionit në dogana.
Sipas burimeve, posti si drejtues në Drejtorinë e Informacionit për Klodian Çanin shërben vetëm si kamuflim dhe trampolinë për të bërë atë që ai di të bëjë më mirë, organizimin dhe koordinimin e kontrabandës, shmangies së kontrolleve, apo kalimin e dërgesave me dokumentacione të falsifikuara, si në rastin e lëndëve të dyshuara toksike të Kurum.
Burimet pohojnë se Çani është njeriu ‘i kontaktit’ për grupet dhe bizneset që duan të fusin, apo nxjerrin jashtë vendit mallra kontrabandë. Voxnews.al nuk mund të konfirmojë nëse Klodian Çani ka pasur rol dhe cili ka qenë roli i tij në rastin e lëndëve të dyshuara toksike të Kurum.
Por, ajo që Voxnews.al mund të sjellë për lexuesin është CV e pasur e Klodian Çanit me bëma në sektorin e doganave, ku e ka nisur vite më parë karrierën si doganier i thjeshtë për të ngjitur më pas me shpejtësi shkallët e karrierës, edhe pse në është hetuar dhe në një rast edhe është pezulluar.
Në 2015-n, Klodian Çani shërbente në doganën e Kakavijës si përgjegjës turni. Në atë kohë, ai bashkë me vartësit e tij në turn u pezulluan nga detyra pasi lejuan kalimin pa zhdoganim të një kamioni.
Hetimet e prokurorisë në atë kohë zbuluan se nuk bëhej fjalë për një rast sporadik, por për një aktivitet të mirëfilltë kontrabande ku roli i Klodian Çanit ishte thelbësor. Hetimi i prokurorisë zbuloi se vetëm në muajt nëntor-dhjetor të 2014-s janë tetë raste kur kamionë me mallra hynin nga Greqia kontrabandë për në Shqipëri, duke shmangur miliona euro taksa.
Dokumentet e doganave greke në atë kohë, të siguruara nga Voxnews.al tregojnë se vetëm në një rast, vlera e mallit të importuar nga Greqia për në Shqipëri vlerësohej përafërsisht 15 milionë euro. Bëhet fjalë për një ngarkesë me cigare dhe alkool, që të dyja mallra për të cilat paguhet akcizë. Vetëm akciza e shmangur në këtë rast, sipas përllogaritjeve të përafërta shkon në mbi 1 milionë euro.
Megjithatë, edhe pas këtyre hetimeve Klodian Çani si me magji i mbylli hesapet me drejtësinë dhe u rikthye në detyrë në një post në doganën e Tiranës. Këtu, siç thonë burimet e Voxnews.al ai perfeksionoi skemën e kontrabandës, ku herë me letra të falsifikuara dhe herë duke mos hapur kontenierët e mbushur me mallra akcize.
Në vijim do të lexoni foto dhe vendime të dënimit si dhe një raport të detajuar nga një institucion ligjzbatues për shkeljet dhe abuzimet që janë bërë nga dyshja Gazheli-Çani.
***
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.