
Më 20 shkurt opozita do të protestojë sërish kundër qeverisë dhe Belinda Ballukut. Lajmin e bëri të ditur, kreu i PD-së, Sali Berisha nga selia blu.
Kjo datë është zgjedhur edhe në mënyrë simbolike, pasi më 20 shkurt 1991 në Shqipëri u rrëzua edhe busti i diktatorit Enver Hoxha.
Kjo datë – tha Sali Berisha- do të jetë dita e fitores së Partisë Demokratike.
“Më datën 20 shkurt është dita jonë, dita e fitores. Nderim të gjithë protestuesve. Fitore”, tha Berisha.
I ndalur tek protesta e kësaj të marte, Sali Berisha drejtoi gishtin nga Policia, duke thënë se banditë me uniforma mbrojtën Edi Ramën dhe Belinda Ballukun.
“Vetëpërmbajtja, guximi, qëndrimi paqësor i protestuesve është më i fuqishëm. Është vendosmëri për të realizuar qëllimin, për të hedhur në kosh të plehrave një prej armiqve të kombit shqiptar, Edi Ramën.
Mos mendoni se durimi ka një fund. Ju garantoj se këto vetëpërmbajtje, kjo vendosmëri e jona nuk mund të provokohet. Provokatorët mund të marrin një mësim.
Sot barbaria e policisë nuk kurseu as gazetarët. U bë gjithçka që të mos përmbushnin dot misionin e tyre, por i përgëzoj se nuk u ndalën për asnjë moment.
Këta banditë që mbrojnë krye hajdutin Rama dhe Lubi Ballukun goditën sot deputetët e opozitës që mbrojnë ligjin dhe kushtetutën. Ju garantoj se edhe prapa diellit po të shkojnë do gjenden dhe para drejtësisë do të dalin”, u shpreh kreu i PD.