Qeveria vlerëson se teorikisht të ardhurat e munguara nga Tatimi mbi vlerën e shtuar në buxhet vetëm nga nënraportimi në fatura, informaliteti dhe evazioni fiskal arrijnë në vlerën e 1.8 miliardë eurove në vit.
Shifra përbën 90 për qind të të ardhurave aktuale prej 1.9 miliardë eurosh që tatimet mbledhin përmes kësaj takse. Shuma del në strategjinë afatmesme të të ardhurave, të hedhur për konsultim publik nga ana e Qeverisë.
Aty thuhet se nëse çdo mall dhe shërbim do të ngarkohej me normën standard të tatimit, të ardhurat teorike nga TVSH do të ishin 3.67 miliardë euro, ndërsa të ardhurat faktike aktualisht janë në nivelin e 1.91 miliardë eurove.
Strategjia njeh informalitetin si një fenomen të përhapur gjerësisht, pavarësisht përpjekjeve të bëra nga Qeveria dhe Banka e Shqipërisë kundër këtij fenomeni. Mes reformave që vlerësohet më rezultative është ajo e fiskalizimit.
Dokumenti paralajmëron se vetëm masat e Bankës së Shqipërisë nuk mjaftojnë dhe Qeveria do të ndërhyjë përmes vendimeve për të ashpërsuar luftën ndaj informalitetit. Për këtë qëllim, në strategji propozohet që të vendoset një limit për pagesat cash për çdo transaksion.
Aktualisht, pagesat cash mes individëve nuk kanë kufizim dhe as ato mes individëve dhe bizneseve. Kufizimi i vetëm në fuqi është ajo mes bizneseve, që u ndalohen transaksione cash mbi 150 mijë lekë. Në dokumentin e hartuar nga Qeveria kërkohet që ky tavan të reduktohet edhe më tej dhe një nivel që përflitet është ai i 50 mijë lekëve.
***
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.