
Më 23 Dhjetor të vitit që lamë pas, me kërkesë të kryeministrit Edi Rama, presidenti Bajram Begaj firmosi dekretin për lirimin nga detyra të kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendo, teksa pas shkarkimit u emërua këshilltar i kryeministrit Edi Rama.
Në vend të Bendos, në krye të SHISH në atë kohë u emërua Oljan Kanushi, Olian Kanushi, ish këshilltar i kryeministrit Edi Rama, i cili e drejtonte këtë institucion prej rreth 1 viti për shkak se Bendo po kryente studime pas-universitare në SHBA.
Burime në atë kohë bënë me dije se shkarkimi i Bendos erdhi pas një përplasje që ky fundit pati me Kanushin në zyrën e tij. Bendo ndërpreu kursin në SHBA dhe u shfaq në mënyrë të papritur në zyrat e SHISH, pasi kishte marrë vesh se Kanushi po shkarkonte disa prej drejtorëve që ishin emra të besuar të tij. Kjo ka qenë dhe arsyeja e përplasjes së fortë mes tyre.
Por, teksa u duk se Olian Kanushi do e mbante drejtimin e SHISH për një kohë të gjatë pasi emëroi të besuarit e tij në poste kyçe, ditën e sotme një njoftim i papritur erdhi nga kryeministri Edi Rama.
Ai bëri me dije se i kishte propozuar presidentit Bajram Begaj emrin e Vlora Hysenit për të marrë drejtimin e Shërbimit Informativ Kombëtar, pasi sipas tij, ajo përbën një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit inteligjent shqiptar.
"Sot i paraqita Presidentit të Republikës propozimin për emërimin e Znj.VLORA HYSENI drejtore e Shërbimit Informativ Kombëtar, me besimin e plotë se përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që zonja Hyseni gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit inteligjent shqiptar." shkruan Rama në rrjetet sociale.
Por, burime bëjnë me dije se Vlora Hyseni nuk ka qenë zgjedhje e parë e kryeministrit Edi Rama, por kryetari në detyrë Olian Kanushi. Por, emri i këtij të fundit ka qenë i papreferuar nga amerikanët.
Duke mos dashur të prishë marrëdhëniet me partnerët e stacionuar në rrugën e Elbasanit, kryeministri Edi Rama ka vendosur më pas të propozojë emrin e Vlora Hysenit.
Kjo e fundit ka mbajtur më parë postin e zëvendësdrejtores së Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, deri kur u shkarkua më 30 Qershor të vitit 2021. Gjithashtu ajo e ka drejtuar Agjencinë e Kosovës për Inteligjencën për 4 muaj pasi ky institucion kishte mbetur pa drejtor pas shkarkimit të Kreshnik Gashit.
Pasi u shkarkua nga Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, kryeministri Edi Rama e emëroi Vlora Hysenin këshilltare të tijën.
Hyseni nga informacionet e pakta që dihen për të, përshkruhet si eksperte dhe njohëse shumë e mirë e çështjeve të sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Ajo flet disa gjuhë të huaja./Vox News.al