Protesta e opozitës para Kryeministrisë/ Gjekmarkaj: Pushteti është gati të sakrifikojë Europën për të shpëtuar veten!

10 Shkurt 2026, 17:53Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Agron Gjekmarkaj

Ka nisur protesta e thirrur nga Partia Demokratike para Kryeministrisë, ku kërkohet largimi i Edi Ramës dhe krijimi i një qeverie teknike.

Nënkryetari i Kuvendit Agron Gjekmarkaj ishte i pari që mori fjalën, ndërsa tha se pushteti aktual është gati të sakrifikojë Europën për të shpëtuar veten, por kjo nuk do të lejohet nga PD-ja.

“Sistemi i Rilindjes dhe Edi Ramës s’ka më asnjë alibi, ka dhunuar votën e lirë, ka mbijetuar politikisht duke e shndërruar shtetin në instrument pushteti. Jeta e shqiptarëve është një kthim pas si në 1976-ën. Ne po sakrifikojmë për ëndrrën europiane, ndërsa pushteti aktual është gati të sakrifikojë Europën, demokracinë dhe Shqipërinë vetëm për të shpëtuar veten. Kupa është mbushur”, tha Gjekmarkaj në fjalën e mbajtur.

Më pas duke iu referuar çështjes së pezullimit nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku nga Gjykata Kushtetuese dhe qëndrimit që mbajti kryeministri për shkak të mos arritjes së një kuorumi nga trupa gjykuese që u nda 4 me 4, Gjekmarkaj shtoi: “Kupa është mbushur, në pushtet për të ruajtur veten është i aftë të zhdukë çdo nuancë të drejtësisë. Dje Rama hoqi maskën e fundit për të mbrojtur zëvendësen e vet Belinda Ballukun”.

“Shqipëria nuk ka më luksin e pritjes, ka vetëm detyrimin e guximit”, shtoi ai.


Video