VIDEO/ Surpriza e radhës në Botëror, Gjermania mposhtet me përmbysje nga Japonia

23 Nëntor 2022, 16:11Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Gjermani-Japoni

Gjermania e ka nisur me humbje Kupën e Botës "Katar 2022". Ata janë mposhtur me përmbysje me rezultatin 1-2 përballë Japonisë në sfidën e vlefshme për Grupin E.

"Pancerat" e mbyllën pjesën e parë në avantazhin e një goli. Në minutën e '31 të takimit, portieri i Japonisë, Gonda pengoi në zonë mbrojtësin gjerman, Raum dhe nga pika e bardhë e penalltisë nuk gaboi Ilkay Gundogan duke e çuar topin në rrjetë.

Por, fraksioni i dytë i lojës Japonia ishte me një "fytyrë" krejt tjetër nga ajo e para duke arritur dhe të përmbysë rezultatin. Në minutën e '75 aziatikët gjenë golin e barazimit me Doan pas një aksioni të shpejtë. Ndërsa, në minutën e '83, Asano bën një kontroll perfekt të topit në të djathtë dhe në pozicion diagonal mposht Manuel Neuer me një predhë duke i dhënë dhe Japonisë golin e fitores.

Kjo, ishte supriza e dytë e këtij kampionati botëror, pas humbjes 1-2 të Argjentiës përballë Arabisë Saudite, po me përmbysje rezultati.

Vlen për t'u theksuar dhe se lojtarët gjermanë kanë pozuar në foton para ndeshjes duke vendosur dorën në gojë, në shenjë proteste kundër FIFA-s dhe shtetit të Katarit. Gjithçka lidhet me mungesën e të drejtave të njeriut në vendin organizator. Te Gjermania kërkonin të mbanin shiritin e kapitenit me ngjyrat e LGBT, teksa FIFA nuk e ka lejuar diçka të tillë. Kësisoj gjermanët kanë pozuar me gojën të mbyllur.

Më poshtë videot e golave:

Video