
Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, organi që me ligj ka rolin që të vëzhgojë dhe ndëshkojë prokurorët dhe gjyqtarët që shkelin ligjin, as pohon dhe as mohon për momentin nëse ka nisur një hetim ndaj prokurorit të posaçëm, Eneid Nakuçi.
Ndaj prokurorit ka një kallëzim penal për fshehje të provave gjatë hetimit të dosjes së inceneratorit të Elbasanit. Fshehja, sipas kallëzimit, është bërë për të mbrojtur nga drejtësia Arben Ahmetajn.
Kjo është njëra prej shkeljeve të dyshuara që rëndojnë mbi jetëshkrimin e prokurorit Eneid Nakuçi. Tjetra, që është edhe më e rëndë lidhet me dosjen Shpirti. Dy janë emrat e prokurorëve që përmenden në dëshminë e dhënë para antimafias italiane të Mariglen Shushës, i penduari i dosjes. I pari është prokurori i Vlorës në atë kohë, Mariglen Shusha dhe i dyti prokurori i krimeve të rënda, po në atë kohë, Eneid Nakuçi.
Sipas dëshmisë së dhënë nga Mariglen Shusha prokurori i SPAK përmendet si emri me të cilin duhet të kontaktonin trafikantët për të ndikuar në Drejtësi. Shusha thotë se i hetuari tjetër në këtë dosje, Ilirjan Duçkollari ka shpenzuar 200 mijë euro për ta mbyllur dosjen, të njëjtën dosje që Nakuçi e ka regjistruar procedimin në nëntor të 2015-s, në janar të 2016-s ka marrë të pandehur Robert Myftarin dhe në 10 korrik të 2017-s e pezulloi me argumentin e mungesës së provave.
Hetimi për këtë dosje iu përmend Nakuçit kur iu nënshtrua vettingut nga ana e ekspertëve të ONM-së. Pavarësisht kësaj, ai e kaloi rivlerësimin dhe më pas u emërua edhe në SPAK si prokuror i posaçëm.
Por, a është vetting një proces i pagabueshëm? Shembuj për të provuar të kundërtën mund të ketë boll, por më kryesori renditet ai i Luan Dacit. Ky i fundit jo vetëm që e kaloi procesin e rivlerësimit, por u emëruar më pas edhe gjyqtar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Këtë post e mbajti deri kur përfundoi vetë në SPAK i denoncuar për fshehjen e një vendimi disiplinor të 20 viteve më parë. Paralelja në këtë rast me Nakuçin është fakti i denoncuar në Inside Story, ku emri i Nakuçit përmendet në dosjen Shpirtit të palës italiane, por nuk figuron në përkthimin shqiptar të kësaj dosjeje.
Këto janë provat e indiciet që janë edhe në duart e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, që nëse nuk ka me prioritet hetimin e shkeljeve të dyshuara brenda SPAK-ut, atëherë nuk mund të themi se çfarë prioriteti tjetër ka.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.