Ultimatumi i Flick: Nuk duhen përsëritur më këto gabime. Spanja? I kemi cilësitë për ta mundur

23 Nëntor 2022, 18:46Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ultimatumi i Flick: Nuk duhen përsëritur më këto gabime. Spanja? I kemi cilësitë për ta mundur

Gjermania doli pa pikë nga përballja e parë në Kupën e Botës Katar 2022. Skuadra e Hansi Flick, u mposht 1-2 me përmbysje nga Japonia, duke humbur një ndeshje të cilën e kishte në dorë.

Katër herë kampionët e botës, nuk ia dolën të ruajnë avantazhin e siguruar nga goli i Ilkay Gundogan, humbën disa raste të pastra dhe në fund u befasuan nga dy gola të pësuar brenda tetë minutave.

Trajneri Flick nuk e fshehu zhgënjimin e humbjes, teksa në prononcimin pas ndeshjes deklaroi:

“Një ndeshje brutalisht zhgënjyese! Qarkulluam topin në masën 78% në pjesën e parë, e merituam avantazhin.

Vazhduam të krijonim raste, por nuk i finalizuam me sukses. Japonia u tregua më konkrete, shënoi një gol më shumë se ne dhe fitoi ndeshjen. Gabimet individuale në golat e pësuar, nuk duhen përsëritur, ka ardhur momenti të mos gabojmë më.

Do e analizojmë mirë këtë ndeshje, djemtë duhet të bëjnë më mirë në fushë. Spanja? I kemi cilësitë për të mundur Spanjën. Objektivi ynë është fitorja ndaj tyre”.

Gjermania rikthehet në fushë të dielën (27 nëntor) përballë Spanjës, duel që duhet fituar me çdo kusht. Ndeshjen e tretë në grupin E, skuadra e Flick do e luajë ndaj Kosta Rikës (1 dhjetor).

Video