Fate Velaj apo Ermal Dredha? E vendos Edi Rama të shtunën në Vlorë

24 Mars 2023, 12:04Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Në foto: Kryeministri Edi Rama, drejtuesi i PS në qarkun e Vlorës, Blendi Klosi dhe pretendentët për kandidatë për bashkinë Vlorë, ish-deputeti Fate Velaj dhe ambasadori, Ermal Dredha

Përzgjedhja e kandidatëve për bashkitë në Qarkun e Vlorës po kthehet në dhimbje koke për Edi Ramën. Tre nga pesë bashkitë nuk po arrijnë dot të gjejnë konsensus për emrin e kandidatit. Në Sarandë ka nisur një sherr i madh mes kryetarit aktual dhe kandidatit që po propozon Blendi Klosi.

Selenicë ka një sherr mes Klosit dhe deputetit Vullnet Sinaj pasi të dy kanë nga një emër. Por, situata më e rëndë është në Vlorë pasi Klosi përplasjen e ka me Edi Ramën.

Blendi Klosi prej disa muajsh, pas ndërhyrjes së Gramoz Ruçit dhe Taulant Ballës po tenton të vendosë si kandidat ambasadorin e Shqipërisë në Emiratet e Bashkuara Arabe, Ermal Dredha.

Dredha, prej vitesh i angazhuar në diplomaci dhe i shkëputur nga qyteti i Vlorës nuk gëzon mbështetje mes socialistëve dhe nuk plotëson dy kriteret kryesore të vendosura, që janë kontributet në parti dhe me banim në Vlorë. Për të plotësuar këtë të dytën, Dredha vetëm javët e fundit ka zhvendosur gjendjen civile në Vlorë.

E gjithë kjo ka ngjallur dhe një reaksion të fortë në bazë duke mos e pranuar propozimin e Klosit. Nga ana tjetër Edi Rama ka piketuar Fate Velajn si kandidat të Partisë Socialiste për bashkinë e qytetit bregdetar, i cili përmbush kriteret, si për kontributin e dhënë në komunitet dhe brenda partisë, ashtu edhe atë të rezidentit.

Mban edhe medaljen Kryqi i Artë i kalorësit të shkallës së parë akorduar nga Presidenca austriake në vitin 2013, ndërsa nga qeveria austriake ka marrë medaljen Nderimi i Republikës.

Velaj është i njohur në arenën ndërkombëtare si krijues i strategjive dhe iniciativave politiko-kulturore, ideator e moderator konferencash si dhe kurator ekspozitash ndërkombëtare.

Prej një viti Rama i kërkoi Velajt të niste turin në qytet ‘Fate Talks- ide të reja për Vlorën’ për të parë problematikat e qytetit dhe për të dhënë ide të reja zhvillimore.

Klosi duke u frikësuar se kemi një kandidat i Edi Ramës dhe nuk do të ishte nën urdhrat e të deleguarit të qarkut po bën çdo përpjekje që ta pengojë.

Kjo e ka detyruar Edi Ramën që ditën e shtunë në mëngjes të mbledhë Asamblenë e zgjeruar të PS për Bashkinë e Vlorës ku do të shikohet situata në lidhje me emrat e kandidatëve.

Burime nga selia e rozë bëjnë me dije se zgjedhja e Ramës është Fate Velaj për të qenë kandidat. Lidhur me këtë Rama ka thënë se me Bashkinë e Vlorës do të merret personalisht për t’i dhënë këtij qyteti një pamje europiane, si në infrastrukturë dhe në mentalitet.

©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video