Çfarë ndodhi në darkën informale Rama - Costa?

10 Shkurt 2026, 18:09Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Presidenti i Këshillit Europian, António Costa, priti më 9 shkurt, kryeministrin Edi Rama në një darkë pune në Bruksel.

Ata diskutuan për hapat që do të ndërmerren në vijim sa i takon procesit të negociatave për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Shqipëria ndodhet në një moment kritik. Janë bërë përpjekje të rëndësishme gjatë viteve. Tani ato duhet të mbështeten dhe të konsolidohen”, bën me dije kabineti i presidentit të KE.

“Kryeministri Rama konfirmoi se reformat kyçe, veçanërisht në gjyqësor, të drejtat themelore dhe luftën kundër korrupsionit, mbeten përparësi kryesore.

Presidenti Costa riafirmoi mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për përpjekjet e Shqipërisë për t’i çuar përpara ato“, thuhet më tej.

Kujtojmë se një nga çështjet kryesore të mbetura pezull është Raporti i Vlerësimit të Standardeve për Reformimin e Gjyqësorit, i njohur si IBAR, i cili lidhet me kapitujt 23 dhe 24 të procesit të negociatave.

Deri më tani, Shqipëria nuk ka mundur ta marrë këtë raport të plotë dhe të miratuar nga shtetet anëtare të BE-së. Pa aprovimin e këtij dokumenti, procesi i mbylljes së kapitujve nuk mund të ecë përpara.

Në diskutimet e mëparshme në nivel ambasadorësh, është kërkuar që Shqipëria të ofrojë prova konkrete mbi ndëshkimin e zyrtarëve të lartë të akuzuar, përfshirë vendime përfundimtare të gjykatave dhe sekuestrime të pasurive. Ky është një nga kushtet që konsiderohen jetike për të treguar progresin në reformën në drejtësi.

Me metodologjinë e re të negociatave të BE-së, një shtet anëtar mund të kërkojë që procesi të rikthehet në pikën e fillimit nëse nuk shihen përparime të dukshme në këto fusha kritike.

Kapitujt 23 dhe 24, të lidhura me drejtësinë dhe sundimin e ligjit, janë gjithmonë ndër të parët që hapen, por edhe ndër të fundit që mbyllen gjatë procesit të integrimit, duke e bërë progresin në këtë fushë një indikator të rëndësishëm të përparimit të vendit drejt BE-së.


Video