Eu Reporter është përgjigjurpër emisionin Top Story në Top Channel mbi investigimin e parave ruse të Monika Kryemadhit.
Në përgjigje shkruhet se provat janë tre transferta bankare nga Monika Kryemadhi të cilat tregojnë se në vitin 2017 ajo ka marrë dy pagesa nga Holdem Holdings Limited, një kompani e inkorporuar në Qipro dhe ka bërë një pagesë për Vradus Holdings Limited, një tjetër kompani sërish e inkorporuar në Qipro.
Sipas Eu Reporter, këto janë dorëzuar nga një burim anonim, i cili do t’i dorëzojë dosjet në Strukturën e Posaçme Shqiptare Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Përgjigjja e plotë e Eu Reporter
Në 15 mars 2023, EU Reporter publikoi një artikull me tutull “Rusia duke përdorur të gjitha mjetet për të përforcuar kontrollin në Ballkan”. Në kuadër të këtij shkrimi, EUReporter ka përfshirë provat e tre transfertave bankare nga nga Monika Kryemadhi, bashkëshortja e ish-presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta. Provat e marra tregojnë se në vitin 2017 Kryemadhi ka marrë dy pagesa nga Holdem Holdings Limited, një kompani e inkorporuar në Qipro dhe ka bërë një pagesë për Vradus Holdings Limited, një tjetër kompani e inkorporuar në Qipro.
Përmes hetimit të strukturës së pronësisë së dy kompanive, Holdem u zbulua se zotërohej të paktën pjesërisht nga Alekander Smuzikov dhe Alekander Kaplan, dy biznesmenë rusë të naftës në kohën e transaksionit. Vradus u zbulua se ishte në pronësi të Vitaly Savvin, një tjetër biznesmen rus i naftës dhe ish-partner biznesi i Smuzikov dhe nuk kishte asnjë tregues se pronësia e Vradus kishte ndryshuar.
Reagimi i Monika Kryemadhit
Në përgjigje të shkrimit, Kryemadhi është përgjigjur në media si më poshtë:
A) nuk kam qenë asnjëherë aksionere e ndonjë kompanie në jetën time;
B) nuk kanë pasur kurrë një llogari bankare në Zvicër;
C) nuk kemi pasur kurrë marrëdhënie financiare me ndonjë firmë apo biznesmenë ruse, përfshirë edhe ata që ju pretendoni.
Përgjigje Kryemadhit
A) Provat e pretenduara tregojnë qartë se Kryemadhi kishte një llogari bankare në Credit Agricole Suisse SA në Zyrih, Zvicër. Kryemadhi figurohet qartë si pronarja e kësaj llogarie.
B) Siç u tha më sipër, provat tregojnë se Kryemadhi ka marrë pagesa nga Holdem dhe ka bërë një pagesë për Vradus. Të dhënat e korporatave qipriote tregojnë se në kohën e transaksioneve, Holdem ishte në pronësi të tre kompanive të inkorporuara nga Ishujt e Virgjër Britanikë (BVI): Curol Investments Limited, Vollandes Assets Corporation dhe Kealy Worldwide Corp.
Sipas Reuters, Smuzikov dhe Kaplan u zbuluan se ishin përfituesit përfundimtarë pas një kompanie të inkorporuar në MB, Balkan Petroleum Holding Limited. Sipas të dhënave të korporatave në Mbretërinë e Bashkuar, Smuzikov u rendit si me ndikim ose kontroll të rëndësishëm. Të dhënat e korporatave në Mbretërinë e Bashkuar tregojnë gjithashtu se kompania mëmë e drejtpërdrejtë e kompanisë britanike ishte Davolia Holdings, një tjetër kompani e inkorporuar në Qipro e regjistruar gjithashtu në të njëjtën adresë si Holdem. Davolia dhe Holdem kishin gjithashtu të njëjtin drejtor, Pantelitsa Chrusostomou.
Të dhënat e korporatave të Qipros tregojnë se Davolia ishte në bashkëpronësi në një pjesë të barabartë nga Vollandes dhe Dalia Global Corp, një kompani tjetër e inkorporuar nga BVI. Prandaj, Smuzikov dhe Kaplan duhet të kenë qenë gjithashtu pronarë të Vollandes dhe Dalia Global Corp dhe për rrjedhojë duhet të kenë pasur të paktën pjesërisht pronësinë e Holdem në kohën e transaksioneve me Kryemadhin.
Nga viti 2012 deri në vitin 2022, Vradus zotëronte tregtarin e naftës të inkorporuar në Rusi, OOO Magnatek, e cila u themelua nga Vitaly Savvin. Në një intervistë të vitit 2012 me Forbes, Savvin raportoi se ai vazhdoi të zotëronte Magnatek përmes Vradus. Prandaj, Savvin ishte pronari përfundimtar i Vradus. Pretendimet janë dorëzuar nga një burim anonim, i cili do t’i dorëzojë dosjet në Strukturën e Posaçme Shqiptare Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Kujtojmë se në një artikull të ditës së mërkurë, EuReporter solli dokumente të siguruara nga inteligjenca amerikane, që tregojnë transaksione monetare të Monika Kryemadhit me kompani guaskë të regjistruara në parajsa fiskale. Pagesat janë marrë nga kompania offshore “Holdem Holdings”, e cila kontrollohet nga oligarkët rusë të naftës Alexander Smuzikov dhe Alexander Kaplan.
Monika Kryemadhi dyshohet se është aksionere në kompaninë offshore të kontrolluar nga rusët, pasi në mandat pagesat thuhet se shuma prej 13 mijë e 500 euro është marrë si divident për aksioneren.
Kryemadhi gjithashtu ka bërë një pagesë për një kompani offshore, “Vradus Holdings”, e cila kontrollohej nga Vitaly Savvin, një oligark rus nafte, që sikurse u zbulua nga Forbes ishte një nga donatorët më të mëdhenj të Putinit.
Investigimi i EuReporters ngre dyshime se dy kompanitë në fjalë të regjistruara në parajsa fiskale nuk kanë asnjë aktivitet, por shërbejnë si maskim në këtë rast për të shpërndarë paratë ruse për politikanët e korruptuar në Evropën Lindore si pjesë e strategjisë së Moskës për të rritur influencën në këto vende./Tch