Komisioni Europian ka bërë një reagim për Top News lidhur më çështjen e zëvendëskryeministres së pezulluar Belinda Balluku.
Ndërsa Prokuroria e Posaçme kërkon nga Parlamenti heqjen e imunitetit të Ballukut, KE thotë se është përgjegjësi e Kuvendit të Shqipërisë të trajtojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij.
KE thekson së në raportin e fundit ka rekomanduar që Shqipëria të forcojë llogaridhënien duke reduktuar ndërhyrjen politike në gjyqësor dhe në shërbimet e prokurorisë.
Reagimi i KE për Top News:
Ne nuk komentojmë çështje që janë në proces.
Në mënyrë më të përgjithshme, rikujtojmë se është përgjegjësi e Kuvendit të Shqipërisë të trajtojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij.
Lufta kundër korrupsionit në mënyrë efektive është me rëndësi thelbësore për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, që është edhe pritshmëria e qytetarëve të saj.
BE i kushton rëndësi të madhe shtetit të së drejtës dhe pavarësisë së gjyqësorit në Shqipëri, si dhe punës së bërë në kuadër të reformës në drejtësi.
Komisioni Europian monitoron dhe raporton për progresin në këtë fushë në kuadër të negociatave të anëtarësimit në BE.
Ne do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër dhe të mbështesim konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe pavarësisë së gjyqësorit në Shqipëri, si pjesë e procesit të integrimit europian të vendit.
Në raportin e tij për vitin 2025 për Shqipërinë, Komisioni vuri në dukje se, ndonëse qëndrueshmëria e gjyqësorit është përmirësuar në përgjithësi, përpjekjet e shtuara nga zyrtarë publikë apo politikanë për të ushtruar ndërhyrje dhe presion të papërshtatshëm mbi sistemin gjyqësor mbeten një çështje me shqetësim serioz.
Komisioni rekomandoi më tej që Shqipëria të forcojë llogaridhënien duke reduktuar ndërhyrjen politike në gjyqësor dhe në shërbimet e prokurorisë.