"Garantoj respekt maksimal dhe drejtësi" - Demokrati Dashnor Sula prezantohet si kryeinspektor i Shqipërisë

9 Shkurt 2026, 16:41Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Ish-deputeti demokrat Dashnor Sula u prezantua këtë të hënë si Kryeinspektor i Përgjithshëm i Shqipërisë, pas lirimit nga kjo detyrë të Shkëlqim Hajdarit, i cili tani është prefekt i Qarkut të Tiranës.

Ishte vetë Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ajo që e prezantoi Sulën me vartësit e Inspektoriateve dhe deklaroi se "mbështetja e saj do të jetë maksimale".

Edhe vetë ish-deputeti, i cili merr përsipër këtë detyrë të rëndësishme gjatë udhëheqjes së vendit nga qeveria Rama, i garantoi vartësit e tij se do të kenë marrëdhënie shumë të mira me të, nëse ata përmbushin detyrat që u takojnë me ligj.

"Bashkëpunimi me Ministrin dhe qeverinë do të jetë në kushte maksimale. Sigurisht, mendoj se tre pika do të më shoqërojnë gjatë gjithë periudhës që do të jem në krye të Inspektoratit të Përgjithshëm. Përkushtimi, angazhimi do të jetë maksimal, edhe nga pikëpamja formale e orarit kur filloj punën, deri në orën që mbyll, dhe ju garantoj se do të jem i disponueshëm 24 orë në ditë për çdo problem, apo koleg, vartës, që do të ketë probleme, për t'u informuar, apo për të pasur kontakt të drejtpërdrejtë me Ministrin dhe Kryeministrin", tha Sula. 

"Gjej rastin në këtë moment të jem i sinqertë, pavarësisht faktit se me Ministren dhe ish-kolegen Gjylameti dhe Kryeministrin Rama kemi qenë përballë njëri-tjetrit, sepse kështu funksionon demokracia, nuk e kemi parë kurrë njëri-tjetrin si armiq, por për të punuar dhe për të çuar diçka përpara për Shqipërinë. Për mua, kjo është një sfidë dhe një 'dorezë e hedhur' nga Kryeministri për të përmbushur këtë detyrë. Nuk është privilegj, është një përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe", vazhdoi ai.

Dashnor Sula theksoi se përkushtimi dhe drejtësia ndaj bizneseve do të jenë maksimale për sa kohë që ai është Kryeinspektor i Përgjithshëm.


Video