Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë i është përgjigjur interesimit të Neës24 lidhur me deklaratat e kryeministrit Edi Rama që u shpreh se Parlamenti nuk ka asnjë urgjencë për të kaluar në shqyrtim kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres së pezulluar Belinda Balluku.
Ambasada amerikane shprehet se pavarësia e institucioneve të drejtësisë është thelbësore në bashkëpunimin mes dy vendeve.
“Pavarësia e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri mbetet thelbësore për bashkëpunimin e vazhdueshëm mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në luftën kundër krimit ndërkombëtar”, thotë ambasada amerikane.
Por përfaqësia diplomatike e SHBA ka shmangur komentet e drejtpërdrejta lidhur me imunitetin e Balluku, duke e konsideruar atë një çështje nën hetim.
“Nuk kemi koment për çështjet ligjore që janë në proces”.
Një ditë më parë një reagim erdhi nga Brukseli për deklaratat e Ramës, lidhur me çështjen Balluku.
“Është përgjegjësi e Parlamentit të Shqipërisë që të trajtojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij. Lufta efektive kundër korrupsionit është e një rëndësie thelbësore për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, gjë që është edhe pritshmëria e qytetarëve të saj”, deklaroi Komisioni Europian.